Kisha Katolike për Pavarësinë e Shqipërisë: Antologji në prozë
Fjalimi i Ismail Qemalit i mbajtur me 28 nëntor 1912 në Mitingun e Madh në Vlorë
me rastin e ngritjes së flamuritOh! Sa të lumtur që e ndiej vehten sot, që shoh,
këtu në Vlorë, kaqë burra Shqipëtarë të mbledhur tok, tuke pritur me kureshti e padurim
përfundimin e kësaj mbledhjeje historike, për fatin e Atdheut tonë të dashur. Plot
me gaz e me lot ndër sy, nga mallëngjimi, pra, po dal këtu para jush që t’ju gëzoj
me sihariqin e madh, se sot, edhe këtë minutë, Kongresi çpalli mëvehtësinë e Shqipërisë,
tuke lajm-ëruar gjithë botën mbarë për këtë punë e duke më ngarkuar mua kryesin’ e
qeveris së përkohshme të Shqipërisë së lirë. Porsi ëndër më duket ky ndryshim i
madh i vendit t’onë, që hoqi e voi të zezat e të lirit pesëqind vjet me radhë ndënë
sundimin turk, por që tani në kohët e fundit, ishte gati të jepte shpirtin përgjithënjë,
të shuhej e të çfarrosej krejtësisht nga faqia e dheut, këjo Shqipëri, që, dikur,
shkëlqente nga trimërija e pashoqe e bijve të saj; kjo Shqipëri, që kur i kërcënohej
rreziku Europës nga pushtimet e Turqisë, ndënë kryetrimin e pavdekur të saj, Skënderbejnë,
u bë porta e hekurtë kundra sulmeve më të tërbuara të sulltanëve më t’egër që ka pas
Turqija. Mirëpo, desh Zoti, që me punën, me trimërinë dhe guximin e pashoq të Shqipëtarëvet,
sot e tutje të marrin fund mjerimet dhe vuajtjet e Atdheut t’onë, sepse, këtu e kështu,
jemi të LIRË të PAVARUR dhe MËVEHTE, prandaj: qeshni e gëzoni! Për t’ia arrijtur kësaj
dite të bardhë e të madhe, na ka ndihmuar gjaku i dëshmorëvet dhe puna e vlefshme
e patriotëve t’anë dhe e të gjithë shokëve që muarrnë pjesë në këtë mbledhje dhe e
të gjithë juve, që tani po ju gufon zemëra nga gazi i madh që ndieni; mirëpo mbledhja
si më plak që jam, m’a ngarkoi mua Ngritjen e shënjtë të shënjës t’onë Kombëtare,
të flamurit t’onë të ëndërruar e të dashur (nxjerr Flamurin, të cilin e ka të vendosur
në një shtizë hekuri, natyrisht të vogël, dhe të pshehur nën pallto dhe passi e mba
një sekondë në dorë e ngul në shtyllat e ballkonit. Amatorët, posa e shohin Flamurin
thërrasin me gëzim e me zë të lartë: Rroftë Flamuri, Rroftë Shqipërija e Lirë). Ja,
pra, ky është Flamuri Ynë i kuq e me shqiponjën dykrenare të zezë në mest. Dhe tani,
të gjithë bashkë, si një trup i tërë dhe i pandarë, le të punojmë për t’a mburuar,
për t’a përparuar e për t’a qytetëruar si i ka hije Atdhenë t’onë të Lirë. Tuke
përfunduar, s’më mbetet gjë, veçse t’i drejtoj një lutje Zotit të Madh, që, bashkë
me bekimet e Tij që i lipij të na japë për të qenë të denjë të kësaj dite, të pranojë
që këtej e tutje të jem unë dëshmori më i parë i Atdheut, ashtu siç pata nderin dhe
fatin që të jem i pari ta puth e ta bëj të valvitet i Lirë. Flamuri i ynë, n’atdhenë
t’onë të lirë.
Rroftë Flamuri! Rroftë Shqipërija!
