Shqipëri gëzuar 100-vjetorin e Pavarësisë! Për shumë vjet Festën e Flamurit!
Sot, 28 nëntor, ditë jubilare e 100-vjetorit të festës së Flamurit Kombëtar. Të gjithë
shqiptarët, pa dallim, kudo jetojnë e punojnë, në trojet e tyre apo nëpër botë, kremtojnë
me mirënjohje të thellë ndaj Zotit dhe ndaj Etërve të Kombit, kremtojnë me emocion
të jashtëzakonshëm, me ndërgjegjësim të ri e me krenari të përtërirë Jubileun e 100-vjetorit
të Ditës së shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë, më 28 nëntor 1912. Ashtu
siç ndodhi 100 vjet më parë, më 1912, kur u ngrit Flamuri Kombëtar, edhe në vitin
jubilar 2012-të, qyteti Vlorës është zemra dhe epiqendra e kremtimeve kombëtare jubilare.
Edhe sot shqiptarët shtegtojnë në Vlorën e 1912-tës, nga autoritetet më të larta
shtetërore e qeveritare, tek autoritetet e personalitetet fetare, kulturore e përfaqësues
të mbarë shoqërisë e të të gjitha trevave shqiptare. Të bashkuar në gëzimin e kremtimit
të këtij Jubileu shtegtojnë tek rrënjët e Kastriotëve, tek simboli i lirisë, i pavarësisë,
i ëndrrave dhe i idealeve për t’u përbetuar për ndërtimin e një të ardhme përherë
e më të mirë të Atdheut të shqiptarëve, në gjirin e Kombeve më të qytetëruara e më
të përparuara të botës.
Prandaj, të gjithë shqiptarëve e dëgjuesve tanë, redaksia
shqipe e Radio Vatikani uron: “Gëzuar! Për shumë vjet Festën e Flamurit!” “Urime
100-Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë!”Zoti i bekoftë shqiptarët! Zoti e
bekoftë Atdheun tonë!”.