2012-11-20 14:26:01

“Fëmijëria e Jezusit” dhuratë e çmuar feje e kulture. U paraqit sot vëllimi tretë i veprës së Benediktit XVI “Jezusi i Nazaretit”


Paraqitjen e vëllimit të tretë të veprës “Jezusi i Nazaretit”, kushtuar “Fëmijërisë së Jezusit”, shkruar nga Jozef Ratcinger-Papa Benedikti XVI e kryesoi sot në Vatikan kryetar i Këshillit Papnor të Kulturës, kardinali Xhanfranko Ravazi. Vepra, shtypur nga Shtypshkronja e Vatikanit e nga Shtëpia mirënjohur Botuese italiane Rizzoli, u paraqit në Sallën e Piut X, në Romë, duke filluar nga ora 11.00. Përveç kardinalit Ravazi, folën edhe Maria Klara Bingemer, pedagoge e teologjisë pranë Universitetit Papnor Katolik të Rio-dé-Janeiros; drejtori i Lev (Shtëpia Botuese e Vatikanit), Giuseppe Costa; Paolo Mieli, kryetar i Rcs Libri (Shtëpia Botuese Rizzoli).
Takimin e drejtoi atë Federiko Lombardi, drejtor i Sallës vatikanase të Shtypit dhe i Radios sonë, i cili tha se "Benedikti XVI e mbajti premtimin, duke i bërë popullit të Hyjit një dhuratë të çmuar feje e kulture". Në konferencën e shtypit të gjithë folësit e vunë theksin mbi përpjekjen e jashtëzakonshme që bëri Jozef Ratcinger për të plotësuar trilogjinë kushtuar jetës së Jezusit të Nazaretit. Një vepër, që nisi tetë vjet më parë e që Papa e vijoi me ngulm të madh, i vetëdijshëm se realizimi i saj ishte urgjent për të gjithë besimtarët. Reflektimi i atë Lombardit:
“Vetëm guximi i madh e pasioni i madh mund të krijonin kushte për të arritur në port, në vite gjatë të cilave impenjimet e qeverisjes së Kishës universale janë kaq të mëdha. Për shumë nga ne, fakti që Papa ia arriti qëllimit, duket gati i pabesueshëm e shkakton admirim të madh e mirënjohje edhe më të madhe. Libri i vogël, sot në duart tona, ndoshta duket i vogël si vëllim, por nuk është aspak i vogël si vlerë”.
Kardinali Xhanfranko Ravazi e rilexoi librin e Benediktit XVI në këndvështrimin e binomeve histori-fe e autor-lexues. Hirësia e Tij vuri në dukje se Ungjijtë e Fëmijërisë së Jezusit nuk janë vetëm tekst informues, por sidomos formues. Prej këndej libri i ri i Papës na bën menjëherë për vete, sepse na vë përballë një historie gjithnjë aktuale:
“Mendoj për britmën e nënave në masakrën e fëmijëve të pafajshëm, britmë e përhershme, e përsëritur; britmë universale, që vijojmë ta dëgjojmë edhe në ditët tona. Vdesin fëmijë në Gazë, e britma e nënave vijon të tundë botën. E shikoni: tregimi nuk përfundon në faqet e librit, në rrethanat e tij historike”.
Rrëfimi na çon shpesh nga kohët e Krishtit, në kohët tona, duke na rikthyer përsëri në fëmijërinë e Zotit. Prej këndej, nuk mund ta shikojmë thjesht si dhuratë Krishtlindjesh:
“Pse është një fëmijë në qendër të tij, kjo nuk do të thotë se kemi të bëjmë me retorikë sentimentale; se duhet ta mbështjellim këtë libër e këto faqe me letër qindisur me yje, që përdoret për të mbështjellë dhuratat e Krishtlindjes... Jo, ky është një libër … i mbështetur mbi Ungjillin e fëmijërisë, e ky Ungjill është për njerëz të rritur, me pjekuri në fe”.
Pastaj, shtoi kardinali Ravazi, libri kushtuar Fëmijërisë së Jezusit ka vlerën e një teksti, që mund të lexohet nga të gjithë. Është shkruar qartë e me përvujtëri të madhe:
“Ja, ky libër nuk krijon atë vështirësi leximi, që krijojnë disa faqe teologjike ose filozofike të palexueshme, sepse tepër të vështira. Benedikti XVI vuri në praktikë atë, që një filozof i shekullit të kaluar, i njohur për përdorimin mjeshtror të gjuhës, e pati deklaruar, por pa e vënë kurrë në praktikë: gjithçka që mund të thuhet, mund e duhet thënë qartë”.
Mbi përmasën e dhuratës që përfaqëson ky libër për të gjithë besimtarët, e edhe jo besimtarët, foli kryesisht teologia Maria Klara Bingemer:
“Papa na fton, pra, përmes këtij libri, të krijojmë një hapësirë. Duke u përgatitur për të kremtuar festën e madhe të Krishtlindjes, ky libër mund të na ndihmojë të krijojmë brenda nesh një hapësirë, që Zoti të lindë e të dëftohet në një botë si jona, që ka aq shumë nevojë për Ungjillin e Tij”.
Giuseppe Costa shtoi:
“Në këtë libër gjejmë, njëherësh me agimin e Jezusit e të Marisë, edhe atë të fesë sonë”.
Së fundi, Paolo Mieli pohoi se ky vëllim nuk është thjesht vepër e një Pape, por edhe e një burri, si Jozef Ratcinger, një nga figurat më të rëndësishme të kulturës evropiane. Prej këndej, drejtori i Ricolit u ndalua kryesisht tek figurat kryesore të librit: Jezusi e Maria:
“Është i veçantë ky libër, sepse në qendër është figura e një fëmije dhe e një gruaje. Është libër mbi gruan, Marinë, që merr lajmin e madh, mbi lirinë e saj për ta pranuar këtë lajm, për të marrë pjesë, për t’u bërë protagoniste e Lindjes së Jezusit”.
Atë Lombardi e përfundoi konferencën e shtypit duke cituar fjalët, që pati thënë kardinali Karlo Maria Martini për librin e parë të Papës Ratzinger kushtuar Jezusit të Nazaretit. Një libër, pati shkruar kryeipeshkvi i Milanos, të cilin e lexova gjithë gëzim. Prej këndej, urimi i atë Lombardit:“Urojmë gëzim të madh gjatë leximit të këtyre vëllimeve e sidomos këtij, që na përgatit për Krishtlindje”.







All the contents on this site are copyrighted ©.