2012-12-03 13:18:52

Papa: ta përhapim mbretërinë e dashurisë, të drejtësisë e paqes


“Liturgjia e dielës së parë të Ardhjes na kujton kumtimin e ardhjes së dytë të Krishtit. Na fton të jemi vigjilentë e të lutemi, në mënyrë që të jemi gati për takimin e hareshëm me Zotin. Në këtë atmosferë e jetojmë kohen e pritjes”. Kështu tha Benedikti XVI në mbarim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan.
“Zoti që vjen të mos na gjejë të mbyllur apo të hutuar, po uroj që në çdonjërin prej nesh, të mund ta zgjerojë sado pak mbretërinë e tij të dashurisë, të drejtësisë e të paqes”. Kështu tha në vijim Papa duke komentuar pjesën ungjillore të dielës së Parë të Ardhjes, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot. Me të dielën e Ardhjes, me të cilën filloi Viti Ri liturgjik, para nesh kemi“një udhëtim që pasurohet edhe më shumë nga Viti i fesë, 50 vjet nga hapja e punimeve të Koncilit Ekumenik të II të Vatikanit”. “Fjala ardhje do të thotë prani apo pritje e nje ardhjeje”, tha Benedikti XVI, duke kujtuar se “në botën e lashtë kjo fjalë tregonte vizitën e mbretit apo të perandorit në një provincë; në fjalorin e krishterë fjala ardhje i referohet ardhjes së Zotit, pranisë së tij në botë”.
“Plani shpëtimtar i Zotit, që gjithmonë është në veprim e sipër, kërkon vazhdimisht – shpjegoi Papa – aderimin e lirë dhe bashkëpunimin e njeriut”. “Në mesin e ndryshimeve të botës, apo të shkretëtirave të indiferencës e të materializmit, të krishterët – uroj Papa – e pranofshin nga Zoti shpëtimin dhe atë e dëshmofshin me mënyrën e veçantë të jetesës, si një qytet i vendosur mbi kodër”. Bashkësia e besimtarëve, pra, përfundoi Papa, qoftë “shenjë e dashurisë së Zotit, shenjë e drejtësisë së tij që është qysh tani e pranishme në histori por që ende nuk është realizuar plotësisht, e prandaj përherë duhet pritur, lutur, kërkuar me durim e guxim”.







All the contents on this site are copyrighted ©.