2012-11-23 17:14:52

Në Sallën romake Bramante ekspozohen 100 Shpella Betlehemi


Erdhi stina e Shpellave të Betlehemit. Janë krijuar, tashmë, figurat e reja, që do të stolisnin Shpellat në të katër anët e botës katolike. E janë nxjerrë nga kutitë të vjetrat, shpesh figura me vlera të mëdha artistike, siç janë, për shembull, ato që stolisin vit për vit Shpellën e madhe në zemër të Sheshit të Shën Pjetrit, së cilës tashmë i janë hedhur themelet edhe për Vitin 2012-13, krijuar dy shekuj më parë nga Shën Vinçenc Paloti.
Në të katër anët e botës hapen edhe ekspozita të shumta, ku artistë me famë e në kërkim të saj, paraqesin veprat e tyre. Nga më të njohurat, ajo që hapet çdo vit atje, ku u ngrit Shpella e parë e Betlehemit, me figura të gjalla, nga Shën Françesku, në Greçio të Italisë. E pikërisht në kuvendin françeskan të kësaj qyteze, që ngjan si fole shqiponje mbi shkëmb, është edhe ekspozita e përhershme e Shpellave të Betlehemit. Shumë e njohur, edhe kjo, që vendoset çdo vit në Sallat e Bramantes, organizuar nga ‘Revista e kombeve’, hapur të enjten e kaluar, më 22 nëntor. Sivjet paraqiten 169 kompozime, krijuar prej një morie artistësh, me teknika e materiale nga më të ndryshmet. Është e 37-ta, kjo Ekspozitë ndërkombëtare, titulluar “100 Shpella Betlehemi”, që tashmë po pret vizitorë të shumtë pranë Bazilikës e Shën Marisë së Popullit, ku do të vijojë të vizitohet deri më 6 janar 2013, në festën e Dëftimit të Zotit.
Vizitorët mund të admirojnë edhe sivjet Shpella Betlehemi ardhur nga krahina të ndryshme të Italisë e edhe nga vise të ndryshme të botës, realizuar në përkim me traditat kulturore e artistike të vendit, që i përkasin, pa harruar edhe frymën krijuese të artistëve, zejtarëve, fëmijëve të shkollave e atyre, që e kanë pasion të merren me një art të tillë, i cili i mbush me gëzim, dritë e ngjyra festat e dimrit të bardhë.
Në Ekspozitë të bien në sy një mori stilesh, që nga ai klasik i ‘600-ndës e napoletan i ‘700-ndës, deri tek stili romak i ‘900-ndës. Ka krijime për të gjitha shijet e, duke filluar nga ky vit, do të paraqitet dhe historia e Shpellës së Betlehemit për të gjitha krahinat, ku nisën të krijoheshin në rrjedhë vitesh, duke nisur nga viti i largët 1209.
Por ka edhe më: është ekspozita për fëmijët e vegjël të cilët, në laboratorin “Shpella e Betlehemit si lojë” mund të realizojnë, të udhëhequr nga personeli i specializuar, një Shpellë personale Betlehemi. Ekspozita, e hapur tashmë, mund të vizitohet e edhe mund t’i ngacmojë vizitorëve fantazinë, për të realizuar Shpellën e tyre të Betlehemit 2012-2013 me frymëzim, fantazi e ngjyrime të reja, nga mbarë bota. Sepse diçka mund ta soditësh edhe nga shtëpia, duke hapur internetin!







All the contents on this site are copyrighted ©.