2012-11-23 16:36:03

Kisha katolike për Pavarësinë e Shqipërisë. Willy Kamsi: “Kush don ta zhdukë Luigj Gurakuqin nga historia e Shqipërisë?”


Zgjodhëm, për emisionin e 15-të të rubrikës kushtuar kontributit të Kishës katolike për Pavarësinë e Shqipërisë, shkrimin e Willy Kamsit: “Kush don ta zhdukë Luigj Gurakuqin nga historia e Shqipërisë?”. Pa koment!
“Në këtë vit Jubilar të 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë konstatojmë me keqardhje se nga institucionet shtetërore dhe madje edhe nga personalitete të politikës shqiptare, nuk përmendet fare Luigj Gurakuqi, për rolin që ka luajtur në atë ngjarje madhore të kombit shqiptar. Përmenden gjithfarë emrash të tjerë, por jo ai i “krahut të djathtë” të Ismail Qemalit.
Duhet të mos harrohet, sidomos sot në këtë 100-vjetor, roli kryekreje që luajti Luigj Gurakuqi në Shpalljen e Pavarësisë në Vlorë më 28 nëntor 1912.
Veprimtaria e tij politike e atdhetare nis që kur, ende student, është ndër bashkëpunëtorët më të zellshëm të revistës “Albania” të Faik Konicës. Merr pjesë në Kongresin e Manastirit për Gjuhën shqipe (1908). Është drejtori i parë më 1909 i Shkollës Normale të Elbasanit. Më 1911 merr pjesë me Ismail Qemalin në Kryengritjen e Malësisë së Madhe, nën drejtimin e Dedë Gjo’ Lulit, dhe harton Librin e Kuq të Gërçes me kërkesat e malësorëve ndaj Perandorisë Osmane. Dhe ishte vetëm 32 vjeç. Ndoqën përpjekjet e fundit për të arritur te Pavarësia, dhe këto u konkretizuan duke u takuar me Koloninë shqiptare të Bukureshtit, për të vijuar me shkëmbime të nivelit më të lartë me Ballplatzin në Vjenë. Mbas këtyre përpjekjeve arriti momenti kaq i pritur prej të gjithë atdhetarëve shqiptarë, i ngritjes së Flamurit në Vlorë, ku në rolin kryesor gjejmë përsëri Luigj Gurakuqin, i cili harton e shkruen me dorën e vet tekstin që lexohet në dokumentin e Shpalljes. Të mos harrojmë edhe më vonë luftëtarin, me të tjerë atdhetarë, për mbrojtjen, në kohën e princ Wied-it, të Shtetit Shqiptar (1914), kur mbet i plagosur, apo kontributin duke qenë Drejtor i Drejtorisë së Arsimit (1916-1918) në vitet e Luftës së Parë Botërore, duke hapur me qindra shkolla, ku mësimet jepeshin në gjuhën shqipe, duke themeluar gjithashtu Komisinë Letrare të Shkodrës. Ai u përpoq të bashkonte Veri e Jug, të krishterë e myslimanë, gjuhë gege e toske. Dhe kështu u bë faktori kryesor në afrimin e shqiptarëve për një qëllim të vetëm: Bashkimin Kombëtar me synim Pavarësinë Kombëtare.
Si të harrohet koha që qe ministër i Financave në qeverinë e Nolit dhe, si i tillë, kur e vranë, nuk i gjetën në xhep veçse 400 lireta. O tempora! O mores!
Përpjekjet kundër nji figure të tillë u realizuan edhe me shembjen e shtëpisë së tij. Në qoftë se qe vrarë një herë më 2 mars 1925, ai qe vrarë për të dytën herë nga gjyqi i Tranit në Itali, duke e liruar nga burgu vrasësin, të tretën herë me shembjen e shtëpisë, dhe sot duke e varrosur në harresën e amshuar. Sot në programin shtetëror parashihet ndërtimi në Tiranë i Monumentit të Pavarësisë, si dhe monumentet e Ismail Qemalit, Hasan Prishtinës, Ahmet Zogut, por fatkeqësisht jo ai i Luigj Gurakuqit, si bëri edhe Enver Hoxha me Monumentin e Pavarësisë në Vlorë, në të cilin nuk gjendet atdhetari ynë i shquar. Sa për Shtëpinë Muze në Shkodër, me gjithë përpjekjet e vijueshme që nga viti 1995, kur kishte nevojë vetëm për mirëmbajtje, u arrit te shembja e plotë në ditët e sotme, pa ndërhyrë askush për të ndaluar një krim të tillë bërë trashëgimisë sonë historike. Dhe ishin vënë në dijeni ndërkaq jo më pak se katër ministra kulture, të djathtë e të majtë, dhe instancat më të larta të Shtetit Shqiptar. E sot po shohim një përpjekje të mëtejshme për ta errësuar këtë figurë e për ta zhdukur nga Shpallja e Pavarësisë e prandaj nga historia e Shqipërisë. Por kjo nuk do të ndodhë, sepse më në fund ka kaq atdhetarë për të mos lejuar që të arrihet të kryhet kjo vepër antikombëtare. Prandaj, edhe një herë, u lutemi autoriteteve më të larta të Vendit tonë për një ndërhyrje energjike duke e vlerësuar Luigj Gurakuqin për çka i përket: duke e përkujtuar një-për-një me Ismail Qemalin, duke i ngritur monument në qendër të Tiranës, duke rindërtuar Shtëpinë-Muze, mbasi në Institutin e Monumenteve gjenden rilevimet e ndërtesës së vjetër me të gjitha hollësitë.

*Ambasadori i parë i Shqipërisë në Vatikan pas rrëzimit të komunizmit.

Botuar në gazetën "Tema, e enjte, 02.08.2012







All the contents on this site are copyrighted ©.