2012-12-03 15:58:24

Në Lutjet e para Mbrëmësore të Kohës së Ardhjes, Benedikti XVI u flet të rinjve universitarë


Liturgjia, e jetuar me frymën e saj të vërtetë, është gjithnjë shkollë themelore për t’ju bërë gurë të gjallë në ndërtimin e Kishës dhe bashkëpunëtorë të ungjillëzimit të ri. Me këto fjalë iu drejtua Ati i Shenjtë universitarëve romakë dhe atyre papnorë, gjatë kremtimit të Lutjeve të para mbrëmësore të së Dielës së parë të Kohës së Ardhjes.
Benedikti XVI u kujtoi universitarëve udhën e fesë, që duhet përshkuar në Vitin Liturgjik:
Duke e kremtuar e duke e jetuar me gjithë Kishën këtë udhë feje, do të provoni se Jezu Krishti është i vetmi Zotëri i kozmosit dhe i historisë, se pa të çdo vepër njerëzore rrezikon të përfundojë në pluhur e hi”.
Në Eukaristi Zotin e gjallë e kemi aq pranë, sa të bëhet bukë për të na dhënë forcë në udhën tonë, kujtoi Papa. Por, shtoi, nuk duhet harruar se jetojmë në rrethana të tilla, në të cilat shumë shpesh Zoti shikohet me indiferencë:
“Por mendoj se në thellësi të shpirtit të të gjithë atyre, që jetojnë larg Zotit, nuk mungon malli për pafundësinë, për trashendencën”.
Zoti është gjithnjë pranë njeriut. Sytë e Atij të Lumit, pohoi Benedikti XVI, janë përherë të hapur mbi ne, na ndjekin, na ndihmojnë, sepse dashuria e Zotit nuk të tradhton kurrë, është gjithnjë besnike. E është pikërisht kjo siguri, shtoi Papa, që mund t’i prijë njerëzimit, edhe në këtë çast historik delikat, kah paqja e begatia, Hyji i Abrahamit, i Izakut, i Jakobit, nuk e braktisi kurrë popullin e vet. Ishte gjithnjë Zot pranë njeriut; e dashuria e tij për njerëzimin, është gjithnjë besnike, shpjegoi Ati i Shenjtë, sepse dashuria e Zotit nuk njeh llogari, as masë:
Zoti nuk u mbyll në qiellin e Tij, por u përkul mbi trazirat e njeriut: mister i madh, që arrin të kapërcejë çdo pritje të mundshme”.
Hyji hyn në kohën e njeriut në mënyrën më të pamendueshme:
“..duke u bërë foshnjë e duke ecur në etapat e ndryshme të jetës njerëzore, që e gjithë jeta jonë, shpirt, zemër e korp, siç na kujton Shën Pali, të mund të ruhet e paqortueshme e të ngrihet në lartësitë e Zotit”.
Benedikti XVI e nxiti, në përfundim, gjithë bashkësinë akademike të Romës, të reflektojë për fenë. Feja, nënvizoi Papa, është porta, që Hyji e hap në jetën tonë, për të na prirë drejt takimit me Krishtin:
“Feja e krishterë nuk është bashkim me një Zot të përgjithshëm, ose të papërcaktuar, por me Zotin e gjallë që, në Jezu Krishtin, Fjalën e Mishëruar, hyri në historinë tonë e u dëftua si Shpërblyes i njeriut. Të besosh do të thotë t’ia besosh gjithë jetën Atij, i vetmi që mund të na japë përsosurinë në kohë e të na hapë portat e një shprese, që shkon përtej kohëve”.







All the contents on this site are copyrighted ©.