2012-11-30 13:44:30

Papa ipeshkvijve francezë: të përballohet urgjent padituria fetare


Ungjillëzimi i ri do të jetë vërtetë frytdhënës, në se do të mund t’i kundërvihet paditurisë së fesë: këtë pohoi Benedikti XVI në audiencën me grupin e fundit të ipeshkvijve francezë, në vizitë ‘ad Limina’, pritur sot paradite në Vatikan. Papa vuri theksin posaçërisht mbi rolin e laikëve e, sidomos, të të rinjve, për t’i dhënë gjallëri e shpresë të re të krishterë, Francës e Evropës. Së fundi, uroi të lindin thirrje të reja meshtarake.

Një nga problemet më të rënda të epokës sonë, tha Benedikti XVI, është injoranca fetare, në të cilën jetojnë shumë njerëz, duke përfshirë edhe besimtarët e fesë katolike. E kjo situatë, vërejti Papa, duhet përballuar vendosmërisht, siç u pohua edhe në Sinodin kushtuar ungjillëzimit të ri:
“Il s’agit en realité d’une double ignorance…”
Është fjala, vuri në dukje Ati i Shenjtë, për injorancë të dyfishtë, që ka të bëjë me njohjen e përciptë të Vetjes së Jezu Krishtit, e me mosnjohjen e madhështisë së mësimeve të Tij, me vlerë universale për njeriun në kërkim të së vërtetës e të së mirës. Kjo injorancë, vërejti Benedikti XVI, ndikon posaçërisht mbi brezin e ri, duke e bërë të paaftë për të kuptuar historinë e për ta ndjerë veten trashëgimtar i kësaj tradite, që formoi jetën, shoqërinë, artin e kulturën evropiane. Kujtoi, më pas, se jemi në vijim të Vitit të Fesë e të impenjimit për ungjillëzimin e ri, rast shumë i përshtatshëm për të përtërirë dëshminë në fe. Lutja e aksioni, shtoi, janë mjetet që Shëlbuesi ynë na kërkon t’i përdorim edhe sot e kësaj dite:
“La nouvelle évangélisation sera efficace…”
Ungjillëzimi i ri, pohoi Papa, do të jetë i frytshëm, në se do t’i aktivizojë thellësisht bashkësitë famullitare. E në vijim nënvizoi se shenjat e gjallërisë dhe të impenjimit të besimtarëve laikë në shoqërinë franceze, janë tashmë realitet inkurajues. Laikët, së bashku me ipeshkvijtë e meshtarët, janë protagonistët e jetës së Kishës e të misionit të saj ungjillëzues. Laikët, tha në vijim Benedikti XVI, janë fytyra e botës në Kishë, por edhe fytyra e Kishës në botë:
“L’Eglise en Europe et en France ne peut rester…”
Kisha në Evropë e në Francë, vërejti më pas Ati i Shenjtë, nuk mund të shikojë me indiferencë pakësimin e thirrjeve dhe të shugurimeve meshtarake. Është urgjente, prandaj, të mobilizohen të gjitha energjitë, që të rinjtë të fitojnë aftësinë për ta dëgjuar zërin e Zotit.
Më pas Papa vuri theksin edhe mbi impenjimin e familjeve dhe të bashkësive të zellshme, truall posaçërisht i favorshëm për thirrjet. Kujtoi edhe të rinjtë, shpresë e ardhmëri e Kishës në botë, duke vënë posaçërisht në dukje rolin e edukimit katolik. Detyrë e admirueshme, tha, ndonëse shpesh e vështirë, që u krijon të rinjve mundësitë për t’i përvetësuar vlerat humane e kristiane, të cilat u prijnë në rrugën e së vërtetës, të së mirës, të së bukurës. Institutet katolike, vijoi, janë në radhët e para të përpjekjeve për favorizimin e dialogut ndërmjet fesë e kulturës. Në rrethana të tilla, lavdëroi nismën e disa dioqezeve për të promovuar studimin teologjik të të rinjve.
“La théologie est une source de sagesse…”
Teologjia, tha Papa, është burim dije e gëzimi, që nuk mund të shfrytëzohet vetëm nga seminaristët, meshtarët e rregulltarët. Në se i propozohet shumicës të të rinjve e të të rriturve, do t’i përforcojë në fe e do t’i bëjë, pa dyshim, apostuj të guximshëm e bindës.







All the contents on this site are copyrighted ©.