Dora e Zotit Kush ka patur fatin të ndodhet atje e ta shikojë këtë sqenë të
përmallshme, s’ mund ta harrojë kurrë. Na u duk sikur Dora e Zotit e këputi zinxhirin
e skllavërisë; sikur u çel menjëherë rruga e një jete të re e të lumtur për popullin
t’onë; sikur duallëm nga terri në dritën e bekuar të diellit; zemrat na u mbushën
me gaz e me shpresë. Qysh të mos lindeshin këto ndjenja duke parë sqenën e prekëshme
të vëllazërimit: Myftiu i Dibrës Vehbiu q’u përfaqua me Ipeshkun e Durrësit Don Nikollë
Kaçorin; orthodoksi beratas Bab Dud Karbunara mjekër-gjati që puthi në ballë katolikun
shkodran Luigj Gurakuqin, bashkëpunëtori e dora e djathtë e Ismail Qemalit; Isa Buletini
i Kosovës, me famë trimërie e në shumë kryengritje kundër Turqvet, që i puthi dorën
Ismail Qemalit, beut të Vlorës; Murad Toptani nga Tirana, që ngriti flamurin në mes
të Mbledhjes dhe këndonte Këngën e Flamurit, së bashku me përfaqësonjësit korçarë
të Kolonisë së Bukureshtit q’e kishin prurë atë këngë nga Vllahia! Kush kishte parë
ndonjëherë një pamje të tillë në Shqipëri? A mundej të mos mallëngjeheshim? A s’ishte
për të derdhur lotë gëzimi? Një urim e një lutje pëshpëritte çdo buzë shqiptari:
Falja, o Zot, tërë popullit tonë këtë vëllazërim për gjithmonë, që të munt të krijojë
një jetë shtetërore të lirë e të lumtur.
Nga kujtimet e Dhimitër Beratit
– “Ata që shpallën pavarësinë Kombëtare”, fq 203
Flamuri në Shkodër
Kundërshtimi ndermjet të muhametanve të Shkodres e të
katolikve kje shkaktue nga flamuri e nga germat e shkrimit të gjuhës. Fanatikt
e vjeter qi nuk ndijshin tjeter ngrehje veç se krenín e perfitimet e veta nuk deshtne
të rrzohej flamuri i Turkís me u shndrrue me flamurin e Shqypnís e kjo kje grindia
e parë. Nuk dona flamurin me sorrë!... britshin rrugave disa, të frymzuem nga pleqt
e vjeter. Dona flamurin e Shqypnis me Shqypen e Skanderbeut, britshin Krishtiant në
tjetren anë. Kje perba nji klub me djelm të ri shkodranë e malcorë ku muerne pjesë
edhe nji parti muhametane të rijsh qi ndijshin në shpirtë ngrehjen e kombësís e kerkoshin
lirín e pamvarsín. Klubi ishte per flamurin e Shqypnís edhe në derë të klubit perhillej
flamuri i kuq me shqypen e zezë në mjedis. Në tjetren anë në prefekturë e në kështjell
të Shkoders valonte gjithnji flamuri i Turkís me hanë e hyll.
Dom
Ndoc Nika, “Kujtime të një jetës së kalueme”, Plejad, 2003
Mvetësia e Shqipëniës
E’andërrueme nga vjershëtorët dhe e dëshrueme nga
zemrat e djeguna të disa pakë atdhetarëve, që vuanin e dirgjeshin nëpër burgjet e
errëta e që qanin e rënkonin nëpër shkretinat e largëta të ndjekur e të dëbuar nga
Atdheu i dashun, mveshtësia e Shqipënisë na dukej të gjithëve si një dëshirë e paarrijtshme,
si një dhuratë tepër e çmuarshme për varfërinë tonë, si një pemë e ambël e shijshme,
të cilën Perëndia ua kishte ndaluar shqipëtarëvet të mjerë. Megjithë dëshirën
e nxehtë, megjithë adhurimin e thellë që kombi i ynë ka ndie kurdoherë për lirinë
vehtore, robënia e gjatë e sgjedha e dredhimet e Turqisë, që për aq shumë kohë kishin
rënduar mbi qafën e shqiptarëve, kishin shutitun edhe, ndë mos shuar, idhenë e Bashkimit
e të Mvehtësisë në zemrat e tyne. Po edhe ata, që përpiqeshin e që punonin, edhe
ata që vuanin e që luftonin nuk e shihnin tepër t’afërme, nuk e prisnin shpejt për
së shpejti ditën e bardhë të mvehtësisë s’Atdheut. Dëshirën e tyne të flaktë e ruanin
dhe e ushqenin në thelbin e zemrave të veta andërrën e tyne të lulëzuar e fshihnin
në thellësinë e kujtimevet të veta, po nuk kishin tepër shpresë se do t’a arrinin
ata vetë idealin e shenjtë, të cilit i kishin falun e kushtuar fuqinë, mendjen, qetsinë
e trupit e gjanë e jetën e vet. Kështu punonin e përpiqeshin atdhearët tanë: mundimet
e të vishtirat, që pësonin, i hiqnin e i vuanin për bijtë e nipat e tyne, e me gjakun
e vlefshëm, që derthnin pa pushim e pa kursim, e dinin mirë se nuk do të vaditnin
e nuk do t’ushqenin një lule, me erën e të cilës, do të knaqeshin e do të dëfrenin.
