2012-11-25 17:24:50

Papa në Lutjen e Engjëllit të Tënzot: në ngjarjet e trazuara të historisë, Zoti e vazhdon ndërtimin e Mbretërisë së Tij të dashurisë


Në përfundim të Meshës Shenjte në Shën Pjetër, Papa tha Lutjen e Engjëllit të Tënzot, si zakonisht, nga dritarja e Pallatit Apostolik. Iu kthye edhe një herë Solemnitetit të Krishtit Mbret, duke shpjeguar se Mbretëria e Krishtit i është besuar Kishës, e cila është embrioni e fillimi i saj. Benedikti XVI i ftoi besimtarët të luten për kardinajtë e rinj e përshëndeti veçanërisht shtegtarët e shumtë libanezë, që kishin ardhur për të shoqëruar Patrikun maronit Békara Raji, i cili sapo mori veshjen e pupurtë. Gjashtë kardinajtë e rinj, tha Ati i Shenjtë, përfaqësojnë më së miri përmasën universale të Kishës:
“I ftoj të gjithë të luten për gjashtë kardinajtë e rinj, që krijova dje, në mënyrë që Shpirti i Shenjtë t’i përforcojë në fe e në dashuri, t’i mbushë me dhurata, që ta jetojnë këtë përgjegjësi të re si përkushtim të mëtejshëm ndaj Krishtit e Mbretërisë së Tij”.
Më pas, Benedikti XVI iu lut shën Marisë Virgjër ta mbrojë Kishën dhe të gjithë besimtarët, që presin ardhjen e Mbretërisë së Zotit:
“Virgjëra na ndihmoftë të gjithëve ta jetojmë të tashmen në pritje të kthimit të Zotit, duke iu lutur me forcë Hyjit: “Ardhtë Mbretëria jote” e, duke realizuar ato vepra drite, që na afrojnë gjithnjë e më shumë me Qiellin, të vetëdijshëm se, në ngjarjet e trazuara të historisë, Zoti vazhdon ta ndërtojë Mbretërinë e Tij të dashurisë”.
Gjatë përshëndetjeve në gjuhë të ndryshme, Papa kujtoi dy ngjarje të rëndësishme: lumnimin e sotëm të motër Maria Tronkatit në Ekuador dhe kremtimin e Mbrëmësoreve të para të Kohës së Ardhjes me studentët universitarë, në program më 1 dhjetor në Bazilikën e Shën Pjetrit.
Së fundi, iu drejtua rreth 500 shtegtarëve të ardhur nga Libani, ndër të cilët edhe shumë myslimanë e madje, edhe përgjegjësi i hezbollahëve për marrëdhëniet me të krishterët:
“Ta lejojmë Krishtin të na i kthejë zemrat e mendjet për të kuptuar se madhështia dhe plotësia e vërtetë e njeriut realizohen duke ndenjur me Zotin e përmes dashurisë, që marrim e japim”.
Para se t’u jepte të pranishmëve Bekimin e Tij Apostolik, Benedikti XVI iu lut Hyjit ta udhëheqë njerëzimin drejt paqes.








All the contents on this site are copyrighted ©.