Bisedime katoliko-myslimane mbi drejtësinë. Papa: të vazhdohet dialogu
“Vazhdoni në rrugën e dialogut të vërtetë e të frytshëm”: kështu i inkurajoi Papa
pjesëmarrësit e Bisedimeve VIII të Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar me Qendrën
Islamike për Dialogun Ndërfetar të Organizatës për Marrëdhëniet e Kulturën Islamike.
Takimi, me temë “Bashkëpunimi katolik e mysliman për promovimin e drejtësisë në botën
bashkohore” përfundoi dje me mesazhin e Benediktit XVI. Takimi i ardhshëm do të mbahet
në Teheran, pas dy vjetësh. Në notën përfundimtare, përfaqësuesit e të dyja feve
shprehin “shqetësimin për sfidat aktuale, përfshirë krizën ekonomike, çështjet ambientale,
dobësimin e familjes si institucion themelor i shoqërisë dhe kërcënimet kundër paqes
botërore”. Ata pranojnë përgjegjësinë e krerëve fetarë, por edhe të çdo besimtari,
në denoncimin e çdo shtypje e shfrytëzimi dhe në promovimin e drejtësisë si virtyt
i bazuar në dinjitetin e njeriut. “Ne besojmë – shkruajnë pjesëmarrësit e Bisedimeve
– se fetë tona kanë mundësi t’i frymëzojnë popujt për të punuar që drejtësia e paqja
të bëhen realitet”. Për këtë, kërkojnë që myslimanët e të krishterët të vazhdojnë
të njihen më nga afër, përmes dialogut dhe bashkëpunimit. Frytet e Bisedimeve, nënvizojnë
në fund, u duhen çuar të gjithë popujve e bashkësive, në mënyrë që të kenë ndikim
në botë.