Mirëpo, në jetën e kombevet si edhe në jetën e njerëzve ndodhnin hera-herë disa rasa
të papandehuna që trazojnë rrjedhën e punëvet e pjellin disa ngjarje, që as nuk i
prisnin e nuk i shpresonin. Ashtu na ngjau edhe neve motin që shkoi, mot i mbushun
me brengë e me pësime, po që, ndë mest të trazimevet e të ligavet të panjohura, na
solli edhe një të mirë të pashpresuar e të paçmuarshme, domethanë, Lirinë, Bashkimin,
Mvehtësinë e Adheut. E mësyeme e e rrahun në të gjitha anët, e mundunë e e shtypun
në të gjitha luftat, Turqia po hiqte frymën e fundit në Evropë. Shqipnia që, po m’ato
ditë kishte dalë nga një kryengritje e rreptë dhe e përgjakshme, ndodhej e lodhun
dhe e papërgatitun e gjendej në rrezik të madh. Viset e saja u shkelën, pothuaj të
gjitha nga të huajt e bijtë e saj, të mahnitun nga rrufeja e zjarrtë, që shkrepi e
u zbras mbi kokën e tyne, nuk dinin se nga t’ia mbanin. Po Perëndia nuk e kishte thanë
që të shuhej fare plangu jetik i Burrit e i Skënderbeut, që të shdukej ng faqja e
botës kombi shqiptar i vjetër e po m’atëherë, kur anmiqtë tanë na kishin dënuar me
vdekje e po përgatiteshin ta ndanin copa- copa Atdhethin t’onë të shtrenjtë, ata,
që ushqenin në zemrat e tyre idealin e mvehtësitë, rrokën flamurin të kuq e të zi
në dorë e, pa vështruar të liga e rrezike, u mblodhën këtu në Vlonë, ku delegatët
e ardhun prej të gjitha viseve tona nxorrën Shqipërinë më vehte, të Lirë e të Bashkuar. Nuk
është sot dita të përmendim nëpër sa të liga ka shkuar Shqipënia në këtë mot të gjatë
e sa ka vuar e po vuan akoma; dua vetëm të shtonj se, në këtë ditë fatëbardhë, që
do të mbetet e paharrueshme në kujtimet e shenjta të kombit tonë, lipset që zemrat
e të gjithë shqiptarëve të lidhen, të bashkohen, të bahen një. Duke kujtuar e duke
kremtuar ditën e sotshme duhet të përsëritim prapë besën që u dhamë shoqishoqit vitin
që shkoi; e duke sjellun përpara sysh rreziket e tmerrshme që i vareshin Atdheut përmbi
krye, e shpëtimin tonë të çuditshëm, ta forcojmë dashuninë e vëllazëninë e t’i japim
dorën njëni-tjetrit për të mbajtun, për të rritun, për të shtuar Mvehtësinë e Shqipërisë
sonë të dashun. Ta dijmë mirë se çarjet, zihjet, anmiqësitë tona na turpërojnë
përpara Evropës, e cila vitin që shkoi nxitoi duke njohun menjeherë Mvehtësinë tonë;
u shtojnë rreziket vëllezënvet tanë të mjerë, që ditë më tjatrë po presin të lirohen
nga zgjedha greke e të bashkohen me ne, e ma tepër u thyejnë zemrën atyne fatzesve,
që patën rrezikun e madh të mbeten jashtë Shqipnisë së Lirë. Të betohemi pra edhe
njëherë mbi Lirinë e Atdheut, mbi varret e dëshmorëvet tanë, t’i bajmë therorë përpara
altarit të Atdheut armiqësinë e cmirat e zilitë e poshtme e të lidhemi e të bashkohemi
të gjithë me një ment e me një zemrë, që të përpiqemi e të punojmë bashkë si vllezër
që jemi, për të shëruar plagët e Shqipënisë e për të fshirë lotët e atyne që qajnë
e rënkojnë mbi brenget e viseve të veta që u ndanë nga trupi i Atdheut të përbashkët.
