2012-11-24 15:50:39

Liturgjia e Fjalës së Zotit e solemnitetit të Krishtit Mbret!“B“


Jezu Krishti Mbret dashurie që mbretëron në zemra tona!'
Ja përsëri
në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës,
kësaj herët do të dëgjojmë dhe meditojmë së bashku leximet biblike të Liturgjisë Hyjnore të
dielës së 34-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë, të cilën Kisha ia kushton solemnitetit të Krishtit Mbret.
Miq të nderuar kemi mbërri në të dielën e fundit të ‘Kohës së rëndomtë të këtij viti’ liturgjik kishtar, që mbyllet me këtë të diele. Para nesh kemi figurën e Jezusit, Mbretit të Gjithësisë.
Qysh në Besëlidhjen e Vjetër, Danieli profet fliste për një bir të njeriut të cilit Zoti i jep çdo pushtet dhe të cilit të gjithë popujt, kombet e gjuhët i shërbenin (krh Leximi I). Kjo profeci u realizua në Jezusin: Ai është i vetëdijshëm se është Mbret, i paralajmëruar (profetizuar) e i pritur, dhe këtë e dëshmon shumë qartë para Pilatit, por saktëson edhe faktin se Mbretërinë e tij nuk duhet kërkuar me dhe ndër kategoritë njerëzore, me qenë se Mbretëria e tij nuk është këtu poshtë mbi tokë, pra nuk është e kësaj bote. (krh Ungjillin)
Mbretëria e Jezusit është një Mbretëri ku ligji është dashuria ndaj Zotit e të afërmit; ku drejtësia quhet mëshirë, përdëllim; ku i afërmi e të tjerët nuk janë nënshtetas apo të nënshtruar por vëllezër e motra sepse janë bijtë të të njëjtit Atë Qiellor; ku armët e Jezusit janë Fjala, udhëzimi e urata.
Ne që jemi të pagëzuar, në saje të hirit të Tij Hyjnor, që e kemi marrë dhuratë përmes Shpirtit Shenjtë Zot, qysh tani jemi pjesë e kësaj Mbretërie Hyjnore, por këtë të diel nga Liturgjia e Fjalës së Zotit, ftohemi ta ripërtërijmë aderimin tonë të brendshëm dhe impenjimin për të punuar në mënyrë që Mbretëria e Jezusit të mishërohet, të shtrihet e të përhapet përherë e më shumë në botë, duke u nisura nga familjet e shtëpitë tona.

Pra, kjo festë liturgjike e re (siç dihet është themeluar nga Papa Piu XI më 1925) e mbyll vitin kishtar me një vizion madhështor të harmonisë e të paqes. Një harmoni që nuk është e realizuar përmes planeve të superfuqive apo ekuilibrave të terrorit, por përmes dashurisë. Në qendër të skenës kemi Krishtin mbi kryq, si akt i mbramë i mbretërisë së tij tokësore e si gjest i parë i Mbretërisë së tij të lavdishme, që ofron falje e shpëtim.
Liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj së diele pra, na fton të meditojmë mbi figurën e Krishtit si qendër kyçe të historisë sonë, si qendër të ngjarjeve tona personale e të njerëzimit dhe të gjithësisë mbarë.
Këtë, të bindur se Jezusi është mbret i gjithësisë, se Mbretëria e tij nuk është e kësaj bote, nuk mund të krahasohet me asnjë perandori apo mbretëri historike, e megjithëkëtë Mbretëria e Krishtit realizohet e ndërtohet në histori e në kohë duke i shndërruar ato. Në pyetjen e drejtpërdrejtë të Pilatit “a je ti mbreti i judenjve?”, Jezusi përgjigjet, duke pohuar se është mbret, por në mënyrë absolutisht origjinale (Ungjilli). Kështu Gjoni ungjilltar shpjegon se mbretëria e tij qëndron në dëftimin e Tij Hyjnor, do të thotë në komunikimin e Zotit njerëzve. Në të vërtetë, Jezusi i mundëson e lejon Zotit të jetojë në njeriun e njeriut i ofron mundësinë të ketë pjesë dhe të jetojë në bashkim më Zotin.

Liturgjia e Fjalës së Zotit
Leximi I Dan 7, 13-14

Kush është “Biri i njeriut”? Biri i njeriut mund të tregojë të gjithë popullin e Izraelit, por edhe një personazh të panjohur që ka fuqi mbinatyrore. Jezusi merr mbi vete këtë emër, sepse është plot me domethënie shpëtuese. Në këtë profeci profeti Daniel deklaron që populli i poshtëruar në histori ka një besëlidhës në qiell. Jezu Krishti do të shfaqet si njeriu i të gjithëve, kudo i pranishëm, por edhe aq i mbinatyrshëm dhe i pakapshëm.

