2012-11-26 16:06:48

Papa kardinajve të rinj: Kisha impenjohet për paqen në Lindjen e Mesme dhe në mbarë botën.


Kisha inkurajon çdo përpjekje për paqen në Lindjen e Mesme dhe në botë. E pohoi këtë Benedikti XVI sot paradite, në audiencën me kardinajtë e rinj, të shoqëruar nga familjarë, besimtarë, miq e dashamirë, në Sallën e Palit VI. Papa i nxiti gjashtë kardinajtë e rinj ta duan Krishtin me gjithë zemër e të jenë dëshmitarë të fortë e të besueshëm të Tij ndërmjet njerëzve.
Ishte, pra një takim i thjeshtë, krejt familjar: kështu e quajti edhe Benedikti XVI i cili, megjithatë, e shfrytëzoi edhe këtë rast për të ngritur zërin e për të kërkuar paqen në Lindjen e Mesme. Duke i folur frëngjisht kardinalit e patrikut maronit, Béchara Boutros Raï, inkurajoi praninë e të krishterëve në Lindjen e Mesme që, shtoi Papa, duhet ta jetojnë lirisht fenë e tyre. Prej këndej, edhe thirrja e re për paqe në Rajon:
“L’Eglise encourage tout effort…”
Kisha, tha Benedikti XVI, inkurajon të gjitha përpjekjet për paqe në botë e në Lindjen e Mesme. Është fjala për një paqe, shtoi, që nuk mund të lidhë fryt, në se nuk bazohet mbi respektin e vërtetë ndërmjet njerëzve.
Më pas Ati i Shenjtë uroi që Koha e Ardhjes t’i ndihmojë të gjithë banorët e zonave të trazuara të botës për ta rizbuluar madhështinë e Krishtit, që erdhi në botë pikërisht për ta shpëtuar mbarë njerëzimin e për të sjellë paqe e pajtim.
Një mendim të ngjashëm pati Shenjtëria e Tij edhe për Kolumbinë, në sa përshëndeste spanjisht kardinalin e ri, imzot Rubén Salazar Gómez, kryeipeshkëv i Bogotà-s. Benedikti XVI uroi që Kolumbia të ecë, me paqë e harmoni, në udhën e drejtësisë, të pajtimit e të solidaritetit.
“The vivid colour of their robes…”
Duke u folur anglisht kardinajve të rinj Harvey (SHBA), Thottunkal (Indi) dhe Onaiyekan (Nigeri), i porositi ta mbrojnë grigjën që u është besuar, deri në dhurimin e pikës së fundit të gjakut, ngjyrën e të cilit ka veshja e tyre e re kardinalore. Në italisht, pohoi se mbështetet fort në ndihmën e kardinajve të rinj për vijimin e misionit të tij, si Pasardhës i Shën Pjetrit. Së fundi, u drejtoi Hirësive të Tyre fjalë të ngrohta, inkurajime të forta e urime të përzemërta për ecjen me sukses në rrugën e re:
Vijoni me besim e forcë misionin tuaj shpirtëror e apostolik, duke i mbajtur sytë të mbërthyer fort te Krishti e duke e forcuar dashurinë për Kishën e Tij. Këtë dashuri na e mësojnë Shenjtorët, që janë realizimi më i plotë i Kishës: ata e deshën e, duke e lënë plotësisht veten në dorë të Krishtit, e shkrinë shpesh gjithë jetën për ta rrezatuar kudo dritën e Krishtit, që ndrin fytyrën e Kishës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.