2012-11-30 16:17:04

Festa e Shën Andreut. Papa, Patrikut Bartolomeu I: të mos i humbasim besimtarët për shkak të ndarjeve.


“Të ecim përpara me besim, në shtegun që çon kah ribashkimi i plotë”. Ky është urimi, që Benedikti XVI i bën Patrikut Ekumenik Bartolomeu I, në një mesazh me rastin e festës së Shën Andreut. Duke kujtuar marrëdhëniet ndërmjet Kishës së Romës e Patriarkanës së Kostandinopojës, që parashikojnë edhe një shkëmbim delegacionesh për Festat e Pajtorëve të të dyja palëve, Shën Pjetrit e Palit për Romën, Shën Andreut, për Kostandinopojën, Papa thekson se në këtë rrugë, falë ndihmës së vazhdueshme dhe aktive të Bartolomeut I, janë bërë shumë hapa përpara. Edhe pse udha, që duhet bërë akoma, duket ende e gjatë dhe e vështirë, ajo që mbetet e pandryshueshme, është dëshira jonë për të vijuar ecjen në këtë drejtim, shkruan Benedikti XVI.
Në kuadrin e shkëmbimit të delegacioneve për festat përkatëse të Shën Pjetrit e Palit e të Shën Andreut, sot, më 30 nëntor, një delegacion i Selisë së Shenjtë është i pranishëm në kremtimet e Kostandinopojës. Sivjet e kryeson kardinali Kurt Koch, kryetar i Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve. Kardinali Koch shoqërohet nga ipeshkvi Brian Farell, sekretar i Dikasterit dhe nga imzot Andre Palmieri, zëvendës-sekretar, të shoqëruar edhe nga nunci apostolik në Turqi, kryeipeshkvi Antonio Lucibello,
Delegacioni i Selisë së Shenjtë mori pjesë në liturgjinë solemne, kryesuar nga Bartolomeu I në Kishën patriarkale të Fanarit, u takua me Patrikun dhe bisedoi me Komisionin sinodal, që ndjek lidhjet me Kishën katolike.Kardinali Koch i dorëzoi Patrikut Ekumenik mesazhin e shkruar me dorën e vetë Benediktit XVI, lexuar në përfundim të Liturgjisë Hyjnore, shoqëruar edhe me një dhuratë.







All the contents on this site are copyrighted ©.