2012-11-22 13:46:19

Papa, administratorëve të burgjeve: impenjohuni në integrimin shoqëror të njeriut


Burgosja duhet të ketë edhe funksion riedukativ e nuk duhet të jetë thjesht dënim për fajin e bërë. Kështu foli sot paradite Papa Benedikti XVI, duke pritur në Vatikan pjesëmarrësit e Konferencës së 17-të të drejtorëve të administratave të burgjeve të të gjitha vendeve, që bëjnë pjesë në Këshillin e Evropës. Ati i Shenjtë vuri theksin sidomos mbi gjendjen e të burgosurve të huaj, të cilët, edhe pa burgun, kanë vështirësi të shumta. Riedukimi i fajtorëve duhet të ketë parasysh respektimin e të drejtave të njeriut, nënvizoi Papa:
“Duhet një impenjim konkret e jo thjesht në parim, për riedukimin e personit, i nevojshëm jo vetëm në funksion të dinjitetit të tij personal, por edhe në perspektivën e integrimit të tij të ri shoqëror”.
Benedikti XVI shqyrtoi faktorët, që ndikojnë në shtimin e krimeve. Ndryshimet ekonomike e shoqërore, tha Ati i Shenjtë, dhe individualizmi në rritje ushqejnë rrënjët e kriminalitetit, prandaj është e nevojshme që këto ndryshime të sheshohen, duke filluar nga burgu:
“Nevoja personale e të burgosurit për të jetuar në burg një kohë rehabilitimi dhe reflektimi është kërkesë e vetë shoqërisë, si për të integruar sërish një person që mund të kontribuojë për të mirën e të gjithëve, ashtu edhe për ta dobësuar prirjen e tij për të kryer krime, duke zvogëluar rrezikshmërinë e tij shoqërore”.
Më pas, Papa vuri në dukje se nuk është fjala për gjetjen e burimeve financiare, por për ndryshimin e mendësisë, në mënyrë që puna e riedukimi në burg të konsiderohen pjesë e të drejtave të njeriut të të burgosurve, kriter për të gjykuar mbi cilësinë e sistemit penal:
“Për të vendosur drejtësinë, nuk mjafton që fajtori të dënohet e aq. Duhet që pas dënimit, të bëhet ç’është e mundur për ta ndrequr e për ta përmirësuar. Nëse nuk ndodh kjo, drejtësia nuk është e plotë”.
Benedikti XVI pati fjalë lavdërimi për ata administratorë burgjesh, që i kushtohen me mish e me shpirt këtij misioni, me seriozitetin, që shpesh jep fryte të pamenduara sidomos në integrimin e emigrantëve:
“Respekti i thellë për njerëzit, përkushtimi për rehabilitimin e të burgosurve, krijimi i një bashkësie të vërtetë edukative, bëhen sot edhe më urgjente po të mendojmë praninë në rritje të të burgursve të huaj në gjendje të vështirë e të brishtë”.
Por impenjimit të administratorëve duhet t’u përgjigjet edhe gatishmëria e të burgosurve, vazhdoi Ati i Shenjtë. Qëndrimi i tyre pozitiv nuk duhet pritur duarkryq, por duhet nxitur me nisma e propozime, në gjendje ta thyejnë vetminë e të burgosurve:
“Në këtë kuptim, është shumë e rëndësishme veprimtaria e ungjillëzimit dhe e ndihmës shpirtërore, e aftë të zgjojë tek i burgosuri entuziazmin për jetën dhe dëshirën për të bukurën, ta bëjë të rizbulojë se mban pashlyeshëm në trup gjurmën e fytyrës së Zotit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.