2012-11-20 13:07:22

Kisha katolike për Pavarësinë e Shqipërisë: rivlerësim i historisë; Rubigu i mohuar


Shkëputëm, për emisionin e 12-të të rubrikës “Kisha katolike për Pavarësinë e Shqipërisë” një fragment nga vepra e Atë Paulinit, prof. Margjokaj, titulluar Kontributi i Pukës për pavarsí të Shqipnisë, titulluar Rrubigu, çerdhe e atdhedashësve”. Shkruan françeskani shqiptar:
“Rrubigu kje porsi çerdhe kû u struken njerz me randsí, të cilët mâ vonë u banë ministra, deputet e komandanta ushtrijet; mâ teper se njiherë edhe vetë N.M. e Tij mbreti i sotshem” – kshtu lexohet në Hylli i Dritës 1937, Nr fruer-marc, fq 74.
Në Rrubig, si na kumbton i atë Pal Dodaj në të njajtin vend të cituem, kje shkrue memorandum-i5, në bazë të të cilit në kongresin e Shkupit Shqipnija do të delte autonome. Ky dokument u shkrue n’emen të kryetarve të Shqipnisë së Mesme e të Veriut e u kompilue me bashkëpunimin e ipeshkvit të Lezhës (emzot Luigj Bumçit), t’ipeshkvit të Zadrimës-Pukë (Emzot Gjergj Koleci), të Pal Dodaj, të Gjergj Fishtës e të Dom Nikollë Kimzës.
Si shperthei lufta ballkanike, prap në kuvendin e Rrubigut kjenë mbajtë dý mbledhje tjera: njana nen kryesinë e arqipeshkvit të Durrësit, imzot Prenk Bianchi, tjetra nen ipeshkvin e Zadrimës e nen Abatin e Mirditës (Prenk Doçi). Nder kto dý mledhje u rrah çashtja nëse ishte mâ mirë per Shqiptarë me u bashkue me Lidhjen Ballkanike apo me u bâ me ushtrí otomane, mbasi të kishim xjerrë prej Turkisë sigurimin e pavarsisë kombtare. Pal Dodaj nuk na e thotë kjartë n’artikullin e vet (Hylli i Dritës, citue sypri) se si e danë ket çashtje, ai na thotë vetem se “kto dý mbledhje paten per qellim me dá a ishte mâ mirë…”, por nuk thotë se kshtu apo ashtu e dane.
Poeti kombtar ka dashtë me na e bâ të pavdekshem emnin e ktij frati, prandej e ka shtî në Lahutë të Malsisë. Në kangen 28 na kallxon Fishta se si nji heró i Malsisë, me emen Llesh Nik Daka, jet i varruem randë në Rrushkull afer Durrësit prej pushkve trathtare shqiptare e se ky lypë me e çue në kishë të Fretenve në Rrubig, ku dishron me kenë i vorruem ( kjo ngarje âsht historike):
Pater Pali ç’âsht mjerue!
Me dore ballit ç’i ka rà
E po thotë gati tue kjá:
Oj Shqypní, mjera Shqypní,
Mjaft po drue, se me krye n’hî
Per gjithmonë per t’mbetun ké,
N’ prêhen t’and q’se mujn me lé
Ksi gjarpijsh, qi, besë e fé
Lânë mbas doret, me trathtí
Mund t’bâjnë n’vllazen kshtu kerdí.
Atherë trimin e vorruene,
E vorruen m’at mâje krepit”
Ku komita lodhë gazepit
T’Shkjaut e t’Turkut, gjêjshin mproje
Strehë, pushim e prap ndoj koje
Bukë e zemer; e kû frati
Të varruemve u rrite gati,
Varrët tue u a lá edhe tue ua ndrrue:
Krenët me kshille tue i drejtue.
Persê, ç’merr prej Sallsatikut
E del m’Sh’Mark, n’Kuvend të Rrubigut
E ki’n strofllin t’gjith njata
Qi me puplë a me pushkë m’krah,
T’kshtenë e turq, ishin betue,
Jashtë Shqypnis Turkun m’e dbue…
Atë Pal Dodaj ishte Kosovar prej Janjevet, prej kah âsht kenë edhe Atë Shtjefen Geçovi, qi Serbët e mbyten në vj. 1929, prej kah âsht kenë edhe Atë Luigj Paliqi, qi shkjetë e paten mbytë me 7 marc 1913, prej kah ishte edhe Atë Loro Mitroviqi (Mazreku) qi e mbyten komunistat serbo-shqiptarë ase mâ mirë me thanë shqiptarët komunistë të shtymë prej Serbve në vj. 1943. Sikurse kta tre freten kosovarë i kan mbytë Serbët, nuk âsht per t’u pritë tjeter veçse edhe i katerti, Atë Pal Dodaj, të hidhej në burg komunist dhe aty të vdiste.
Në Rrubig lajmet i merrte Atë Pal Dodaj prej nji miku të vet qi rrite në Shengjin. Ky ishte agjent i Loyd-it Trieshtin (Shoqnija e Vaporreve mâ e madhja e Austro-Ungerisë) e quhej Fr. U. Matković. Si kroat qi ishte, simpatizote per Shqiptarë e ishte i njoftun me Pater Palin shum vjet perpara. Krye javet ky merrte prej Matkovićit jo vetem gazeta me shumicë, por edhe lajme tjera të shkrueme nder letra të mshehuna nder gazeta mbrendë, lajme qi Matkovići i ndiete prej vetë oficerave serb e malazez (Shengjinin e kishin kta në dorë qysh në fillim të luftës ballkanike) si edhe prej kapitanavet t’anijeve qi kalojshin neper limâ. Mund të thohet prá se kurrnji vend në Shqipní nuk kishte aso here mundsinë me e njoftë mâ mirë gjendjen e Shqipnisë si edhe gjendjen e politikës europjane në lidhní me atdhenë t’onë në rrezik me mbetë i shkyem nder çapoj t’anmiqvet”.

