2012-11-30 17:34:05

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së I të Ardhjes “C”


Rrini zgjuar dhe lutuni në çdo moment. Të nderuar miq të Radio Vatikanit, ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës. Kësaj herët do të dëgjojmë dhe meditojmë së bashku leximet biblike të dielës së Parë të kohës kishtare të Ardhjes, të ciklit të tretë, sipas kalendarit liturgjik.
Pra, me këtë të diele të parë të Ardhjes fillojmë Vitin e Ri liturgjik kishtar. Siç dihet, kalendari i Kishës nuk përkon me kalendarin civil; dhe ndërsa kalendari civil i referohet diellit, ai liturgjik kishtar e përshkon jetën dhe veprën e Jezu Krishtit, Zot e Shëlbues. Etapa e parë e kësaj udhe shpirtërore është Krishtlindja, ngjarje tejet e rëndësishme, madje vendimtare për të cilën përgatitemi shpirtërisht për katër javë me radhë, që janë pikërisht të katër të dielat e Ardhjes.
Po pse çdo vit përshkohet e njëjta rrugë, duke përkujtuar të njëjtat ngjarje? Le të provojmë ta kuptojmë psehin. Çka është festa e ditëlindjes? Pse e kremtojmë për çdo vit? A thua gjithmonë është po e njëjta gjë? Jo. Sepse prej një viti në tjetër ne personalisht përparojmë e rritemi, e shpresojë jo vetëm në lartësi, por edhe në inteligjencë, në urtësi, në mirësi, në shumë sende të bukura, në miqësi me Jezusin e me të tjerët, në dashuri e në respekt me çdo njeri që takojmë gjatë jetës sonë të përditshme.
Të kremtosh ditëlindjen, në njërën anë do të thotë të rifillosh nga fillimi, duke përkujtuar rritjen dhe përparimin personal; po në anën tjetër ditëlindja nuk është vetëm përkujtim, pse ne vazhdojmë të jetojmë duke përparuar, duke u rritur e duke vijuar udhën e jetës.
E njëjta gjë ndodhë për fëmijët dhe të rinjtë në shkollë, si dhe për të rriturit në punë. Çdo vit duket se rifillojmë nga e para, nga fillimi, mirëpo në realitet ne ecim gjithnjë më përpara e nuk kthehemi assesi mbrapa, pse çdo ditë diçka të re ne përjetojmë, mësojmë, njohim, thellojmë dhe shijojmë etj.
Kështu ndodhë, apo do të duhej të ndodhte edhe në ripërshkimin e jetës dhe të veprës së Jezu Krishtit. Çdo vit e njohim Atë më mirë, më nga afër, çdo vit dashuria jonë ndaj Tij rritet, e Jezusi përherë më tepër mund të na japë gëzimin e vet dhe ndihmën e vet Hyjnore. Kështu pra, mund të kuptojmë se pse gjëja më e bukur është takimi ynë me Të dhe ta kemi Atë si mikun tonë; e mos të harrojmë se jeta njerëzore bëhet e bukur kur i ndihmon të tjerët, kur i gëzon të tjerët, duke u nisur nga ata që janë në shtëpi e në familje; pra duhet ti duam të gjithë njerëzit pa bërë dallime e përjashtime, duhet ndihmuar sidomos ata që kanë më tepër vështirësi, që të bëhen më të mirë.
Duke filluar kohën liturgjike të Ardhjes, Kisha na thotë: “Zoti po vjen; është koha të zgjohemi”. E këtë na përsërit për katër javë me radhë. Shpresojmë të mos përfundojmë porsi shtatore, si trupore të shpellës së Betlehemit të përgjumshme, sepse nëse nuk jemi të zgjuar, rrezikojmë mos ta hetojmë ardhjen e Mesisë, rrezikojmë mos ta marrim vesh as ngjarjen se Jezu Krishti ka lind, se Hyji është Mishëruar, se Ai është Emanueli – që do të thotë ‘Zoti-me-ne’.
Jezusi jo vetëm që një ditë para shumë vitesh ka ardhur në mesin e njerëzve , por Ai për ne vjen çdo ditë në ata njerëz që jetojnë fare pranë nesh apo që Zoti na bën ti takojmë kur do të vijë në mbarimin e kohërave (Ungjilli i kësaj së diele) për të na sjell me vete përgjithmonë në gëzimin e parajsës qiellore, nëse jemi munduar në çdo rrethanë të jetojmë miqësinë me Të.
Kështu pra, leximet biblike të dielës së parë të kohës së Ardhjes na thërrasin ti dalim Zotit përpara në takim me besim, me gëzim dhe me impenjim. Tani ti dëgjojmë leximet biblike të liturgjisë Hyjnore e pastaj homelinë.
Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë Jer 33, 14-16
Premtimet që Hyji u ka bërë njerëzve nëpërmjet Abrahamit, Jakobit dhe Davidit do të realizohen, sepse Hyji është besnik. Do të bëjë të lindë një farë, nga e cila do të lulëzojë një mbretëri drejtësie dhe paqeje; një farë që është shkruar të vdesë e pastaj të ringjallet.
Historia e re e botës ku paqja dhe drejtësia mbretërojnë e ka origjinën nga Krishti.

