Në Ekuador, shpallet e lume, motër Maria Tronkati, “Madrecita” e indiosve
Dje, në Makas të Ekuadorit, u shpall e lume motër Maria Tronkati, murgeshë e Bijave
të Zojës Ndihmëtare, me origjinë nga Kòrteno i Italisë. Me Kryqin e Kuq gjatë luftës,
pastaj misionare saleziane në Amazonë, motër Maria nuk përtonte kurrë, për hatër të
Zotit. “Vdiq një shenjte… nuk është më mamita e jonë”: kështu reaguan indiosit
e bashkësisë Shuar, më 25 gusht 1969, kur morën vesh për vdekjen e salezianes, e cila
për 40 vjet me radhë, u kishte shërbyer si mjeke, infermiere, katekiste, duke u bërë
mikja e tyre e madhe. Motër Tronkati humbi jetën në një aksident ajror në Sucùa. Indigjenët
e Çunkit e të vikariatit apostolik të Méndesit, në zemër të pyjeve të Amazonës, e
ndjenin veten bij të saj dhe e quanin “Madrecita”, siç kujton në mikrofonin tonë,
i dërguari i Papës në kremtime, kardinali Anxhelo Amato, Prefekt i Kongregatës për
Çështjet e Shenjtorëve: “Kishte një sjellje të lindur amnore ndaj të gjithëve.
Të sëmurëve dhe fëmijëve, që ndihmoheshin prej saj, nuk linte t’u mungonte gjë e i
rrethonte me lloj lloj përkujdesjesh. Vizitonte edhe të sëmurët e largët, duke përshkuar
pyje e duke lundruar përgjatë lumenjve. Konsiderohej engjëll. I mbronte jashtëzakonisht
Shuar-ët, që i quante me përkëdhelje “mis jibaritos”. Me apostullimin e admirueshëm
të së Lumes e të simotrave të saj ndaj indigjenëve, misioni salezian mundi t’i paraqesë
Ekuadorit dhe botës mbarë, një sërë realizimesh të mrekullueshme, ndërsa Kishës, një
popull plot me jetë të krishterë”. Motër Maria Tronkati ndërtoi në Amazonë
fushën e parë të aviacionit dhe spitalin, promovoi kurse për infermierë dhe u impenjua
në favor të jetimëve, por sidomos, diti t’u fitonte zemrën të gjithëve e të thellohej
në veprën e ungjillëzimit përmes një shkolle e një internati. Ndër frytet e mrekullueshme,
që u volën me ndihmën e saj, qenë familjet e krishtera, bazuar, për herë të parë,
mbi zgjedhjen e lirë të bashkëshortëve. I vdiqën tetë vëllezër e përvoja e saj si
infermiere e Kryqit të Kuq, gjatë luftës, e preku deri në fund të shpirtit. Por kishte
një fe pa fund e lutja ishte forca e saj. Punonte shumë. Që e vogël, i ati e thërriste
“tërmeti im i vogël” e kjo dëshirë për të bërë gjithnjë diçka të re i shërbeu shumë
kur si saleziane, shkoi pranë indiosve në Amazonë. Ja ç’thotë kardinali Amato: “Si
e shuguruar, motër Maria na kujton se sot Zoti i thërret të rinjtë t’ia dhurojnë jetën
e zemrën Atij e Mbretërisë së Tij të dashurisë e të paqes. Si saleziane, e Lumja e
re u kujton simotrave të jetojnë plotësisht thirrjen e tyre të edukimit të rinisë.
Si misionare, motër Maria na kujton detyrën e të gjithëve për të qenë ungjillëzues
të patrembur e lajmëtarë të Ungjillit në botë”.