2012-11-28 15:21:43

Ty, o Zojë, ta besojmë Kombin tonë!


O Zojë e Bekuar, o Nënë e Shenjtë
që solle në dritë Mbretin e lavdisë së amshuar
e, pasi e ndoqe me besnikëri deri në Kalvar
prite zemërdridhur ngjalljen e Tij,
ktheji sytë e tu kah Shqipëria jonë e dashur,
që mbart mbi vete trashëgiminë e madhërueshme
të shenjtërve apostuj, të martirëve,
të barinjve, të virgjërave të lume
e të sa e sa dishepujve bujarë të Birit tënd.

Ty, o Zojë, po ta besojmë kombin tonë,
që të njeh e të thërret Nënë.

O shën Mari, hirplote, lutu për ne.

Hidhe me dashuri vështrimin mbi popullin shqiptar:
ti i di mëkatet e virtytet e tij,
ia njeh pasuritë, vlerat dhe mjerimin,
dobësitë dhe gjestet e tij të mirësisë.
Vigjëlo mbi shtëpitë e familjet,
mbi lagjet e bashkësitë,
mbi shkollat e spitalet,
mbi ndërmarrjet, zyrat, kantieret
e mbi të gjitha veprimtaritë e tjera të jetës së përditshme.
Ndihmoji të rinjtë, të papunët, të varfërit, të braktisurit,
që kërkojnë një vend e një puhizë shprese në jetë.

O shën Mari, hirplote, lutu për ne.

Bëj që në brezat e rinj të mos shuhet feja e të parëve
që të mbetet gjallë ndjenja e ndershmërisë dhe e bujarisë,
mirëkuptimi, kujdesi për të vegjlit, të moshuarit e të sëmurët,
vëmendja ndaj gjithë njerëzimit,
që në çdo anë të botës vuan e lufton
e shpreson në të ardhmen në drejtësi e paqe.

Lutu për ne, o Virgjër Shenjte, Nënë e përvuajtërisë,
Zojë e Këshillit të Mirë, Pajtore e Shqipërisë,
së bashku me shenjtorët e Kishës sonë
e me të gjithë dëshmitarët e Ungjillit,
emrat e të cilëve janë shkruar në librin e jetës.

O shën Mari, hirplote, lutu për ne.

Shkëlqeftë gjithnjë fytyra e Atit Qiellor
mbi kombin tonë, mbi qytetet e mbi fshatrat tona;
mbrojtja jote amnore, o Zojë,
na shoqëroftë përditë, në udhën e kohës,
drejt takimit përfundimtar me Krishtin, në atdheun e amshuar.
Ai, i ngjallur së vdekurish e i ngjitur në qiell,
avokati e ndërmjetësuesi ynë,
jeton e mbretëron në shekuj të shekujve. Amen!







All the contents on this site are copyrighted ©.