Lexim prej Librit të Jeremisë profet
Ja, po vijnë ditë - është shpallje e Zotit – e do ta çoj në vend fjalën e mirë që ia premtova shtëpisë së Izraelit e shtëpisë së Judës. Në ato ditë e po në atë kohë, do të bëj të ngallitë për Davidin një pinjoll drejtësie. Ai do ta çojë në vend të drejtën e drejtësinë mbi tokë. Ndër ato ditë Juda do të shpëtojë e Jerusalemi do të banojë në siguri. Dhe ja, emri me të cilin do të quhet qyteti: ‘Zoti është Drejtësia jonë’. Fjala e Zotit.

Psalmi 25

Tek ti, o Zot, e lartësoj shpirtin tim.
----------
Bëj t’i njoh, o Zot, udhët e tua
e m’i mëso shtigjet e tua.
Më drejto me të vërtetën tënde dhe më mëso,
sepse ti je Hyji im, Shëlbuesi im.
----------
I ëmbël e i drejtë është Zoti,
mëkatarët i kthen në udhë të drejtë,
të përvujtëve u prin në drejtësi,
të butëve ua mëson udhën e vet.
----------
Të gjitha udhët e Zotit janë mëshirë dhe e vërtetë
për ata që mbajnë Besëlidhjen e tij e urdhërimet.
Miqësisht sillet Zoti me ata që e druajnë,
për t’ua njoftuar Besëlidhjen e vet.
----------

Leximi i dytë 1 Sel 3, 12.13 - 4, 2
Pali na kujton se, deri në momentin e ardhjes së Krishtit, angazhimi i besimtarëve është që të rriten nën dijen e Hyjit dhe në dashurinë ndaj vëllezërve. Krishti ka realizuar besëlidhjen e tij me njerëzimin nëpërmjet dashurisë ndaj Atit dhe ndaj njerëzve. Paqja dhe drejtësia marrin kuptim dhe plotësi kur ashtu si Krishti heqim dorë nga vetja për të rilindur në Atin dhe në vëllezërit.

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Selanikasve

Vëllezër, bëftë Zoti që të rritet e të shtohet përherë e më tepër dashuria juaj ndaj njëri-tjetrit dhe ndaj të gjithë njerëzve siç është dashuria jonë ndaj juve! Ai i forcoftë zemrat tuaja në shenjtëri të patëmetë para Hyjit dhe atit tonë për ardhjen e Zotit tonë Jezusit me të gjithë shenjtërit e tij. Mandej, vëllezër, ju lutemi ngrohtësisht dhe ju përbejmë në Zotin Jezus që, sikurse mësuat prej nesh si duhet të jetoni për t’i pëlqyer Hyjit, ashtu edhe jetoni që të përparoni edhe më tepër. Patjetër i dini urdhërimet që ju kemi dhënë prej anës së Zotit Jezus. Fjala e Zotit.

Ungjilli Lk 21, 25-28.34-36
Jezusi nuk do të na frikëson, madje do të na japë një kuptim të vërtetë për të gjitha tragjeditë njerëzore. Na mëson të kultivojmë një shpresë përtej historisë sonë, të rrimë zgjuar për të mos jetuar kot një jetë sipërfaqësore: duke na çliruar nga moskuptimi dhe ankthi i kësaj jetë. Na fton të shikojmë në thellësi ngjarjet e ndryshme dhe të bëjmë të mundur me angazhimin tonë drejtësinë e Hyjit që tani.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Do të ketë shenja në diell, në hënë e në yje. Mbi tokë popujt do të gjenden ngushtë, të tmerruar prej gjëmës së detit e prej valëve të tija. Njerëzve do t’u dalë shpirti prej frikës dhe pritjes ç’do të ndodhë me botën, sepse trupat qiellorë do të lëkunden e atëherë do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi re me fuqi të madhe e me madhëri.
Kur të fillojnë të ndodhin këto, drejtohuni dhe çojeni kryet lart dhe dijeni se është afër çlirimi juaj! Kini kujdes veten që zemrat tuaja të mos kalamenden prej grykësisë, prej shfrenime e prej kujdeseve të jetës që ajo ditë të mos ju vijë papritmas, sepse ajo ditë do të vijë porsi kurth mbi të gjithë banorët e tokës mbarë. Prandaj, rrini zgjuar e lutuni në çdo moment që të mund t’u shpëtoni të gjitha këtyre që do të ndodhin e të mund të qëndroni para Birit të njeriut.” Fjala e Zotit.
Më shumë mbi programin tonë kushtuar Liturgjisë së Fjalës së Zotit të dielës së parë të Ardhjes, mund të dëgjoni këtu...............RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.