Fjalimi i Luigj Gurakuqit në kryevjetorin e Pavarësisë: Marrë nga Gazeta”Përlindja
e Shqipëniës”, Nr. 26, 15/28 Vjesht’ e III, 1913. Fjala e Imzot Mirditës
ne rivarrimin e eshtrave të Dom Nikollë Kaçorrit Në Meshën e dritës,
Durrës, shkurt 2011
(2Sel 3,6-15; Ps 137; Mt 22,15-22) Mbi lumenjtë
e Babilonisë, Atje rrinim e vajtonim, E nëpër mend shkonim Sionin. Atje,
shpërngulësit tanë na kërkonin këngë: “Na këndoni këngët e Sionit!” Po si mund
t’i këndojmë këngët e Zotit në dhe të huaj?
Të nderuar Zonja dhe zotërinj, Të
dashur vëllezër e motra, Psalmi 137 përshkruan me nota melankonie të thellë gjendjen
e hebrenjve larg tokës së tyre të pushtuar e të shkretuar nga babilonezët para 2500
vjetësh. “Si mund t’i këndojmë këngët e Zotit në dhe të huaj?”, thotë psalmisti. Historia
biblike e shpërnguljes së hebrenjve është paradigmë e një populli që kërkon një atdhe
ku të jetë i lirë, sepse vetëm në liri mund të këndohen këngët e Zotit. Sot kemi
para nesh mbetjet mortore të një burri të madh të kombit tonë, që gjatë tërë jetës
ka kërkuar një atdhe të lirë dhe ka vdekur në dhe të huaj. Imzot Nikollë Kaçorri qëndron
në themelet e shtetit shqiptar në të gjitha kuptimet e fjalës themel. Së pari, sepse
ka pasur bindjen e thellë se shqiptarët nuk mund të prisnin më për t’u çliruar nga
sundimi i gjatë osman, dhe kjo bindje e ka shtyrë të angazhohet për të përgatitur
mendërisht, kulturalisht dhe politikisht popullin shqiptar për shpalljen e pavarësisë.
Së dyti, sepse priti në Durrës delegacionin që ishte nisur nga Trieste për të shpallur
“Shqipninë e mos varme” dhe, pasi u vu re se shpallja e pavarësisë në Durrës vihej
në rrezik për shkak të pasigurisë së atij qyteti të kërcënuar nga pretendimet serbe
dhe greke, bëri të mundur sigurinë e udhëtimit të këtij delegacioni drejt Vlorës.
Së treti, sepse në Vlorë jo vetëm se hodhi firmën përkrah Ismail Qemalit dhe ishte
ndër pesë personat që valëvitën për herë të parë flamurin e Shqipërisë së pavarur,
por u bë edhe zëvëndëskryeministri i parë i shtetit të ri shqiptar. Ai qëndron në
themelet e shtetit shqiptar jo vetëm sepse është njëri ndër gurët e mëdhenj të këtij
themeli, por sepse më shumë se të gjithë protagonistët e tjerë ka mbetur i fshehur
dhe i mbuluar me heshtje nga historia shqiptare si gjatë periudhës komuniste, ashtu
edhe gjatë këtyre njëzet vjetëve. Themelet janë të padukshme për vetë funksionin e
tyre të mbajtjes së godinës që mbështet mbi të, por, nëse njerëzit që banojnë në atë
godinë lejojnë të përjashtohen nga themelet gurë të tillë të mëdhenj, rrezikojnë të
banojnë në një godinë të lëkundshme. Përballë kthimit në Shqipëri të eshtrave të Imzot
Nikollë Kaçorrit, më lind vetvetishëm dhe fuqishëm dëshira dhe urimi që në Shqipëri
të fillojë të bëhet me vërtetësi, dashuri dhe korrektesë shkencore hetimi i historisë
sonë të hershme dhe të vonë, me motivin e vetëm, që kujtesa historike kombëtare të
bëhet një thesar i çmueshëm nga i cili të mund të nxjerrim mësime për të tashmen dhe
të ardhmen e vendit tonë. Njohja e turbullt e historisë së shkuar, pa llogaritur pastaj
shtrembërimin me apo pa dashje të saj, rëndon si një perde e errët në horizontin e
shpirtit të kombit, prandaj është detyrë jo vetëm e historianëve, por e çdo shqiptari,
të japë ndihmesën e vet për ta shthurur fije për fije këtë perde. Këtë ndihmesë
e kanë dhënë të gjithë ata që janë kujdesur për kthimin në atdhe të eshtrave të Imzot
Kaçorrit, prandaj atyre u drejtoj me gëzim dhe kënaqësi mirënjohjen time më të thellë. Le
të kthehemi edhe një herë tek psalmisti i sotëm. “Si t’i këndojmë këngët e Hyjit në
tokë të huaj?” Përvoja e tokës së huaj ka qenë përvoja e gati gjithë jetës së Imzot
Kaçorrit. Ai lindi në një fshat të Lurës në atë periudhë të historisë kur toka e shqiptarëve
ishte si të ishte e huaj, sepse gjendej nën zotërimin e Portës së Lartë të Stambollit.
