Në festën e Paraqitjes së Zojës në tempull, Kisha lutet për bashkësitë monastike në
mbarë botën.
Sot më 21 nëntor Kisha kremtoi festën e Paraqitjes së Zojës në Tempull. Mbi këtë
paraqitje të Marisë, për t’iu kushtuar Zotit qysh në fëmijërí të parë, na flasin vetëm
tradita e shkrimet apokrife. Liturgjia lindore e shënon festën që në shekullin
e katërt, ndërsa në Perëndim hyri në Kishë rreth shekullit XIV. E kremtja përkujton
kushtimin e Virgjërës Hyjit me shpirt e me trup. Zoja, me ketë akt, bëhet modeli i
gjithë atyre të cilët, aty e mbrapa, do t’i kushtohen Zotit me jetën rregulltare. Prandaj
sot, në përkujtimin liturgjik të Paraqitjes së Zojës së Bekuar në tempull, Kisha kremton
edhe Ditën vjetore Pro orantibus, kushtuar rregulltareve të klauzurës, duke kujtuar
se kuvendet e jetës kundruese u ofrohen njerëzve si oaza të Shpirtit e u bëjnë mirë
të gjithëve. Maria, duke uparaqitur në tempull, është ikonë profetike e atyre,
që dhurojnë jetën për lavd e lumni të Zotit e për kthimin e zemrave, përmes kushteve
rregulltare. Kisha i shpreh mirënjohjen Zotit për këtë dhuratë dhe i kushton vëmendje
të veçantë manastireve, posaçërisht atyre, që kalojnë çaste të vështira. Gjatë
Ditës kushtuar rregulltareve të klauzurës, themeluar nga Piu XII më 21 nëntor 1953,
besimtarët luten për ata që ia kushtojnë gjithë jetën kundrimit, duke bashkëpunuar
në këtë mënyrë për ndërtimin e mbretërisë së Hyjit. Zgjedhja e rrugës kundruese nuk
është e rastit: buron nga dashuria e thellë, pa kushte, për Krishtin dhe nga dëshira
për të marrë pjesë shpirtërisht në problemet e Kishës e të botës. Shembulli i murgeshave
mund të kthehet në forcë tërheqëse e t’i japë hov ecjes në gjurmët e Krishtit, që
kërkohet nga çdo i pagëzuar. Kjo Ditë u kujton gjithë të krishterëve se Krishti
duhet të jetë në qendër të jetës së tyre, se duhet të luten e të dëgjojnë fjalën e
Zotit, për ta jetuar plotësisht fenë.