2012-12-03 10:21:45

Benedikti XVI tha Lutjet e para Mbrëmësore të Ardhjes me të rinjtë universitarë


Benedikti XVI pati një ditë të ngarkuar me veprimtari. Pasdite, në orën 17.30, Bazilika e Shën Pjetrit në Vatikan u mbush plot e përplot me të rinjtë e Universiteteve Papnore Romake, por edhe me studentë të tjerë, të cilët morën pjesë në kremtimin e Mbrëmësoreve të para të Kohës së Ardhjes. Homelia e Atit të Shenjtë u përqendrua pikërisht në pritjen e Krishtit. Benedikti XVI përdori për herë të parë shkopin e ri baritor, që i ka dhuruar Rrethi i Shën Pjetrit. Në majë të tij, mund të shihet një kryq, pasqyrë moderne e atij që pati përdorur i Lumi Piu IX e që Papa e ka përdorur deri tani, në ndryshim nga kryqi me të Kryqëzuarin, të Gjon Palit II.
Në qendër, monograma e Krishtit nga njëra anë dhe qingji i Pashkëve nga ana tjetër; katër ungjilltarët në skaj të krahëve, ndërsa mbrapa, katër dijetarë të Kishës: shën Ambrozi, shën Augustini, shën Athanasi e shën Gjon Gojarti. Simbolika është e qartë: Krishti në qendër, Krishti – qingj i Pashkëve i vdekur e i ngjallur, dëshmuar nga Shkrimi i Shenjtë (ungjilltarët) dhe nga Tradita e Kishës (shenjtorët dijetarë). Një përmbledhje teologjie në një vepër arti. Pikërisht, atë që uronte Benedikti XVI, para pak kohësh, në takimin me artistët në Kapelën Sikstine.







All the contents on this site are copyrighted ©.