2012-11-29 15:32:52

Uria – dështim i shoqërisë “së qytetëruar”


Bota reflekton gjithnjë e më shumë para “shkandullit” të mohimit të së drejtës themelore të njerëzimit për të pasur ushqim të mjaftueshëm për jetën. Statistika të organizmave ndërkombëtare si Organizata Botërore e Ushqimit tregojnë se gati një miliard vetë në të gjithë planetin, vuajnë nga uria.
Drama botërore e urisë është e turpshme. Gjendja, në të cilën ka arritur i ashtuquajturi “Qytetërim Modern”, vë në pah pa mëshirë humnerat e shumta, që ky qytetërim i ka hapur me duart e veta. Një nga këto, “kafshatë që s’kapërdihet”, është uria, e cila vret çdo ditë mijëra njerëz. Botë kontrastesh ndërmjet lluksit dhe plehrave, ndërmjet pasurisë pa fund e mjerimit!
Po përse uria nuk çrrënjoset? Pyetje e ligjshme! Uria nuk vjen nga mungesa e prodhimit të ushqimeve, por nga shpërndarja e keqe e pasurive, kryesisht në vendet më pak të zhvilluara, në të cilat kapitali përqendrohet në duart e pak vetëve, në dëm të shumicës. Lakmia e pak njerëzve nëpërkëmb dëshirën e shumicës për të pasur një jetë dinjitoze. Po të shohësh të dhënat ndërkombëtare, për ironi të fatit, shpenzohet më shumë në fushatat kundër obezitetit, se sa në ato kundër urisë.
Para së gjithash, uria vjen nga varfëria. Uria është e pranishme në të gjitha vendet e madje, edhe në Evropë, si në Lindje, ashtu edhe në Perëndim. E megjithatë, historia e shekullit XX na mëson se varfëria ekonomike nuk është fatalitet. Ndodh që shumë vende të zhvillohen ekonomikisht e të vazhdojnë në këtë rrugë, ndërsa të tjerë, në të kundërt, kthehen mbrapsht ekonomikisht, viktima të politikave kombëtare o ndërkombëtare, bazuar mbi premtimet e rreme.
Të flasësh për urinë nuk do të thotë të flasësh thjesht për një fenomen të natyrshëm, që ka shkaqe shoqërore, ekonomike dhe politike. Do të thotë të flasësh për një tragjedi globale, që mund të shmanget.
Çdo 3,6 sekonda, një njeri vdes nga uria në botë. Në një ditë, bëhen 24 mijë njerëz. Shumica, fëmijë të paushqyer. E pra, bota prodhon më shumë ushqime nga sa duhen për të mbajtur gjallë të gjithë banorët e planetit! Si është e mundur? Çdo ditë, organizata si Karitasi i bëjnë të njohur botës raste njerëzish, që vuajnë nga uria. Vetëm në zonën e Sahelit, në jug të Saharës, 18 milion vetë vuajnë nga uria.
Janë shifra që i ulërijnë ndërgjegjes, që kumbojnë fuqishëm në një shoqëri të stërpasur, e cila hedh në plehrat e saj të përditshme jetën e miliona njerëzve, u mohon copën e bukës, gotën e qumështit, pjatën me supë, atyre që, me to, mund të jetojnë një ditë më shumë. Vetëm ata, që e kanë jetuar dhe e jetojnë trishtimin e jashtëzakonshëm të urisë, të pjatës bosh, të mungesës së shpresës, mund ta kuptojnë se në fund të këtij tuneli, drita mund të ndizet vetëm me anë të solidaritetit, me anë të bashkëndarjes, me anë të interesit për tjetrin, me anë të fundit të egoizmit.
Çdo qënie njerëzore ka të drejtë të ushqehet, të jetojë. Nga kjo e drejtë lindin dhe përvijohen detyrat e nevojat e politikave, që ndihmojnë zhvillimin e një bujqësie të qëndrueshme, që luftojnë me koherencë varfërinë dhe urinë. Duhet t’u japim njerëzve mundësinë t’i kenë ushqimet që u duhen, përmes tregtisë së barabartë e të mirëadministruar, pa spekullime. Një botë pa uri, me njerëz të ushqyer mirë, është e mundur.
Zërat e të uriturve, fatkeqësisht, nuk i llogarit njeri e, me çdo lloj mënyre, britma e kësaj ushtrie të dëshpëruarish mbytet sapo del nga gurmazi. “Jemi në krizë ekonomike, kemi problemet e klimës, që i shtojnë çmimet”: ja, disa nga argumentimet.
Por çmenduria më e madhe është se njerëzit vuajnë nga uria sidomos në rajonet, ku prodhohen ushqimet, që më pas konsumohen nga e gjithë bota. Në fshatra, ku njerëzit jetojnë me një copë tokë të familjes e nuk mund t’i mbrojnë interesat e tyre para institucioneve ekonomike shumëkombëshe. Kjo mori e madhe, e heshtur, në vendet në zhvillim, paguan çmimin e lakmisë së një sistemi ekonomik, që ka si qëllim të vetëm, fitimin.
Gati 40 vjet më parë, Sekretari i atëhershëm i Shtetit amerikan, Henry Kissinger, në një konferencë mbi ushqimin, pati premtuar: “Pas dhjetë vjetësh, asnjë fëmijë nuk do të shkojë më në shtrat i uritur”. Por sot, fëmijët akoma vdesin nga uria.
Është i nevojshëm impenjimi i të gjithëve për të ndryshuar gjendjen e miliona njerëzve. Vendet e pasura, të fuqshmit e kësaj toke duhet të japin kontributin e tyre. Ndoshta, kështu, popullsitë afrikane, aziatike, amerikanolatine, mund të kenë kushte më të mira jetese.
Dëgjues i nderuar, që nga çasti, që ke filluar të lexosh këtë reflektim, në pesë minutat e fundit, 83 vetë kanë vdekur në botë nga uria. Dëshmi e vërtetë për dështimin e kësaj “shoqërisë sonë të qytetëruar”, të paktën, përsa i përket njeriut, që shtrin dorën pa marrë gjë prej gjëje.

“Kafshatë që s'kapërdihet asht, or vlla, mjerimi,
kafshatë që të mbetë në fyt edhe të ze trishtimi
kur shef ftyra të zbeta edhe sy të jeshilta
që të shikojnë si hije dhe shtrijnë duert e mpita
edhe ashtu të shtrime mbrapa teje mbesin
të tanë jetën e vet derisa të vdesin”.
(Migjeni)








All the contents on this site are copyrighted ©.