2012-11-29 15:37:08

Çelësi i fjalëve të Kishës: Besojma e krishterë, pjesa e pestë


Të dashur dëgjues, kemi arritur në emisionin e 166-të të rubrikës “Çelësi i fjalëve të Kishës”, me të cilën përpiqemi të shpjegojmë kuptimin e gjuhës, që përdorin të krishterët në përgjithësi. Kemi filluar tashmë prej kohësh, shpjegimin e “Besojmës” së fesë, duke arritur në çastin kur ky simbol flet për ardhjen e Birit të Hyjit, Jezu Krishtit, në fundin të gjitha kohrave. Pra thotë:

Jezusi erdhi ndër ne për herë të parë, duke lindur në Betlehem. Erdhi si “i butë e i përvujtë”, na sqaron Ungjilli, por mbolli gjithandej Fjalën e Zotit për njerëzimin. Do të vijë një herë të dytë, përfundimtare, për të “korrur” atë, që mbolli. Kështu na ka thënë Ai vetë e shpesh u shpjegonte dishepujve, me anë të shembëlltyrave, se njeriu duhet të japë fryte, duhet t’i verë në punë talentet, që Zoti i ka dhuruar, duhet të kuptojë më shumë e të rritet si kokrra e sinapit, rënë në tokë. E kur të vijë, Jezusi do të na duket, ashtu siç është vërtet: Biri i të Tejetlartit, Ai, që qëndron në të djathtën e Atit Qiellor, prandaj Besojma thotë se “do të vijë në lavdi”.

Kush e ka parë Kapelën Sikstine në Vatikan, e cila mbushi 500 vjet, e kujton si Mikelanxhelo e paraqet Jezusin, gjykatës në fundin e kohrave. E mendoni se skena e famshme e “Gjykimit të Mbramë” është vetëm përfytyrim artistik! Në të vërtetë, mund të jetë edhe më shumë, pasi Jezu Krishti është vërtet Zoti i botës. A duhet të kemi frikë nga ky gjykim? Jo, nëse kemi ndjekur këshillat, që vetë Jezusi na ka dhënë e që mund t’i lexojmë në Ungjill. Ai, Ungjilli, është metri i gjykimit. E dimë… mjafton ta jetojmë. E Kisha na thotë se do të gjykohen të gjallët e të vdekurit, në një çast që nuk e dimë kur do të vijë, për të cilin Jezusi na pati thënë se nuk e di as Ai, por vetëm Ati Qiellor. Mendoni miliarda njerëz para fronit të Hyjit…

Kjo frazë përmban krejt shpresën e krishterë. Mbretëria e Zotit, Mbretëria e dashurisë, e drejtësisë dhe e paqes, do të shtrihet përgjithmonë, në të gjithë botën. Janë të lum, ata që punojnë e jetojnë për këtë Mbretëri, por ç’kuptim ka jeta për ata, që s’presin asgjë pas vdekjes?
Më pas, në “Besojmë” hyn Vetja e tretë e Trinisë Shenjte, Shpirti i Shenjtë, për të cilin do t’ju flasim në emisionin e ardhshëm.








All the contents on this site are copyrighted ©.