2012-11-25 16:53:59

Në librari, libri i ri i Papës “Fëmijëria e Jezusit”. Koment i atë Lombardit: një libër, një premtim


Javës që kaloi, doli në librari vëllimi i tretë i Trilogjisë së shkruar nga Papa për Jezu Krishtin. I titulluar “Fëmijëria e Jezusit”, libri është botuar nga Rizzoli dhe Shtëpia Botuese e Vatikanit në nëntë gjuhë të ndryshme dhe është shpërndarë njëkohësisht në 50 vende të botës. Tirazhi i parë i kalon një milion kopje. Në muajt e ardhshëm, ky vëllim do të përkthehet në 20 gjuhë për t’u përhapur në 72 vende. Zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi ia kushton komentin e tij javor pikërisht këtij libri. Ta dëgjojmë:
Libri i ri i Papës mbi fëmijërinë e Jezusit arrin në duart tona në kohë, për të na shoqëruar shpirtërisht në periudhën e Ardhjes e të Krishtlindjes, mbushur me kulturë biblike, me reflektim teologjik e shpirtëror. Është mbajtja e një premtimi, që ai na pati bërë me botimin e vëllimit mbi jetën publike të Jezusit, të cilin na e përsëriti me botimin e të dytit, mbi Mundimet e Ngjalljen e Krishtit. Megjithëse na pati thënë qartë se objektivi i veprës së tij ishte “të kuptohej figura e Jezusit, fjalët dhe gjestet e tij” e nuk përfshinte studimin e drejtpërdrejtë të kapitujve të Ungjijve për fëmijërinë e Jezusit (shih Premisat e vëllimit të dytë), Papa nuk deshi të na mohonte këtë “sallë të vogël hyrjeje” për leximin e librave të mëparshëm. Na e paraqet me përvuajtërinë e tij të zakonshme: “Jam i vetëdijshëm se kjo bisedë ndërmjet së shkuarës, së tashmes e së ardhmes nuk mund të përfundojë kurrë… Shpresoj që ky libër i vogël, pavarësisht nga kufizimet e tij, të ndihmojë shumë njerëz në rrugën e tyre drejt e me Jezusin”.
Ashtu si Papa Vojtila i moshuar i pati treguar botës me guxim shpirtin e tij në meditimin poetik “Triptiku romak”, edhe Papa Racinger, jo me guxim më të paktë, po tregon vetveten, kërkimin e tij më intim të fytyrës së Zotit e takimin me Të. E di mirë se shkon drejt kundërshtimeve - nganjëherë të ligjshme, nganjëherë vetëm pretendime - por ndërthurja e studimit të Shkrimit Shenjt, me reflektimin teologjik, me kulturën njerëzore e me tensionin shpirtëror personal, është gjithsesi e jashtëzakonshme dhe shumë tërheqëse. Jozef Racinger e ka përjetuar vetë, edhe si Papë, dramën e “shkëputjes ndërmjet Jezusit historik dhe Krishtit të fesë” dhe impenjohet të udhëheqë secilin prej nesh e pra, edhe Kishën, në kapërcimin e saj, për të na bërë kështu, ta shijojmë qetësisht e thellësisht miqësinë personale me Jezusin. E ky është një shërbim më themelor e më urgjent se të gjitha impenjimet e tjera në qeverisjen e Kishës. Pasi Papa është para së gjithash përgjegjës për fenë e Kishës. Prandaj, e falenderojmë për gjithçka ka bërë, duke e përfunduar veprën pas nëntë vjetësh impenjimi jo të lehtë. Është me gjithë mend e vërtetë ajo, që thoshte kardinali Martini, në përfundim të paraqitjes së tij për vëllimin e parë: “Libri është shumë i bukur e na bën ta kuptojmë më mirë si Jezusin, Birin e Zotit, ashtu edhe fenë e madhe të autorit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.