Pas studimeve teologjike bazë në Shkodër, që do ta përgatisnin për meshtari, njohu
të tjera toka të huaja, sepse kaloi disa vite studimi në Zvicër, për t’u kthyer në
Shqipëri me prerjen mendore të njeriut europian, për t’iu kushtuar bashkësive katolike
të kurbinit dhe të Durrësit. Përkushtimi baritor përfshinte realitetin njerëzor në
tërë përmasat e tij, prandaj famullitari i Durrësit jo vetëm që nuk la pas dore lëngatën
në të cilën gendej popullsia shqiptare nën sundimin turk, por u vendos në krye të
lëvizjes për pavarësi. Pas shpalljes së pavarësisë, gëzoi vetëm për dy vjet shijen
aq të dëshiruar të tokës së vet, sepse barbaria e lëvizjes së Haxhi Qamilit jo vetëm
që e rrëzoi qeverinë ku ai ishte zëvëndëskryeministër, por i dogji shtëpinë në Durrës,
duke kthyer në pluhur e hi njërën ndër bibliotekat më të pasura të Shqipërisë së asaj
kohe, që ai kishte mbledhur me pasion. Pas rrëzimit të qeverisë së Ismali Qemalit,
largohet nga Shqipëria për në Austri dhe atje vdes pas pesë vjetësh, për t’u lënë
në harresë. Harresa, megjithatë, nuk rëndon mbi të, por mi historinë tonë. Nëse
Psalmisti nuk i këndonte dot këngët e Zotit mbi lumenjtë e Babilonisë, sepse e digjte
malli për Jeruzalemin, sikurse malli digjte edhe Imzot Kaçorrin për Shqipërinë kur
gjendej pranë brigjeve të lumit Danub në Vjenë, famullitari i Durrësit mund t’i këndonte
këngët e Zotit edhe në dhe të huaj, sepse kishte bërë gjithçka që kishte qenë e mundur
për dheun e vet. Në Ungjillin e sotëm kemi dëgjuar tregimin e takimit të Jezusit
me farisenjtë, që duan të dinë prej tij a duhet t’i paguhet taksa Çezarit apo jo.
