2012-11-27 15:32:17

Kuvendi i Shqipërisë nderon protagonistët e Pavarësisë


Kuvendi i Shqipërisë kremtoi dje jubileun e 100-vjetorit të Pavarësisë, me një ceremoni në nderim të firmëtarëve të Aktit të Pavarësisë, anëtarëve të qeverisë së Lushnjes, udhëheqësve të kryengritjeve në trevat shqiptare. Siç njofton Parlamenti në faqen e tij të internetit, protagonistë të një dite me deputetët shqiptarë, ku ishin të ftuar edhe Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, Kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi, familjarë dhe pasardhës të të nderuarve, u bënë njerëzit e shquar, që i dhanë kombit shqiptar “lirinë, mosvarjen e mëvetësinë”, bazat për një zhvillim demokratik të mëtejshëm. Shumë prej tyre u vranë gjatë regjimit komunist, të tjerë u burgosën e të tjerë akoma u mohuan, duke bërë ç’është e mundur t’i mbulonin me pluhurin e harresës. Në fjalën e saj, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, theksoi: “Pa luftën e sakrificën e tyre, pa trimninë e atdhedashurinë e pashembullt, pa shpirtin e pamposhtur të tyre, nuk do ishte e mundur pavarësia… Historia e përpjekjeve për të ruajtur pavarësinë e Shqipërisë është fondamentale, është po aq ekzistenciale, sa dhe përpjekjet, kryengritjet që çuan në pavarësinë e saj. Historia e përpjekjeve për pavarësi nuk është vetëm histori pushke e gjaku të atyre që u flijuan, por edhe histori e fortë atdhedashurie e vizioni të atyre që e projektuan, edhe histori vullneti të pa epëm e atyre që qëndruan. Historia e përpjekjeve për ndërtimin e shtetit shqiptar, që nis nga Kongresi i Lushnjës është jo vetëm histori e burrave të shtetit, por edhe histori mendimi e atyre që e shkruan, histori pune e djerse e atyre që e ndërtuan, histori guximi dhe idealesh të nalta të atyre që besuan”.
Zonja Jozefina Topalli u dhuroi familjarëve të firmëtarëve të Aktit të Pavarësisë, të udhëheqësve të kryengritjeve në të gjitha trevat shqiptare, si dhe të afërmve të rilindasve të shquar botimin e veçantë të Kuvendit të Shqipërisë me Aktet e Themelimit të Shtetit Shqiptar. Ndër patriotët e nderuar dje, shumë eksponentë katolikë. Po përmendim vetëm dom Nikollë Kaçorrin, firmëtar i Aktit të Pavarësisë; imzot Luigj Bumçin, kryetar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Parisit për kufijtë e Shqipërisë; Luigj Gurakuqin, firmëtar i Aktit të Pavarësisë; Ndoc Çobën, deputet e ministër, delegat i Shkodrës në Kongresin e Lushnjës; Dedë Gjo’ Lulin, prijës dhe luftëtar i Lëvizjes Kombëtare, Hero i Popullit.
Kjo ceremoni u bë dhjetë ditë pas asaj të nderimit të personaliteteve të letrave, të artit e të humanizmit shqiptar, po në Kuvendin e Shqipërisë. Ndër ta, katolikët: atë Gjergj Fishta, poet (i quajtur Homeri shqiptar), prozator, dramaturg, estet, publicist, patriot; atë Justin Rrota, filolog e gjuhëtar, Mësues i Popullit, studiues i “Mesharit” të Buzukut; Pashko Gjeçi, mjeshtër përkthimi i thesareve të letërsisë botërore, ndër të cilat “Komedia Hyjnore” e Dantes dhe “Odiseja” e Homerit; Gjon Shllaku, helenist i madh, përkthyes e hartues fjalorësh; familja Marubi, firmë e njohur fotografësh patriotë nga Shkodra; Çesk Zadeja, kompozitor i shquar i traditës muzikore shqiptare; Martin Camaj, shkrimtar, gjuhëtar e filolog; Baltazar Benussi, avokat që kontribuoi në përgatitjen e legjislacionit modern shqiptar; Luigj Benussi, mjek, themelues i mikrobiologjisë në Shqipëri; Prenkë Jakova, kompozitor, themelues i operës klasike shqiptare; Lin Delia, një nga emrat më të mëdhenj të pikturës shqiptare; Tonin Harapi, kompozitor 360 gradësh; Rrok Zojzi, etnolog, hodhi bazat e kësaj shkence në Shqipëri; Gjok Beci, poet, autor tekstesh i këngëve pjesëmarrëse në shumë festivale; Lec Kurti, kompozitor i operës së parë “Arbëreshja”; Tish Daija, kompozitor; Frederik Shiroka, mjek, vendosi bazat e kirurgjisë moderne në Shqipëri; Injac Zamputi, historian e latinist i shquar.







All the contents on this site are copyrighted ©.