2012-11-27 12:42:40

Pse varfëri? Benedikti XVI: guximi i solidaritetit për të fituar mbi varfërinë në botë


Duhet të marrim guximin për ta ndryshuar mënyrën e jetesës e modelin e zhvillimit, duke e bërë solidaritetin qendër të marrëdhënieve me të tjerët: kjo është receta e Papës Benedikti XVI për të mundur varfërinë në botë. Gjatë viteve të papnisë, Ati i Shenjtë ka bërë shumë propozime konkrete, disa prej të cilave po jua paraqesim edhe ne sot, në kuadrin e impenjimit të Radio Vatikanit në nismën e Bashkimit Evropian të Radiodifuzionit (UER), me titull “Why Poverty?” (Pse varfëri?). Është një ditë e veçantë transmetimesh në Eurovizion, kushtuar temës së varfërisë.
Papa uron realizimin e një lloj revolucioni paqësor, jo ideologjik, që mund ta ndryshojë botën e të fitojë mbi varfërinë, në një epokë, ku superfuqitë janë etja për pasuri dhe indiferenca ndaj të tjerëve. Benedikti XVI i fton të krishterët të mos largohen nga lufta për drejtësi:
“Të krishterët e kanë për detyrë t’i denoncojnë të këqiat, t’i dëshmojnë e t’i mbajnë gjallë vlerat bazë të dinjitetit të njeriut dhe, të nxisin çdo formë solidariteti, që favorizon të mirën e përbashkët, në mënyrë që njerëzimi të bëhet gjithnjë e më shumë, familje e Zotit”. (Fjalim për Fondacionin “Centesimus Annus”, 15 tetor 2011).
Për Atin e Shenjtë, në bankën e të akuzuarve qëndron egoizmi i globalizuar, i cili mendon vetëm për fitime: së pari financa, që ka dëmtuar ekonominë e vërtetë me spekullimet e saj, duke shkaktuar edhe rritjen e çmimit të ushqimeve. Në krye të ndërmarrjeve, gjithnjë e më shpesh, gjejmë administratorë, që u përgjigjen vetëm aksionistëve e nuk pyesin për punonjësit. Pastaj, vazhdon Papa, shfrytëzohen vendet e varfëra për të plotësuar edhe tekat e vendeve të pasura. Por tani, kjo lojë nuk funksionon më as në Perëndim, prandaj, Benedikti XVI fton të rishikohet mënyra e jetesës:
“A jemi gati ta rishikojmë së bashku e thellësisht modelin mbizotërues të zhvillimit, për ta ndrequr me konsensus e me largpamësi? Në të vërtetë, këtë e kërkon jo vetëm gjendja e krijuar nga vështirësitë financiare të çastit, por edhe shëndeti ekologjik i planetit e, sidomos, kriza kulturore e morale, simptomat e së cilës janë prej kohësh të qarta, në çdo anë të botës”. (Homeli, 1 janar 2009).
Më shifra në dorë, Papa tregon se në botë ka ushqim të mjaftueshëm për të gjithë, por njerëzit vazhdojnë të vdesin urie. E bën një propozim konkret: të investohet sërish në bujqësi, jo për t’u kthyer me nostalgji në të kaluarën, por për ta trajtuar si pasuri të dosmosdoshme për të ardhmen:
“Atëherë, duhet të përpiqemi së bashku të gjejmë një ekuilibër të ri ndërmjet bujqësisë, industrisë e shërbimeve, që zhvillimi të jetë i qëndrueshëm e që askujt të mos i mungojë buka e puna, e që ajri, uji e lëndët e tjera të para të ruhen si pasuri universale”. (Engjëlli i Tënzot, 14 nëntor 2010)
Puna në bujqësi, ngul këmbë Benedikti XVI, i edukon njerëzit të jenë të përkorë e të thjeshtë, të konsumojnë me mend e me përgjegjësi, promovon mikpritjen, solidaritetin dhe ndarjen e lodhjes me të tjerët. Jo pak të rinj kanë zgjedhur tashmë këtë rrugë:
“Edhe shumë të diplomuar në universitet kthehen për t’iu kushtuar ndërmarrjeve bujqësore, duke ndjerë se kështu, i përgjigjen jo vetëm një nevoje personale e familjare, por edhe shenjave të kohrave, ndjeshmërisë konkrete për të mirën e përbashkët”. (Engjëlli i Tënzot, 14 nëntor 2010)
Arsyet e nënzhvillimit, analizon Papa, duhen kërkuar në mungesën e vëllazërimit ndërmjet njerëzve. Globalizimi na afron, por nuk na bën vëllezër. Ky egoizëm bëhet ndërkombëtar me çështjen e borxhit të vendeve të varfëra, që Benedikti XVI kërkon të shlyhet, ose së paku, të reduktohet, pasi ka pasoja të papranueshme për popullsitë e atyre vendeve. Ati i Shenjtë ka bërë shpesh thirrje për popullsitë e Jugut të botës, të cilat duhet të kenë mundësi për të hyrë në tregun ndërkombëtar e për të shfrytëzuar njohuritë teknologjike e shkencore të vendeve të pasura, të cilat, fatkeqësisht, vendosin të drejtën e autorit mbi çdo gjë, edhe mbi zbulimet shkencore në mjekësi. E Papa u drejtohet vendeve të industrializuara që të reduktojnë tregtinë e armëve, e cila shpesh ushqen luftra, që kanë për bazë shfrytëzimin e lëndëve të para; u kërkon të mos promovojnë largimin e kapitaleve nga Jugu e të investojnë në vaksinat kundër sëmundjeve të përhapura në këto vende. Benedikti XVI shqetësohet sidomos për Afrikën. Çdo njeri, çdo familje, çdo institucion mund të bëjë diçka:
“Njerëzimi nuk ka nevojë vetëm për bamirës, por edhe për njerëz të përvuajtur e konkretë, që, si Jezusi, të dinë të qëndrojnë përkrah vëllezërve, duke ndare lodhjen me ta. Me një fjalë, njerëzimi kërkon shenja shprese. Burimi ynë i shpresës është Zoti”. (Fjala para Karitasit Italian, 24 nëntor 2011)
Është dashuria e Zotit që e ndryshon botën e zgjon shpresën, pohon Ati i Shenjtë. Kështu, impenjimi i të krishterëve për të varfërit nis nga drejtësia për të arritur tek bamirësia e tek dashuria:
“Spektakli i trishtuar i njeriut të vuajtur na prek zemrën. Impenjimi bamirës ka kuptim filantropik nga njëra anë, por shkon shumë përtej filantropisë. Është vetë Zoti, që na nxit, nga brenda shpirtit, për të bërë diçka kundër mjerimit. Si përfundim, është Ai vetë, që çojmë në botën e vuajtur. Sa më të vetëdijshëm e të qartë të jemi për këtë dhuratë, aq më frytshëm do ta ndryshojë dashuria jonë botën e do të rizgjojë shpresë: shpresa në këtë botë shkon përtej vdekjes e vetëm kështu, bëhet shpresë e vërtetë për njeriun”. (Fjalimi në “Cor Unum”, 23 janar 2006)







All the contents on this site are copyrighted ©.