Para se të japë përgjigjen, Jezusi kërkon një monedhë dhe, duke parë mbi të shëmbëllimin
e Çezarit, thotë fjalinë e famshme: “Jepni Çezarit çfarë i takon Çezarit dhe Zotit
çfarë i takon Zotit!”. I gjithë angazhimi politik i Imzot Bumçit nuk ka qenë tjetër,
përveçse përpjekje e sinqertë për t’i dhënë Çezarit çfarë i takon Çezarit. Sa herë
që mendojmë për politikën, na krijohet ideja se në politikë hyhet për të fituar, ose,
edhe më keq, për të përfituar. Fatkeqësisht, historia e shtetit tonë, që, pas pak
më shumë se një viti, mbush njëqind vjeç, është e mbushur me shembuj të një politike
të ushtruar e të kuptuar si pushtet dhe përfitim. Fatkeqësisht, jo vetëm forcat e
Haxhi Qamilit dhe jo vetëm egërsia e diktaturës komuniste, por edhe tranzicioni i
stërgjatur njëzetvjeçar nuk na kanë dhënë një shembull bindës të politikës së kuptuar
si shërbim ndaj shoqërisë. Ungjilli që sapo kemi dëgjuar na kujton se në politikë
hyhet jo për të marrë, por për të dhënë: “Jepni Çezarit çfarë i takon Çezarit!” Imzot
Kaçorri, i mbrujtur me fjalën e Ungjillit, është angazhuar në politikën e Shqipërisë
jo për të marrë, por për të dhënë, dhe me të vërtetë ka dhënë gjithçka, deri edhe
famën e emrit të vet. Nga ana tjetër, duhet të angazhohemi ta nxjerrim në pah këtë
famë, që të jetë model jo vetëm për politikanët shqiptarë, por edhe për qytetarët
që kërkojnë frymëzim për vizionin e tyre politik. Duke u kthyer tek Ungjilli i
sotëm, në gjestin e Jezusit, që kërkon të shohë shëmbëllimin e Çezarit në monedhën
e perandorisë, duhet të lexojmë edhe diçka më shumë. Nëse në monedhë gjendet shëmbëllimi
i Çezarit, brenda njeriut gjendet shëmbëllimi i Hyjit. Libri i Zanafillës, kur tregon
krijimin e njeriut, na bën me dije se Zoti tha: “Ta bëjmë njeriun në shëmbëllimin
tonë”. Brenda njeriut, brenda çdo njeriu, Jezusi shikon shëmbëllimin e Hyjit, prandaj
ai ka ardhur për t’i kthyer njerëzit tek Hyji. Këtu gjejmë edhe përmasën tjetër të
Zëvëndëskryeministrit të parë të Shqipërisë së pavarur. Ai ishte njeri i Zotit, prandaj,
sikurse ka jetuar politikën si mundësinë për t’i dhënë Çezarit çfarë i takon Çezarit,
pra si shërbim dhe jo si pushtet, poashtu ka jetuar edhe besimin se thirrejn më të
lartë të njeriut për t’iu kushtuar tërësisht Zotit. Madje në këtë thirrje të Zotit,
për të realizuar brenda nesh ngjashmërinë me të, qëndron edhe çelësi i thirrjes sonë
për t’u angazhuar në jetën sociale dhe politike. Është pikërisht forca e kësaj
thirrjeje që na nxjerr nga përtacia jonë dhe na angazhon për të mirën e të gjithëve,
sikurse na porosit shën Pali në leximin e dytë të kësaj liturgjie nga Letra e Dytë
drejtuar Selanikasve: “Po ju porosisim, o vëllezër, në emrin e Zotit Jezu Krisht,
të largohemi nga çdo vëlla që jeton në përtaci dhe jo sipas traditës që morët prej
nesh” (2Sel 3,6). E më tej përsëri: “Po dëgjojmë se disa nga ju jetojnë në përtaci,
nuk bëjnë asnjë punë dhe merretn me gjëra të kota. Këta i porisisim dhe i lusim në
emër të Zotit Jezu Krisht që t’i shtrohen punës për të nxjerrë bukën e gojës” (2Sel
3,11-12). Gjatë tërë jetës së tij Imzot Kaçorri ka punuar pa u lodhur për të mirën
e vendit të vet, prandaj sot, fjalët e Apostullit Palë duket sikur na i thotë edhe
ai neve, duke na lënë një shembull të mirë të jetës së krishterë: “Ju e dini se si
duhet të ndiqni shembullin tonë, sepse ne nuk jetuam në përtaci kur ishim mes jush
e as nuk kemi ngrënë falas nga ndonjëri prej jush, por jemi lodhur e munduar duke
punuar ditë e natë për të mos iu bërë barrë ndokujt” (2Sel 3,7-8). Deri më sot
historia e Shqipërisë nuk e ka shpërblyer Imzot Kaçorrin për kontributin e pamasë
që ai i ka dhënë vendit tonë, por ky fakt nuk na shqetëson ne që jemi mbledhur këtu
në emrin e besimit, sepse e dimë se shpërblimi vjen prej Zotit, prandaj lutemi që
Zoti të shpërblejë me lavdinë qiellore të gjitha vuajtjet.