2012-12-03 14:44:35

Papa do të vendosë në rrjet “tweet”-in e tij të parë më 12 dhjetor, me emrin “@pontifex”


Papa Benedikti XVI është regjistruar në rrjetin shoqëror “Twitter”. Në konferencën e shtypit të paradites së sotme në Vatikan, u njoftua se “tweet”-i i parë i Atit të Shenjtë Jozef Ratcinger, i cili që sot ndiqet nga mëse 50 mijë vetë, do të shkruhet më 12 dhjetor, në festën e Zojës së Guadalupes. Papa mund të kërkohet në këtë rrjet shoqëror me emrin “@pontifex”.
Në komunikatën për gazetarët, sqarohet qëllimi i kësaj nisme, e cila është maja e ajsbergut e pranisë së Kishës Katolike në botën e komunikimeve shoqërore. ““Tweet”-et e Papës – shkruhet – do të jenë për besimtarët e për jo besimtarët, për t’u bashkëndarë, për të diskutuar e për të inkurajuar dialogun”. Shpresa e Benediktit XVI dhe e Vatikanit është që mesazhet e shkurtra të Atit të Shenjtë t’i bëjnë njerëzit e çdo vendi, të çdo gjuhe e kulture, të mendojnë e të bëjnë pyetje për jetën, të cilave mund t’u përgjigjen besimtarët e barinjtë e Kishës. Të dëgjojmë kreun e Këshillit Papnor për Komunikimet Shoqërore, imzot Klaudio Çeli, i pranishëm në konferencën e shtypit:
“Këtu, edhe një herë, mendoj se del në pah fuqishëm, dëshira e këtij Pape për të hyrë në bisedë, në dialog bashkohor me burrin e gruan, për t’i takuar aty ku ndodhen sot”.
“Pjesë e sfidës për Kishën në botën e mediave të reja – shkruhet më tej në komunikatë – është të jetë e pranishme në mënyrë kapilare në to, që vërtet, të matet me debatet, diskutimet dhe dialogun e rrjeteve shoqërore, të cilat kërkojnë përgjigje të drejtpërdrejta e personale, në kohën e duhur, të një tipi, që nuk arrihet lehtë nga ana e institucioneve të centralizuara”. Por, kjo lloj pranie, pavarësisht se e vështirë, pasqyron të vërtetën e Kishës si bashkësi bashkësish, e gjallë në planin lokal e në atë universal.
“Prania e Papës në Twitter – shpjegon akoma nota e Sallës së Shtypit të Vatikanit – është prania e zërit të tij si zë bashkimi e udhëheqjeje për Kishën, por do të jetë edhe ftesë e fuqishme drejtuar gjithë besimtarëve për t’u shprehur, për të përfshirë ndjekësit (followers) e tyre dhe miqtë e rrjetit në shpresën e të krishterëve në një Ungjill, që flet për dashurinë pa kushte të Zotit për çdo burrë e grua”. Këshilltari i Vatikanit për botën e komunikimeve, gazetari Greg Burke, sqaroi:
“Të gjitha ‘tweet’-et e Papës janë fjalë të Papës: askush nuk mund t’i verë Papës në gojë asnjë lloj shprehjeje, për të thënë më pas se këto janë ‘tweet’-et e Atit të Shenjtë”.
Faqja e Benediktit XVI në Twitter është 8 gjuhëshe: italisht, anglisht, spanjisht, portugalisht, gjermanisht, polonisht, arabisht e frëngjisht. Fillimisht, “tweet”-et e Papës do të flasin për audiencën e përgjithshme të së mërkurës, ose për Engjëllin e Tënzot, por më vonë do të jenë më të shpeshta.
Në fund të konferencës së shtypit, zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi dhe imzot Çeli njoftuan disa risi, që kanë të bëjnë me mediat vatikanase në web. Së pari, portali News.va, që ka realizuar disa mikrofaqe në internet për ngjarje të veçanta të Papës, publikohet në më shumë gjuhë se më parë. Javën e ardhshme do të ketë një Aplikim (App) për Iphone, gjë që është bërë e mundur edhe për Radio Vatikanin, i cili ka madje një Aplikim (App) për Android. Është fuqizuar prania në Youtube e kanaleve të reja në gjuhën polake, franceze dhe kineze. Atë Lombardi vërejti se programi anglez i Radio Vatikanit ndiqet në Twitter nga mëse 100 mijë vetë, ndërsa ai spanjoll nga mëse 30 mijë vetë. Nga ana e tij, imzot Çeli njoftoi se së shpejti do të jetë gati një libër elektronik (ebook) mbi Vitin e Fesë në gjashtë vëllime. Njëri prej tyre i kushtohet magjisterit të Papës, ndërsa të tjerët, një për secilin nga 5 kontinentet.
Të ndjekim komentin e drejtorit të reviztës së jezuitëve “Qytetërimi Katolik”, atë Antonio Spadaro:
Do të thosha se sot, sipas logjikës së komunikimit, mesazhet, duke përfshirë edhe ato fetare, nuk mund thjesht të transmetohen, por duhen ndarë me të tjerët. Kështu, mesazhet kalojnë edhe përmes rrjeteve të ndryshme shoqërore në internet, si Facebook, Twitter e shumë të tjerë, që po kthehen në vende të vërteta reflektimi, diskutimi e dialogu për vlerat, idetë, çastet e jetës. Në këto rrjete shoqërore, njerëzit ndajnë me të tjerët jetën e tyre, dëshirat, pyetjet, përgjigjet. E shumë krerë fetarë janë tashmë në Twitter. Prandaj, është e natyrshme që edhe Papa të ketë faqen e vet. 3 dhjetori 2012 lidhet idealisht me 12 shkurtin 1931, kur Papa Piu XI përhapte mesazhin e tij të parë përmes radios, përmes Radio Vatikanit. Prania e Papës Benedikti XVI në Twitter i përshtatet mënyrës së komunikimit të njeriut të sotëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.