Haga shpall të pafajshëm Haradinaj, Balaj dhe Brahimaj
Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi me seli në Hagë, ka liruar
nga të gjitha akuzat ish-luftëtarët e UÇK-së - Ramush Haradinaj, për të dytën herë,
Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj. Vendimi i rigjykimit të pjesshëm që zhvillohej me akuzën
për “vrasje, torturë dhe trajtim mizor, si krime që bien ndesh me ligjet dhe zakonet
e luftës” u lexua nga gjykatësi i rastit, Bakone Justice Moloto. Ky lajm në Prishtinë
u festua me fishekzjarrë, sikur edhe në Deçan e qytete të tjera Kosovës. Presidentja
e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe Kryeministri Hashim Thaçi kanë mirëpritur vendimin
e Gjykatës Ndërkombëtare për Krime lufte në ish-Jugosllavi që shpalli të pafajshëm
ish-kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj. Përmes një deklarate me shkrim Presidentja
Jahjaga shpreh kënaqësinë që Haradinaj po i kthehet familjes së tij, qytetarëve të
Kosovës dhe vendit për të vazhduar të japë kontributin e tij në konsolidimin dhe forcimin
e proceseve demokratike nëpër të cilat po kalon vendi. “Vendimi i sotëm i Tribunalit
të Hagës për zotëri Haradinajn dhe ish-bashkëluftëtarët e tij Lahi Brahimaj dhe Idriz
Balaj, është edhe një dëshmi se lufta jonë e drejtë dhe prijësit e luftës tonë çlirimtare
nuk janë fajtorë për krimet që u janë mveshur”. Presidentja e Kosovës njëherit
përgëzon qytetarët e Kosovës për bashkëpunimin me Tribunalin e Hagës në përpjekje
për të kërkuar drejtësi për krimet e luftës të kryera në Kosovë dhe durimin e tyre
gjatë kësaj periudhe. Kryeministri Thaçi uron të gjithë qytetarët e Kosovës për
këtë fitore të shumë pritur dhe fton ata që të festojnë këtë moment me dinjitet dhe
krenari. Thaçi rithekson se lufta për liri dhe pavarësi ka qenë e drejtë dhe e shenjtë.
Kjo u vërtetua nga Tribunali Ndërkombëtar i Hagës sot, dhe do të dëshmohet përsëri
me rastin e Fatmir Limajt dhe bashkëluftëtarëve të tij, theksoi ai.
Nga
Serbia, zëdhënësi i Qeverisë së Beogradit, Millivoje Mihajlloviq, deklaroi se
vendimi i Gjykatës së Hagës për të liruar ish-komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të
Kosovës, Ramush Haradinaj, Idriz Balaj dhe Lah Brahimaj, “është i turpshëm”. “Kjo
është një goditje e rëndë për drejtësinë dhe një pengesë serioze për vazhdimin e dialogut
ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, ka thënë Mihajlloviq për mediat serbe. Sipas
tij, me këtë vendim “do të zhgënjehen të gjithë ata që mendojnë se do të ketë pajtim
në rajon”. Haradinaj, Balaj dhe Brahimaj janë rigjykuar pjesërisht nën akuzën për
“trajtim mizor, torturim dhe vrasje të të burgosurve” në atë që quhej kampi ushtarak
i Jabllanicës, më 1998”.