2012-11-21 14:57:30

Nuk respektohet armëpushimi në Gazë. Vazhdojnë bisedimet me ndërmjetësimin amerikan


Armëpushimi i brishtë në Rripin e Gazës nuk i qëndroi kohës. Palestinezët e Hamasit sulmojnë Izraelin, i cili kërkon garanci për të mos u përgjigjur. Vazhdojnë përpjekjet diplomatike, me ndërmjetësimin e SHBA-ve dhe të Egjiptit, për t’i bërë armët të heshtin, por pa rezultat. Tel Avivi deklaroi se ka goditur Ministrinë e Sigurisë së Brendshme, qendrën kryesore të kontrollit të Hamasit në territorin e Gazës. Palestinezët janë përgjigjur me shpërthimin e një autobuzi-bombë në Tel Aviv, që ka shkaktuar 21 të plagosur, ndërsa rritet mbi 100 numri i palestinezëve të vrarë nga bombat izraelite. E për paqen, nuk mjafton telefonata e djeshme e presidentit amerikan Obama me homologun e tij egjiptian Morsi dhe, as vizita e Sekretares së Shtetit Klinton e prania e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Mun në Izrael. E nuk kanë ndërmend të luajnë nga qëndrimi i tyre as palestinezët, të cilëve Hilari Klinton u kërkoi ta shtyjnë paraqitjen e kërkesës për njohjen e shtetit të Palestinës nga OKB-ja. Pikërisht ky është çelësi për interpretimin e situatës së krijuar në Rripin e Gazës. Të dëgjojmë analistin italian, Stefano Toreli:
Kombet e Bashkuara, sidomos në teatrin e Lindjes së Mesme, janë bllokuar nga kjo situatë, që e ka bazën në kundërshtime të shumta, në veto të ndryshme. Në Siri, për shembull, veprimtaria diplomatike e OKB-së është në vendnumëro, për shkak të vetos së Rusisë e sidomos të Kinës. Nga ana tjetër, gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit, sa herë që Kombet e Bashkuara janë përpjekur të veprojnë, edhe thjesht me një dënim, kundër shtetit të Izraelit, SHBA-të kanë kundërshtuar fuqishëm, pavarësisht se kohët e fundit ndjekin një politikë, që nuk i shkon për shtat qeverisë izraelite.
Ndërkaq, Lidhja Arabe po luan një rol gjithnjë e më të rëndësishëm, apo jo?
Po, Lidhja Arabe duket se po fiton besueshmëri nga pikpamja diplomatike. Përfiton nga qëndrimi i Egjiptit, i cili është një forcë e re në zonë, në gjendje të ndërmjetësojë sidomos me palën palestineze, gjë që nuk ishte e mundur më parë, me qeverinë e presidentit Mubarak. Kajro i jep mundësi Lidhjes Arabe të veprojë si protagoniste në arenën e Lindjes së Mesme.
Në Rripin e Gazës, jetojnë e nuk kanë ndërmend të largohen, murgeshat katolike të Familjes së Fjalës së Mishëruar. Arritëm të flasim telefonikisht me njërën prej tyre, me motrën Maria e Nazaretit. Ja ç’na tha:
Këto ditë jemi mbyllur në shtëpi. Gjendja, jashtë, është shumë e rrezikshme. Shtëpitë e Gazës kanë mbetur shkretë, veprimtaritë janë paralizuar, dyqanet e shkollat janë mbyllur. Sulmet s’kanë fund e spitalet punojnë pa pushim, pasi numri i të plagosurve është i madh. Por, falë Zotit, kemi elektricitetin e telefonin, prandaj jemi në kontakt me besimtarët katolikë. I pyesim me telefon si janë, a kanë nevojë për ndonjë gjë; jemi në dispozicion. E dinim se mund të vinte kjo ditë, por as që na ka shkuar ndonjëherë nëpër mend të largohemi prej këndej. Për njerëzit e këtushëm është e vështirë, sidomos për ata, që jetojnë pranë ndërtesave shtetërore, në shënjestrën e bombave. Disa familje të krishtera janë larguar në zona më të sigurta. Tensioni e frika, sidomos për fatin e fëmijëve, shkakton krizë nervash. Ne lutemi vazhdimisht dhe i kërkojmë Zotit paqen.







All the contents on this site are copyrighted ©.