Editorial Evropian: Varfëri e përjashtim nga radhët e shoqërisë në Evropë.
Nga Athina, në Lisbonë, nga Italia në Spanjë, qindra mijëra qytetarë evropianë kanë
zbritur në sheshe, për të shprehur qëndrimin e tyre kundër politikave të zymta, të
shqetësuar për ardhmërinë e tyre e të bijve të tyre. Duket qartë se kriza nuk është
më vetëm ekonomike. Përfshin gjithë modelin e shoqërisë, etikën e marrëdhënieve individuale
e kolektive. Është krizë, që vë në diskutim klasat drejtuese dhe botën e punës, politikanët
e shoqërinë civile, kishat e bashkësitë fetare. Me pasoja të paparashikueshme. Të
gjithëve, në të njëjtën masë, u kërkon të marrin mbi vete përgjegjësinë e tyre, që
mund të përmblidhet në tri fjalë të vetme: “përkorë, drejtësi, dashuri vëllazërore”. Është
gjithnjë më e qartë se sjelljet individuale e kolektive ndikojnë fuqimisht mbi rrugëzgjidhjet
e politikës, të botës së ekonomisë, të administratave. Prandaj mjetet e komunikimit
përdoren sot me qëllime propagandistike, për t’i orientuar këto sjellje. Përkora apo
thjeshtësia na kujton respektimin e dinjitetit të njerëzve si dhe të burimeve materiale,
korrektesën në shfrytëzimin e tyre, që të mund të përdoren nga të gjithë, e jo vetëm
nga një pakicë. E në se u drejtohemi shifrave, të dhënat flasin vetë: Në Evropë
numri i njerëzve që jetojnë në varfëri ka arritur në 80 milionë vetë, më se 16% e
mbarë popullsisë së BE-së. Shumica janë gra e 20 milionë, fëmijë. Përqindjet më të
larta të njerëzve, që kërcënohen nga varfëria dhe nga përjashtimi i plotë prej radhëve
të shoqërisë regjistrohet në Bullgari (41,6%), Rumani (41,4%), Letoni (38,1%), Lituani
(33,4%), Hungari e Irlandë (29,9%), Greqi (27,7%), Spanjë (25,5%) e Itali (24,5%).
Kuadrin evropian e bën edhe më të rëndë 22% i njerëzve, që punojnë, por që janë
në rrezik të mbushin radhët e të varfërve, si dhe numri i atyre, që jetojnë ndër familje
me të ardhura shumë të pakta. Në këtë drejtim vendet më në rrezik janë Irlanda (22,9%),
Mbretëria e Bashkuar (13,1%), Belgjika (12,6%), Letonia (12,2%), Gjermania (11,1%),
Danimarka (10,3%) e Italia (10,2%). Të dhënat tregojnë se drejtësia nuk është në
vendin që i takon. E drejtësi do të thotë t’i japësh tjetrit, atë që i përket, frytin
e punës së tij, të djersës së tij, siç shkruan edhe Benedikti XVI në enciklikëën Caritas
in Veritate, duke vënë theksin mbi zhvillimin e gjithanshëm të njeritu. Papunësia,
në rritje sidomos në radhët e të rinjve, me një mesatare 21,4% në Bashkimin Evropian,
në 11 vende e kalon 25%, sidomos kur bëhet fjalë për emigrantët e njerëzit pa profesion.
Prandaj mund të pohojmë se nuk kemi të bëjmë thjesht me një problem ekonomik. Gjendja
e krijuar u mohon këtyre njerëzve rolin që u takon në shoqëri, nuk u krijon mundësitë
të japin kontributin e tyre në zhvilimin e vendeve, ku jetojnë; nuk u hap rrugë për
të ndërtuar me duart e tyre ardhmërinë për vete e për breznitë e ardhshme. E ky problem
ndikon drejtpërdrejt mbi kufizimin e të ardhurave të domosdoshme për zhvillimin e
arsimit e të edukimit. Kjo nuk mund të fshihet! Në këtë situatë të bllokuar, siç
shkruajnë shumë ipeshkvij të botës, nuk duhet harruar rreziku që njerëzit e ndershëm
të zemërohen seriozisht e që zemërimin e tyre ta përkrahin fuqimisht edhe ata, që
janë përjashtuar nga shoqëria. Shto, pastaj, edhe zërin e atyre, që nuk kanë zë, e
që papritmas mund të bërtasin në kupë të qiellit, aq sa të tundin globin! Me të
drejtë Bashkimi Evropian e quan platformën e tij kundër varfërisë dhe përjashtimit
shoqëror, kuadër evropian për kohezionin shoqëror e territorial. Duke pasur parasysh
burrat e gratë, që jetojnë në këtë situatë, shtojmë se në këtë kuadër, bamirësia shoqërore
mund të bëhet element me rëndësi themelore në marrëdhëniet njerëzore, edhe me natyrë
publike, për të motivuar shpresën e për të nxitur pjesëmarrjen e të gjithëve. Siç
na kujton Benedikti XVI, qyteti i njeriut nuk promovohet vetëm nga lidhjet ndërmjet
të drejtave e detyrave, por më parë e më shumë, nga marrëdhëniet pa interes, me frymë
dashurie vëllazërore e nga bashkimi vëllazëror. E edhe vetë zhvillimi i popujve varet
sidomos nga pranimi i faktit se njerëzimi është një familje e vetme, që bashkëpunon,
duke derdhur bashkërisht djersë e që përbëhet nga subjekte, të cilat nuk mund të mos
kenë lidhje, të dukshme a të padukshme, në sa jetojnë pranë e pranë njëri-tjetrit!