Kardinali i ri Onaiyekan: t’i përgjigjemi dhunës kundër të krishterëve me dashuri
e arsye.
Ndërmjet kardinajve të rinj, është edhe kryeipeshkvi nigerian i Abuzhës, John Olorunfemi
Onaiyekan. E pyetëm ç’ përfaqëson për të, kjo detyrë e lartë:
Përgjigje:
- Është e qartë se kjo për mua do të thotë më shumë përgjegjësi. Për vendin
tim, Nigerinë, do të thotë nder i madh. Është lajm shumë i mirë për vendin: si të
krishterët, ashtu edhe myslimanët, janë shumë të kënaqur tani, që kanë një kardinal
tjetër. Besoj se kjo është gjë e mirë.
Pyetje: - Ju keni bërë ç’është
e mundur për të gjetur rrugën e zgjidhjes së konflikteve që trondisin vazhdimisht
vendin tuaj, posaçërisht për shkak të qëndrimit të fondamentalistëve islamikë të Boko
Haram. Ky emërim, do t’ju krijojë mundësi të reja në kërkim të paqes e të harmonisë?
Përgjigje:
- Them se përpjekjet e mia, në të vërtetë, nuk kanë pasur qëllim kryesor
të zgjidhin problemin e Boko Haram. Kanë synuar më shumë në përpjekjen që nigerianët
të mbrojnë familjen e unitetin, në mënyrë që të mos e lejojnë as Boko Haramin t’i
shkatërrojë këto vlera. Besoj se nuk është e vështirë t’i izolojmë këta pak njerëz,
që përfaqësojnë një anomali, sepse myslimanët nigerianë nuk janë Boko Haram. Boko
Haram përbëhet nga pak njerëz, ndërsa shumica e myslimanëve, me të cilët kemi të bëjmë
ditë për ditë, nuk ka ide të tilla. Kështu ne, si të krishterë të bindur në fenë tonë,
do të vijojmë ta kumtojmë Ungjillin, pa harruar kurrë se ka edhe të tjerë, që kanë
fenë e tyre, fe, që duhet respektuar, pa e penguar bashkëpunimin, sepse kemi shumë
gjëra të përbashkëta, duke nisur nga disa vlera shpirtërore, të njëjta për katolikët
e myslimanët; jemi qytetarë të të njëjtit vend, duhet të përballojmë të njëjtat probleme.
Kështu nuk do të jemi kundërshtarë, as konkurentë, por aleatë. Jam i sigurtë se duke
zgjedhur këtë rrugë, do t’i japim një hov të ri kumtimit të Ungjillit.
Pyetje:
- Konflikti është shtrirë edhe në Kenia: a ekziston rreziku që të krishterët të
lodhen duke sjellë edhe faqen tjetër, për shuplaka të reja?
Përgjigje:
- Me që po flasim për faqe... Nuk mund ta rishkruajmë Ungjillin, e njëkohësisht,
duhet ta lexojmë me realizëm e t’u kujtojmë gjithnjë njerëzve tanë se Jezusi na kërkon
përsëri ta kthejmë faqen tjetër. Por ama nuk duhet harruar edhe porosia tjetër e Jezusit,
para se ta kthejmë faqen. Zoti na kujton se para shuplakës së dytë, duhet të pyesim:
“ Në se gabova, më thuaj, ku bëra gabim. Që të ndreqem!” Prej këndej kam nxënë një
mësim të çmuar: “Në se ndokush të bën keq, përgjigjja e duhur nuk është shuplaka,
por pyetja: “ Pse po ma bën këtë?”. “Ç’të kam bërë?”. Gjithsesi të krishterët nuk
duhet të thonë kurrë: “U lodha duke falur”.