2012-12-03 14:44:47

Imzot Tomazi denoncon mungesën e vullnetit politik për të sjellë paqen në Siri, si edhe rrezikun e Sharisë në Egjipt


Gjendja në botën arabe vazhdon ta shqetësojë botën. Shpresat e lindura nga rënia e disa regjimeve diktatoriale po shndërrohen në frikë për islamizimin e rajonit. Në Siri, qeveria vazhdon konsolidimin e pozicioneve të saj përreth Damaskut, por ndërkaq, rritet numri i viktimave. Një autobomë në Homs shkaktoi 40 të vdekur e një tjetër në Damask, 35. Rëndohet edhe gjendja e refugjatëve, siç thekson në mikrofonin tonë, Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë në Zyrën e OKB-së në Gjenevë, imzot Silvano Maria Tomazi:
Flasim për qindra mijëra vetë, që janë detyruar të largohen nga Siria, duke u strehuar në Liban, në Jordani, ose në Turqi e në vendet e tjera fqinjë, për të ikur nga dhuna sistematike, që vazhdon ta martirizojë këtë vend, në qendër të Lindjes së Mesme. Bashkësia ndërkombëtare vetëm flet për këtë gjendje, por akoma nuk ka ndonjë marrëveshje politike, apo vullnet për të gjetur zgjidhjen. Prandaj, përgjegjësia jonë e parë është t’ua bëjmë jetën më njerëzore e më të tolerueshme këtyre personave, të çrrënjosur nga ambienti i tyre. Agjencitë katolike të asistencës janë vënë tashmë në punë së bashku me Komisariatin e Lartë të OKB-së për Refugjatët, por mjetet në dispozicion nuk mjaftojnë. Siç ka thënë edhe Ati i Shenjtë, duhet vullneti për të rifilluar dialogun e për të arritur paqen, duke parandaluar këto katastrofa njerëzore. Përvoja vazhdon të na tregojë se lufta dhe dhuna nuk shërbejnë për asgjë, krijojnë vetëm dhimbje e vuajtje për qindra mijëra njerëz.
Shumë të krishterë kanë frikë se kjo “pranverë arabe” do të shndërrohet në islamizimin e rajonit. Shohim shenja në Egjipt, për shembull, ku Sharia ka hyrë në Kushtetutë. Gjykata e Lartë në Kajro vazhdon grevën derisa – siç thonë gjykatësit - të mos ndalen “presionet psikologjike dhe materiale” të lëvizjeve islamike. Nga ana e tij, presidenti Morsi ka shpallur 15 dhjetorin si ditë e referendumit për Kushtetutën. Komenti juaj?
Shpresa e madhe, që zgjoi e ashtuquajtura “pranverë arabe” është e brishtë në këtë çast. Disa përpiqen t’i mbështesin vendet e Afrikës së Veriut e të Lindjes së Mesme për ndërtimin e shoqërive më tolerante e më demokratike, me identitetin e tyre historik, por pa u imponuar, si në sferën laike, ashtu edhe në atë fetare. Nga ana tjetër, duket se ekziston prirja për t’u mbyllur, si të thuash, për t’i tradhtuar shpresat e të rinjve, që u ngritën në protesta. Në Egjipt, duke e imponuar Sharinë si parim legjislacioni shkohet kundër shpresave të të krishterëve koptë, që përbëjnë 10% të popullsisë e, kundër miliona myslimanëve, që duan një shoqëri më tolerante.







All the contents on this site are copyrighted ©.