2012-11-28 13:33:17

Kuriozitet: Pse u zgjodh Vlora, për të shpallur Pavarësinë?


Me interes, sqarimi i Mustafë Merlikës, lidhur me vendin, ku do të mbahej mbledhja për shpalljen e Pavarësisë. Merlika e nis tregimin me pyetjen: Po ku do të mbledhej Kuvendi Kombëtar? E vijon: Vjena e Roma kishin porositur për nji qytet në breg t’Adriatikut për shumë arsye praktike në lidhje me luftën që po zhvillohej. Pra Durrësin ose Vlonen. Prej këtyne dy skelave, u pa ma me vend Vlona. Viset rreth e qark Durrësit ishin të banueshme prej myslimanëve fanatikë, të cilët, të lidhun shpirtnisht me kalifatin e Stambollit e tue mos i dhanë dum ende gjendjes kritike në të cilën ndodhej mbretnia othomane, nuk do ta pritshin mirë një kryengritje të hapun kundër saj. Komandanti i batalionit territorial të Durrësit, Hamit Toptani, nuk merrte asnji përgjegjësi për qëndrimin e njerëzve, qi komandonte e as për banorët e asaj zone, kur t’a merrnin vesh se Shqipnia po i bie mohit sulltan kalifit. Ndryshe ishte populli i krahinës së Vlonës. Ndonëse mysliman edhe ai, qe liberal e kishte nji zgjueti politike ma të gjanë. Vetë Prinjësi atje ishte beg i atij vendi, pra i njohun e i ndërgjegjshëm ma fort atje, se në Durrës. Ma në fund kablla telefonike me Evropën atje kishte krye e për të do të kishte nevojë të domosdoshme qeveria e re. Për të tana këto arsye, Ismail-Kemali vendosi me e thërritun Kuvendin Kombëtar në Vlonë. Por ftesat i u derdhën gjithë Shqipnisë telegrafisht nga Durrësi, me porosi qi delegatët t’u nisshin për Vlonë”.
Më poshtë Merlika vë në dukje qëndrimin diplomatik e shumë të mençur që mbajtën pjesëtarët e mbledhjes ndaj Turqisë. Ai thotë: “S’ishin mbledhun gjind revolucjonarë, por gjithaqë doktorë t’urtë për konsultim rreth nji të sëmuri delikat, qi ishte në rrezik jete. E kjo ndoshta ishte vetë rasa. Frika për ekzistencën e kombit nuk ndihej n’armikun e vjetër, qi po shkonte; por në të riun, qi po vinte.

Sipas kujtimeve të Mustafë Merlikës







All the contents on this site are copyrighted ©.