2012-11-24 16:53:15

Kisha katolike për Pavarësinë e Shqipërisë: Fan Noli “Shënime për Gurakuqin”!


Në emisionin e 14-të kushtuar rolit të Kishës katolike për Pavarësinë e Shqipërisë, Luigj Gurakuqi i parë nga Fan Noli.
Zoti drejtor,
Këndova me interes të thellë artikullin magjistral të mikut dhe ish-kolegut tim zotit S. Vinjah mbi të ndjerin Gurakuqin, të botuar në dy numra të “Diellit” dhe shpejtonj t’u bënj të njohur shokëve të Amerikës që kjo apollogji, ku çfaqet e vërteta e thatë për një martir të çështjes kombëtare, ka pëlqimin tim të plotë që në krye gjer në funt. Stravri Vinjahu munt të lëvdohet me të drejtë që ka mundur ta qanjë Gurakuqin me paansi e me sy të ftohtë prej akulli, si një historian prej race, ndonëse i lithte një miqësi e ngushtë, e lindur prej një bashkëpunmi të gjatë e të sinqertë për çështjen e përbashkme.
I vetëmi cen i kësaj apollogjie është shkurtësia e saj, por duhet shtuar menjëherë që s’mund të bëhej më e gjatë posa që do të botohej në një gazetë. Le të shpresojmë që apollogjisti do të gjenjë rasjen të çvillonjë subjektin e tij më gjërë e më hollësisht me një broshurë të vogël në të pritmen e afërt. Gurakuqi e meriton dhe Vinjahu provoi se mund ta bëjë më mirë se cilido tjatër. Atëherë besonj, do të insistonjë mi një pikë, të cilën ka qenë i shtrënguar ta kapërcenjë me pak vija këtë herë: Gurakuqi si pionier i qytetërisë oksidentale në Shqipëri. Nga shqiptarët e pakë që thëthitnë mirë kulturën e perëndimit, Gurakuqi ish ay që ka punuar më gjatë e më rëndë për të mbjellur farën e saj në Shqipëri. E gjejmë në radhën e parë gjithnjë, me ca intervale të shkurtëra të shkaktuara nga forcat majore1, që më 1909 gjer më 1925. Është një rekord, të cilin s’e ka arrirë asnjë tjatër as për së largu, rekord i fituar nëpër ferra, nëpër përronj, nëpër pusira, nëpër sëmundje, në këneta kalbësie morale dhe materiale, në një vënt ku zemrat janë të fishkura dhe sytë të zgurdulluar nga lakmimi i plaçkës, me të sotmen të errët e të nesërmen më të zezë, me privacione e me vojtje e me tortura të çdo minute, përpara të cilave ferri i Dantes është një panair i bukur.
Të tjerët mund të lëvdohen që e kapërcejnë këtë kryetrim vigan nga madhështia e sakrificeve. Po unë s’kuxonj të matem me të as sot, as nesër, se më duhen dymbëdhjetë vjete të tjera pune, lufte, dhe vojtjesh në Shqipëri që të kem pretencien 2 t’i rri pranë. Zoti Faik Konica është i mendjes se kam qenë vegla e Gurakuqit. Nuk e besonj. Po edhe sikur të jetë e vërtetë, e kam e do ta kem për nder. Ishte mjaft i math sa të kishte vegla si mua e si të tjerë novicë 3 të luftës në Shqipëri, kupa e hidhur e së cilës ua ngjeth mishrat atyre që kanë shijuar jetën në pjesat e mira të botës së qytetëruar.

Botuar në Liria Kombëtare (Gjenevë) , 1925, 9 shtator, nr. 7, nënshkruar Fan S. Noli.

_____
1 Majore (prej frëngj. majeur) – madhore
2 Pretencie (prej frëngja. prétention) - pretendim
3 Novicë (prej ital. novizio) - rishtar, njeri fillestar në një punë.







All the contents on this site are copyrighted ©.