2012-11-30 16:04:56

Sinodi i Ipeshkvijve: dëshmitarë të besueshën e gjuhë të reja për ungjillëzimin e ri.


Përballë sfidave të ungjillëzimit të ri, në klimën aktuale kulturore e morale të shekullarizmit e të agnosticizmit, kërkohet dinamizëm i ri i bashkësive kishtare, gjuhë të reja e mjete të reja e, mbi të gjitha, dëshmitarë të besueshëm. Kjo nënvizohet në një komunikatë, botuar në përfundim të Këshillit XIII të zakonshëm të Sekretarisë së përgjithshme të Sinodit të ipeshkvijve, mbajtur më 26 nëntorin e kaluar.
Në fillim të takimit, sekretari i përgjithshëm i Sinodit të ipeshkvijve, imzot Nikola Eteroviç, analizoi me hollësi argumentet më emergjente të Propozimeve, që dolën nga Asambleja XIII sinodale, kushtuar ungjillëzimit të ri. Më pas takimi vijoi me diskutime, të cilat e pasuruan me elemente të reja materialin, që do t’i dorëzohet për shqyrtim Papës, në shërbim të hartimit të Nxitjes së tij pas-sinodale.
Është e nevojshme, u nënvizua, që familja, famullia, shkolla ta rifillojnë me urgjencë të veçantë impenjimin e tyre për thellimin e edukimit fetar të besimtarëve. Kisha beson se, falë këtij bashkëpunimi, misioni i saj ungjillëzues do të ketë një shtytje të re, përmes kumtimit, sakramenteve të para të fesë së krishterë, liturgjisë, shenjtërisë së jetës. Kisha e zhvillon sot veprimtarinë e përtëritjes së kumtimit, përmes të gjitha subjekteve përgjegjëse, barinjve e besimtarve laikë. E Ungjilli që kumton, pohohet, e përfshin njeriun në tërësi e i përket çdo njeriu: të pagëzuarve, besimtarëve të larguar nga praktika kishtare e fesë, jo besimtarëve, indiferentëve, besimtarëve të konfesioneve të tjera të krishtera e edhe të feve të tjera, sipas mandatit të Zotit të ngjallur. Takimi i ardhshëm do të mbahet më 23 e 24 janar 2013.







All the contents on this site are copyrighted ©.