Kisha katolike për Pavarësinë e Shqipërisë: Fan Noli “Shënime për Gurakuqin”!
Në emisionin e 14-të kushtuar rolit të Kishës katolike për Pavarësinë e Shqipërisë,
ndalemi te figura madhore e Luigj Gurakuqit parë nga peshkopi i madh ortodoks shqiptar
Fan S. Noli. Pjesa e sotme është nga letra e Fan Nolit dërguar drejtorit të
gazetës “Dielli” në Boston, me shënimin: “Me lutje që të botohet”. Shkruan peshkopi
Fan Noli “Zoti drejtor, Këndova me interes të thellë artikullin magjistral
të mikut dhe ish-kolegut tim zotit Stravri Vinjah mbi të ndjerin Gurakuqin, të botuar
në dy numra të “Diellit” dhe shpejtonj t’u bënj të njohur shokëve të Amerikës që kjo
apollogji, ku çfaqet e vërteta e thatë për një martir të çështjes kombëtare, ka pëlqimin
tim të plotë që në krye gjer në funt. Stravri Vinjahu munt të lëvdohet me të drejtë
që ka mundur ta qanjë Gurakuqin me paansi e me sy të ftohtë prej akulli, si një historian
prej race, ndonëse i lithte një miqësi e ngushtë, e lindur prej një bashkëpunmi të
gjatë e të sinqertë për çështjen e përbashkme. I vetëmi cen i kësaj apollogjie
është shkurtësia e saj, por duhet shtuar menjëherë që s’mund të bëhej më e gjatë posa
që do të botohej në një gazetë. Le të shpresojmë që apollogjisti do të gjenjë rasjen
të çvillonjë subjektin e tij më gjërë e më hollësisht me një broshurë të vogël në
të pritmen e afërt. Gurakuqi e meriton dhe Vinjahu provoi se mund ta bëjë më mirë
se cilido tjatër. Atëherë besonj, do të insistonjë mi një pikë, të cilën ka qenë i
shtrënguar ta kapërcenjë me pak vija këtë herë: Gurakuqi si pionier i qytetërisë
oksidentale në Shqipëri. Nga shqiptarët e pakë që thëthitnë mirë kulturën e perëndimit,
Gurakuqi ish ay që ka punuar më gjatë e më rëndë për të mbjellur farën e saj në Shqipëri.
E gjejmë në radhën e parë gjithnjë, me ca intervale të shkurtëra të shkaktuara nga
forcat majore1, që më 1909 gjer më 1925. Është një rekord, të cilin s’e
ka arrirë asnjë tjatër as për së largu, rekord i fituar nëpër ferra, nëpër përronj,
nëpër pusira, nëpër sëmundje, në këneta kalbësie morale dhe materiale, në një vënt
ku zemrat janë të fishkura dhe sytë të zgurdulluar nga lakmimi i plaçkës, me të sotmen
të errët e të nesërmen më të zezë, me privacione e me vojtje e me tortura të çdo minute,
përpara të cilave ferri i Dantes është një panair i bukur. Të tjerët mund të lëvdohen
që e kapërcejnë këtë kryetrim vigan nga madhështia e sakrificeve. Po unë s’kuxonj
të matem me të as sot, as nesër, se më duhen dymbëdhjetë vjete të tjera pune, lufte,
dhe vojtjesh në Shqipëri që të kem pretencien 2 t’i rri pranë. Zoti Faik
Konica është i mendjes se kam qenë vegla e Gurakuqit. Nuk e besonj. Po edhe sikur
të jetë e vërtetë, e kam e do ta kem për nder. Ishte mjaft i math sa të kishte vegla
si mua e si të tjerë novicë 3 të luftës në Shqipëri, kupa e hidhur e së
cilës ua ngjeth mishrat atyre që kanë shijuar jetën në pjesat e mira të botës së qytetëruar”.
Botuar
në Liria Kombëtare (Gjenevë) ,1925, 9 shtator, nr. 7, nënshkruar Fan S. Noli.