Me 30 nëntor 2007 botohej Enciklika 'Spe salvi' - 'Me shpresën shpëtuam'.
Si sot, më 30 nëntor 2007, botohej enciklika e dytë e Papës Benediktit XVI
“Spe salvi” mbi shpresën e krishtërë. Në këtë dokument magjistral, Papa Jozef Ratcinger
ndalohet në mënyrë të veçantë tek natyra e vërtetë e shpresës së krishterë. Është
shpresë e ushqyer nga besimi në Zotin dashuri e që, pikërisht për arsye të kësaj zanafille,
nuk është kurrë individualistike, por gjithnjë plot vëmendje ndaj të afërmit. Benedikti
XVI frymëzohet nga një fragment i Letrës së Shën Palit drejtuar Romakëve (Rm 8,24),
ku Apostulli pohon “në shpresë kemi qenë shëlbuar edhe ne”, për të zhvilluar
reflektimin e tij mbi fiziononimë e shpresës së krishterë. E nënvizon sidomos lidhjen
e saj të ngushtë me fenë. Fjala ‘shpresë’ lidhet ngushtë me fjalën fe - shpjegon Papa
- duke shtuar se kjo dhuratë ia ndryshon krejtësisht jetën atij që e merr. Por ku
e si mund ta gjejmë këtë shpresë, që shndërron? Benedikti XVI e shpjegon në lutjen
e Engjëllit të Tënzot të datës 2 dhjetor 2007: “Shpresa qëndron në njohjen
e Zotit, në zbulimin e zemrës së tij prej Ati të mirë e të mëshirshëm. Jezusi, me
vdekjen në kryq e me ngjalljen, na e zbuloi fytyrën e Tij, fytyrën e Hyjit, që ka
një dashuri aq të madhe, sa të na transmetojë shpresën e patundshme, të cilën nuk
mund ta mposhtë as vdekja, sepse kush ia beson jetën e vet këtij Ati, do të jetojë
në lumninë e amshuar”. Një shpresë në të cilën mund të besojmë, pra, për
të cilën njeriu ka nevojë edhe në kohët e zhvillimit të vrullshëm teknologjik: “Zhvillimi
i shkencës moderne - shpjegon Papa – i kufizon gjithnjë më shumë
fenë dhe shpresën në sferën private dhe individuale, kështu që sot shihet gjithnjë
më qartë e nganjëherë edhe në mënyrë dramatike, se njeriu dhe bota kanë nevojë të
madhe për Hyjin, Hyjin e vërtetë, përndryshe mbeten krejt pa shpresë”. Shpresa
– pohon Ati i Shenjtë Racinger – pa dyshim kontribuon shumë për të mirën e njerëzimit,
por nuk është në gjendje ta shpëtojë. Njeriun e shpëton dashuria, që e bën të mirë
e të bukur jetën personale e shoqërore:
“Prandaj shpresa e madhe, e plota
e përfundimtarja, sigurohet nga Hyji, që në Jezusin na vizitoi e na dha jetë e në
Të do të kthehet në mbarim të kohëve. Në Krishtin shpresojmë, Atë presim!”.