2012-11-27 12:43:31

Kisha katolike për Pavarësinë e Shqipërisë: “Kush është autori i Flamurit?”


Kush është autori i Flamurit? – ky është argumenti i emisionit të 17-të të rubrikës “Kisha katolike për Pavarësinë e Shqipërisë”. Pas njëqind vjetësh, shqiptarët nuk e kanë ende të qartë kush është autori a autorja e Flamurit Kombëtar.
Në fletoren “Arbëria”, Kristo Floqi shkruan se flamurin, që u ngrit për herë të parë, e pati ‘hartuar’ me duart e saj zonja Marigo Pozio, mbi cohën e blerë te tregtari i stofërave Dhiamanti. Modelin e shqipes e kishin vizatuar Dom Mark Vasa me Petro Fotografin,
Del, kështu, në dritë, një emër tjetër i mohuar, përfaqësues i Kishës katolike. Dom Marku duhet të ketë qenë në Korçë kur Marigoja, ende çupë, qindiste pajën. E dëshmon e mbesa, Zhaneta Poçi, që pohon, në faqet e internetit: “Marigoja e qëndisi flamurin kombëtar sipas një modeli të Don Mark Vasës, për pajën e saj, qëkurse ishte çupë. Këtë flamur ajo ia dha Ismail Qemalit”.
Duhet të ketë qenë Dom Marku, pra, që, i pushtuar nga fryma patriotike të kohës, e frymëzoi vashën (a ndoshta vashat korçare), të qindiste një flamur kombëtar e ta kishte ndërmjet qindizmave të pajës. Besojmë se prej këndej u frymëzua, më pas, edhe imzot Vinçenc Prennushi kur shkroi poezinë tejet të njohur “Grueja shqyptare”.
Që dom Mark Vasa ka qenë i pranishëm në ngjarjet e Pavarësisë, e dëshmon edhe një fotografi , botuar në librin e Bardhosh Gaqes, “Ata që shpallën Pavarësinë Kombëtare”; SH.B. Naim Frashëri, Tiranë, 1977, fq 165.
Historiani Kristo Frashëri, në një shkrim të tij, dëshmon: ... me sa dimë modelin e shqiponjës e dha Luigj Gurakuqi, në vigjilje të festës dhe gjatë natës e qindisi Marigoja”.
Eqerem Bej Vlora, na e përshkruan kështu çështjen e Flamurit, në kujtimet e tij:
“Një javë pas kthimit tim në Vlorë, çova Murat bej Toptanin dhe Hydaj efendin tek Ismail Qemali, duke iu lutur të më kthente flamurin që i pata huajtur. Më premtuan të ma kthenin atë menjëherë, sapo zonja Marigo Posjo (një atdhetare e madhe demokrate, por që i pëlqente reklama) ta kishte qepur e qëndisur flamurin e ri. E pra, më 28 nëntor kryeobjekti i ditës, flamuri si simbol i pavarësisë, me atë pakujdesinë tipike shqiptaro-lindore ishte harruar. Për më tepër shumica nuk e dinte sesi ishte ai. Kurrkush më përpara as e kishte parë, as e kishte mbajtur. Askush në Vlorë nuk kishte flamur në shtëpi. Shtetformuesit ranë në hall dhe vështruan njëri-tjetrin të hutuar.
Atëherë ngrihet miku im Hydai efendiu dhe thotë se në dhomën e gjumit të Eqrem beut varet në mur një flamur shqiptar, i futur në një kornizë të bukur. Dhe pyeti se a mund të merrej pa qenë aty i zoti? Ismail beu i dha leje dhe kështu flamuri që dikur don Aleandro Kastrioti më kishte dhuruar solemnisht në Paris, shtegtoi në konakun fqinj dhe ra në duart e Ismail beut, i cili ia dorëzoi Murat bej Toptanit, me porosinë ta varte jashtë, ndërkohë që vetë qëndronte në dritare. Mijëra njerëz u mblodhën në sheshin para shtëpisë dhe në kopësht, duke brohoritur “rroftë, rroftë “ edhe pse shumë prej tyre nuk e kuptonin edhe aq se ç’po bëhej. Më vonë kur unë në ditët festive të shpalljes së pavarësisë si shtet i lirë dhe i pavarur, ngrita flamurin shqiptar në ballin e shtëpisë sonë, disa kosovarë të mirë më thanë: “Shumë mirë e bëtë ju të diturit që ngritët flamurin e babë Kralit (pra të perandorit Franc Jozef) se tani nuk ka më se ç’të na bëjë as serbi i poshtër, as malazezi morracak. Kur pyeta se ku e kam parë shqiponjën e zezë m’u përgjigjën krenarisht : “Tek ushtarët e babë Kralit, në Pazarin e Ri”. Por natyrisht, pati edhe të tillë si një farë Haxhi Muhamet efendiu, një klerik i rëndësishëm e fanatik në Vlorë dhe ithtar i fortë i tim eti, i cili shprehej me zemërim se Ismail beu kishte zgjedhur një korb si simbol të Shqipërisë së lirë.Të jetë ky Flamuri i 28-tës? Përgjigja, në emisionin e ardhshëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.