2012-11-21 15:43:10

Papa në audiencën e përgjithshme: feja është e arsyeshme dhe e mbështet shkencën, për të mirën e njeriut


Para se të përfundonte audiencën e përgjithshme në Sallën e Palit VI, me thirrjen për Gazën, Benedikti XVI mbajti një katekizëm të thellë, gjatë të cilit shpjegoi se feja është e arsyeshme, se nuk i kundërvihet shkencës, por përkundrazi, e ndihmon në kërkimin e saj, për të mirën e të gjithëve. Duke e pranuar fenë, pohoi Benedikti XVI, arsyeja njerëzore nuk ligështohet. Përkundrazi!
Rreth kësaj çështjeje, që preku sot Papa, kanë vijuar të diskutojnë në shekuj gjenitë më të mëdhenj të krishterimit. Benedikti XVI, mësues feje në kohën kur feja ka shumë nevojë të kumtohet rishtas, ripropozoi pyetjen e përhershme: a ka të bëjë feja me arsyen njerëzore? E posaçërisht, me shkencën? Prej, këndej, përgjigjja, reflektimi jashtëzakonisht i pasur, që ndoqën të pranishmit në Sallën e Palit VI:
“Feja të mundëson të zbulosh se takimi me Zotin vlerëson, përkryen dhe larton gjithçka është e vërtetë, e mirë dhe e bukur në shpirtin e njeriut. Është dije, njohje, që i jep jetës shije, shijen e re të ekzistencës, atmosferën gazmore për të qenë në botë. Është njohja e Hyjit-Dashuri, për hir të vetë dashurisë së Tij. Dashuria e Zotit, pastaj, të bën të shikosh, t’i hapë sytë, të krijon mundësi ta njohësh gjithë realitetin, përtej perspektivave të ngushta të individualizmit e të subjektivizmit, që e çorientojnë ndërgjegjen”.
Mund të pohojmë, prandaj, se feja na çon në njohjen e Zotit posaçërisht përmes takimit të dashurisë, takim jetik me Të. Nuk është, theksoi Papa, një fakt thjesht intelektual. E megjithatë, karakteri i arsyeshëm i fesë nuk është as kundërkuptim. Katoliku, sqaroi Papa, nuk është kurrë njeri, që beson kundër arsyes. E formula “besoj, sepse është absurditet”, nuk ka të bëjë fare me fenë e Kishës:
Hyji nuk është absurd, ndoshta është mister. Por misteri nuk është irracional. Është plot me kuptim, me domethënie, me vërtetësi. Nëse, duke parë misterin, arsyeja nuk dallon tjetër, veç errësirë, kjo nuk ndodh sepse misteri nuk është dritë, por pikërisht se është tepër i ndritshëm. Ashtu si kur sytë e njeriut i drejtohen diellit për ta parë drejtpërdrejt e dallojnë vetëm errësirë; por kush mund të thotë se dielli nuk ndriçon, madje se nuk është burim drite?”.
Zoti e ndriçon fenë e me hirin e tij hap horizonte të reja të pafundme për t’u përshkuar. Prandaj, tha Papa, feja të nxit të kërkosh gjithnjë, të mos ndalesh kurrë:
“Është i rremë paragjykimi i disa mendimtarëve modernë, sipas të cilëve arsyeja njerëzore bllokohet nga dogmat e fesë. E vërteta është krejt e kundërt, ashtu si na e dëshmuan mjeshtrat e mëdhenj të traditës katolike. Intelekt e besim, përballë Zbulesës hyjnore, nuk janë të huaj për njeri-tjetrin, e aq më pak, kundërshtarë, por janë të dy kushte, për të kuptuar mesazhin e mirëfilltë, duke na afruar në pragun e misterit”.
Mund të themi, pra, se feja katolike është e arsyeshme dhe ushqen besimin edhe në arsyen njerëzore, sqaroi Papa e, në vijim, citoi disa nga mendimtarët më të mëdhenj të krishterë, nga Shën Pali, tek Gjon Pali II, pa harruar Shën Agostinin, për të arritur tek pika tjetër nevralgjike: lidhja e fesë me shkencën. Edhe shkenca ka etje për dijet e të vërtetat, që janë të tilla, pohoi Benedikti XVI, vetëm në se vihen në shërbim të së mirës së njerëzimit, në shërbim të jetës e të shëndetit, për shembull:
“Me rëndësi janë edhe kërkimet, që synojnë të zbulojnë të fshehtat e Planetit tonë e të universit, me vetëdijen se njeriu është në kulm të krijimit jo për ta shfrytëzuar thellësisht, por për ta mbrojtur e për ta vënë në shërbim të të gjithëve. Kështu feja, e jetuar besnikërisht, nuk hyn në konflikt me shkencën. Përkundrazi, bashkëpunon me të, duke i ofruar kriteret bazë për promovimin e së mirës së përgjithshme e duke i kërkuar të heqë dorë vetëm nga ato prirje që i kundërvihen planit të zanafillës, me pasoja kundër vetë njeriut”.
E prej këndej, nënvizoi Papa, arrijmë tek një pikë tjetër, në favor të faktit se të besosh është krejtësisht e arsyeshme: feja e konsideron shkencën aleate të çmuar, që e ndihmon për të kuptuar planin e Zotit në univers. Feja e ndihmon progresin shkencor të realizohet gjithnjë në shërbim të së mirës e të së vërtetës, duke i qëndruar besnik planit të tij:
“Pa Zotin, njeriu humbet vetveten. Dëshmitë e atyre, që na paraprinë e ia kushtuan gjithë jetën Ungjillit e vërtetojnë këtë përgjithmonë. Është e arsyeshme të besosh, është në lojë vetë jeta jonë. Ia vlen të shkrish jetën për Krishtin; vetëm Ai i përmbush dëshirat për të vërtetën e të mirën, të rrënjosura në shpirtin e çdo njeriu”.
Në përfundim të katekizmit, përmbledhur në gjuhë të ndryshme, Papa kujtoi solemnitetin e së dielës së ardhshme kushtuar Krishtit Mbret, e diela e fundme e Kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar, duke i nxitur të rinjtë, të sëmurët e të sapomartuarit ta vënë Jezusin në qendër të jetës, sepse kështu mund të marrin prej Tij guximin për të ecur përpara e për t’i përballuar vështirësitë e përditshme, duke e jetuar edhe vuajtjen në bashkim me Të e duke dhënë një ndihmesë të çmuar për ndërtimin e Mbretërisë së Zotit.







All the contents on this site are copyrighted ©.