2012-11-30 17:35:54

Kishat Evropiane dhe emigrantët: politika “bashkimi” për emigracionin në Evropë


40 delegatë nga Konferencat Ipeshkvnore të Evropës u mblodhën në Romë nga 27 deri më 29 nëntor për të diskutuar mbi temën “Emigrantët: protagonistë të ungjillëzimit të ri”. Fjala kryesore, që doli edhe nga rezoluta përfundimtare, nuk është thjesht “integrim”, por shkon edhe më tej. Përgjegjësit e baritorisë për emigrantët theksuan se puna me e për emigrantët në Evropë kalon para së gjithash, përmes një rruge “bashkimi”, që kërkon “ndryshimin” e sjelljes e të perspektivës si nga ana e emigrantëve, ashtu edhe nga ana e vendit që i pret. Pra jo thjesht “integrim”, por “bashkim” e “ndryshim”.
Përfundimet e takimit u paraqitën nga kryeipeshkvi i Zagrebit, kardinali Josip Bozaniç, i cili theksoi se pikërisht “bashkimi” është kontributi i veçantë, që mund të japë Kisha, në procesin e vështirë të integrimit të emigrantëve në vendet evropiane. Nga Shqipëria, misionari italian, atë Xhovani Peraxhine, kryetar i Konfederatës së Eprorëve të Evropës, vuri në dukje “problemin e atyre, që mbeten në atdhe, të familjeve të braktisura nga të rinjtë, që emigrojnë në kërkim të një jete më të mirë. Duhet që Kisha të mendojë për një shërbim të veçantë për ata, që mbeten në shtëpi, në gjendje të vështirë e pa ndihmë”, tha ai.







All the contents on this site are copyrighted ©.