Vrasja e Hasan Riza Pashës e Flamuri Kombëtar në Shkodër
Po himë tashti në mbrapaskenë, pale a po mundemi t’a kuptojmë sadopak se si e tek ndodhi kjo punë e shemtueme, dmth. Vrasa e Hasan Rizasë.
Lexojmë në Hyll të Dritës 1937, nr. i nandorit (25 vjetori i pavarsisë shqiptare), në faqe 529 v. se kah marimi i vj. 1912 Hasan Rizaja pat thirrë Kel Marubin (fotograf i njoftun në Shkoder), i cili ishte i njoftun mirë edhe prej qeverisë turke si propagandist i fortë i idesë kombtare.
Komandanti turk i bani Kelit vrejtje mbí vrejtje per sa punë të kalueme e të freskta në kundershtim me politikë turke. Si e provoi mirë e mirë se per ç’ideal kishte punue, së mbramit Hasani i tha: “T’a kishe zemren si ké veprat, paçë me e bâ nji punë me ty.” -Keli e perforcoi edhe ma teper karakterin e vet e ndiesitë e veta kombtare. Atëherë Hasan Rizaja ia kputi shkurt: “Ban çmos e m’a puno nji flamur Shqipnijet e mbas 4 ditsh ké me m’a prû; por rueju se të dikton kush!” Keli e muer mbí vedi atë detyrë t’ambel e tanë gzim shkoi fill te arqipeshvi Serreqi, e mbas kshillit të tij punoi nji flamur të madh mndashit me shqype dykrenshe, qi i kishte krahët në të ramë. Flamuri s’kje pelqye, pse teper i hollë, prandej kje punue prej murgeshave stigmatine nji tjeter, cohet mâ të trashë.
Si mbas të njajtit autor, në të njajtin vend’ t’artikullit të cituem tashti, lajmi i mbramë qi Hasan Rizaja i dergoi mikut të vet, Gjergj Fishtës, kje ky: “Neser ka me u ngrehë flamuri i Shqipnisë” Por të nesermen nuk e priti, pse shí atë natë kje vrá ( 21 kallnduer 1913).
I njajti na thotë se Hasan Rizaja pat kenë marrë vesht me klerin katolik të Shkodrës qi me ngrehë flamurin e Shqipnisë në Kalà të Shkodres e mejherë mbas malsinat e Veriut do të kishin per t’i rà ushtrisë rrethuese në rasë se kjo nuk do të terhiqej vullnetisht. Per ket qellim, nen kryesinë e Abatit, Prend Doçit, si edhe të Kapidanit të Mirditës kje bâ nji mbledhje e msheftë kû lidhen besë 19 bajrakë: Mirditë, Pukë, Malsí e Lezhës e Kthellë; si delegat i Pukës kje Bib Ndoja. Mbasi u vrá Hasan Rizaja veprimi i malsive nuk u krye, pse Malsitë nuk kishin se per kê me luftue, mbasi flamur shqiptar në Kalá të Shkodrës nuk shifshin.
Marrë nga “Hylli i Dritës, n. 2, 2012; Paulin Margjokaj, Kontributi i Pukës për pavarsí të Shqipnisë; Kapitull i katert, fq 3-7.







All the contents on this site are copyrighted ©.