2012-12-03 15:08:41

Jo, indiferencës dhe materializmit; integrim, njerëzve me aftësi të kufizuara: Papa flet për Kohën e Ardhjes e kujton lumnimin e Pillai-t.


Koha e Ardhjes dhe Viti Liturgjik sivjet pasurohen nga Viti i Fesë dhe 50-vjetori i Koncilit II Ekumenik të Vatikanit. Këtë kujtoi Papa në lutjen e djeshme të Engjëllit të Tënzot, për të folur, më pas, për përgjegjësinë e të krishterëve në ushtrimin e dashurisë e të drejtësisë. Kujtoi edhe lumnimin e martirit indian Devasahayam Pillai. Pastaj, Ditën ndërkombëtare kushtuar të drejtave të njerëzve me aftësi të kufizuara, që u kremtua sot, shoqëruar me thirrjen e fuqishme për t’i përfshirë plotësisht në jetën e shoqërisë.RealAudioMP3
“Kujdesuni, që zemrat tuaja të mos kalamenden prej grykësisë, prej dehjes, prej kujdeseve të tjera të jetës, që ajo Ditë të mos ju vijë papritmas! Rrini zgjuar e lutuni çdo çast, që të mund të shpëtoni!”. Me fjalët e Ungjillit të Shën Lukës, Benedikti XVI kërkoi përkorë e lutje në këtë Kohë të Ardhjes, në pritje të Krishtit. Papa kujtoi edhe ftesën e Shën Palit për t’i pasur zemrat përplot me dashuri, duke u kërkuar, më pas, të krishterëve, një mënyrë tjetër të të jetuari:
Në mes të tronditjeve të botës, shkretëtirave të indiferencës e të materializmit, të krishterët e presin Zotin e shëlbimit dhe e dëshmojnë me një mënyrë tjetër jetese, si qytet i ngritur përmbi mal”.
E, në sa fliste për dashuri e drejtësi, Ati i Shenjtë kujtoi edhe përgjegjësitë e të krishterëve:
Bashkësia e besimtarëve është shenjë e dashurisë së Hyjit, e drejtësisë së Tij, që tashmë është e pranishme e vepruese në histori, por e parealizuar plotësisht e prandaj duhet pritur, duhet lypur, duhet kërkuar vazhdimisht, me durim e guxim”.
Virgjëra Mari, nënvizoi Benedikti XVI, mishëron përsosurisht shpirtin e Kohës së Ardhjes, përplot me dëgjimin e Fjalës së Zotit, me dëshirën e thellë për të bërë vullnetin e Tij, me shërbimin plot gëzim ndaj të afërmit. Prej këndej, inkurajimi për të ecur në gjurmët e Marisë, që Zoti të mos na gjejë të çkujdesur, me portat e zemrave të mbyllura, por në pritje gazmore. Kështu do të mundet t’i zgjerojë, në shpirtin e secilit prej nesh, kufijtë e mbretërisë së Tij, mbretëri e dashurisë, e drejtësisë dhe e paqes.
Pastaj, mendimi e lutja për indianin e Lum Pillai:
“Sot, në Kottar të Indisë, u shpall i lum Devasahayam Pillai, besimtar laik që jetoi në shekullin e 18-të e vdiq martir. Bashkohemi me gëzimin e Kishës në Indi e lutemi që i Lumi i ri ta mbështesë fenë e të krishterëve në këtë vend të madh e fisnik”.
Sot kremtohet Dita Ndërkombëtare kushtuar të drejtave të njerëzve me aftësi të kufizuara e Benedikti XVI kujtoi, me fjalë tepër të qarta, respektin që duhet të gëzojnë në shoqëri:
Çdo njeri, edhe me kufizime fizike e psikike, ndoshta të rënda, është përherë vlerë e paçmuar, e si i tillë duhet vlerësuar”.
Më pas Ati i Shenjtë bëri dy thirrje: një, drejtuar bashkësisë kishtare e një tjetër, botës së politikës:
“Inkurajoj bashkësitë kishtare të jenë të vëmendshme e t’i mikpresin këta vëllezër e motra. I nxis ligjvënësit e qeveritarët të kujdesen për njerëzit me aftësi të kufizuara e t’u krijojnë kushte për të marrë pjesë plotësisht në jetën shoqërore”.
Gjatë përshëndetjeve në gjuhë të ndryshme, Papa i ftoi përsëri besimtarët ta jetojnë pritjen e Jezusit dhe shpresën, që buron nga Ardhja e Zotit, në frymën e Vitit të Fesë.
Në frëngjisht, tërheqja e vëmendjes për të zbuluar lidhjen ndërmjet të vërtetave mbi Lindjen e Krishtit e jetës sonë të përditshme.
Në anglisht, thirrja për të ndjekur shembullin e të Lumit Pillai.
Në spanjisht, ftesa për të bërë vepra të mira, që na afrojnë gjithnjë më shumë tek Krishti.
Në polonisht, porosia për të ndenjur zgjuar, në lutje, që të jemi gati për takimin gazmor me Krishtin, natën e ardhjes së Tij mes nesh;
Në italisht, një kujtim i veçantë gjithë shtegtarëve të pranishëm, posaçërisht grupit të lutjes ‘Misionarët e Rruzares’.E një përshndetje e përzemërt, përfaqësuesve të botës së cirkut, të cilët Ati i Shenjtë pati gëzimin edhe t’i takonte në Sallën e Palit VI, ku dhanë, për nder të Tij, një shfaqje të larmishme e të shumëduartrokitur.







All the contents on this site are copyrighted ©.