Lexim prej Librit të Danielit profet

Unë po shikoja kështu në vegimin e natës: kur qe, në retë e qiellit, po vinte dikush si Biri i njeriut! Arriti deri tek i Tejetlashti i motit dhe qe paraqitur para tij. Ai i dha pushtetin, nderin e mbretërinë. Të gjithë popujt, fiset e gjuhët u shtruan nën shërbimin e tij: pushteti i amshuar që kurrë s’do të merret, mbretëria e tij kurrë nuk do të prishet.
Fjala e Zotit.
Falënderojmë Hyjin!

Psalmi 93
Ardhtë Mbretëria jote, o Zot

Hyji mbretëron! U vesh me madhëri!
Zoti u vesh, me fuqi u ngjesh.

Të palëkundshme e bëri botën;
assesi s’do të trandet!
I patundshëm është froni yt
qysh prej fillimit,
ti je i amshueshëm!

Dëshmitë e tua
janë plotësisht të besueshme,
shenjtëria i përket shtëpisë sate
përgjithmonë e jetës, o Zot.

Leximi II Zb 1,5-8Gjoni u zbulon të krishterëve të persekutuar dhe të shtypur kuptimin e egzistencës së tyre dramatike. Një njeri, Jezusi, që paraqet të gjithë njerëzit, ka kaluar nëpërmjet provave dhe dështimeve të përditshme që i ndodhin çdo njeriu. Ai është i parëlinduri i një njerëzimi që do të rilindë përtej vdekjes, dhe u tregon të gjithë njerëzve fatin e tyre të vërtetë: të bëhen meshtarë të botës dhe familjarë të Hyjit.
Lexim prej Zbulesës së shën Gjonit apostull
Jezu Krishti është Dëshmitari besnik, i Parëlinduri ndër të vdekur, Sunduesi i mbretërve të tokës! Atij që na do, që na çliroi nga mëkatet tona me gjak të vet, që na bëri Mbretëri priftërinjsh për Hyjin, Atin e vet, Atij i qoftë lavdi dhe pushtet në shekuj të shekujve. Amen. Ja, po vjen me re dhe do ta shohë çdo sy, edhe ata që e shporuan dhe të gjitha fiset e tokës do të vajtojnë për shkak të Tij. Po! Amen! Unë jam Alfa dhe Omega, thotë Zoti Hyj. Ai që është, që ishte, dhe që po vjen, i Gjithëpushtetshmi.
Fjala e Zotit.Falënderojmë Hyjin!
Aleluja. Aleluja.
Qoftë bekuar ai që vjen në Emër të Zotit!
Qoftë bekuar Mbretëria e Tij që po vjen.
Aleluja.

Ungjilli Gjn 18, 33-3

Në Ungjillin e Gjonit takohet kjo pyetje: Kush është Jezusi? Në këtë pjesë përgjigjja është ajo që vijon: Jezusi është mbreti i universit, ai që ka fuqinë mbi gjithçka e mbi të gjithë. Me vdekjen e tij ka arritur ora e së vërtetës, kryqi bëhet froni mbi të cilin mbretërohet. Vdekja e Jezusit nuk është një fund, por fillimi i një bashkimi me Hyjin që nuk do të mbarojë kurrë.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit
Në atë kohë, Pilati e thirri Jezusin dhe e pyeti: “A je ti mbreti i judenjve?” Jezusi i përgjigji: “A e thua ti këtë prej vetvetes, apo ta thanë tjerët për mua?”
Pilati përgjigji: “Pse, a mos jam unë judeas? Popullit yt dhe kryepriftërinjtë të dorëzuan mua. Çka ke bërë?” Jezusi përgjigji: “Mbretëria ime nuk është e kësaj bote. Po të ishte Mbretëria ime e kësaj bote, ushtarët e mi do të kishin luftuar që të mos u bie në dorë judenjve. Porse, Mbretëria ime nuk është prej këndej.”
“Pra, ti qenke Mbret?” – i tha atëherë Pilati. “Mirë thua!” – i përgjigji Jezusi – “Unë jam mbret! E unë linda dhe erdha në botë për të dëshmuar të vërtetën. Kush e do të vërtetën, ai e dëgjon fjalën time.”
Fjala e Zotit.Lavdi të qoftë ty, o Krisht!

Më shumë mbi programin tonë kushtuar Liturgjisë së Fjalës Hyjnore të kësaj së diele, mund të dëgjoni edhe këtu.......RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.