2012-11-20 16:21:34

Dita Botërore për të Drejtat e Fëmijëve


Kremtohet sot 20 nëntor Dita Botërore për të Drejtat e Fëmijëve. Sivjet, vëmendja e botës është përqendruar në fatin e fëmijëve të përfshirë në konfliktet e armatosura. Për ta, të shtunën, besimtarët do të luten në Paris, në një meshë të organizuar nga Zyra ndërkombëtare katolike për fëmijërinë, që do të kremtohet në orën 18.00 në Kuvendin e Lajmërimit të Zojës. Më pas do të vazhdohet me një konferencë mbi këtë temë të rëndësishme.
Një studim i fundit vë në dukje se konfliktet në botë janë 388 e në to përfshiohen një miliard fëmijë, shumica e të cilëve nën moshën pesë vjeç. Për të mos folur pastaj për fëmijët ushtarë, të cilëve jo vetëm u mungojnë kushtet e natyrshme të jetesës për moshën, por edhe dashuria e prindërve.
Pra, siç dihet, Data 20 nëntor është shënuar në kalendar si "Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Fëmijëve". Përcaktimi i kësaj dite ka marrë shkas nga Konventa për të drejtat e fëmijëve, miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 20 Nëntor 1989 dhe ka hyrë në fuqi si ligj ndërkombëtar në vitin 1990.
Miratimi i kësaj Konvente shënoi një pikë kthese, duke bërë të njohur në mbarë botën që fëmijët nuk janë vetëm subjekte të mbrojtjes, por, gjithashtu, mbajtës të të drejtave civile dhe politike.
Konventa "Për të drejtat e fëmijëve" u ratifikua nga Kuvendi i Shqipërisë në Shkurt 1992 dhe hyri në fuqi në Mars 1992. Ratifikimi i saj nga Kuvendi u bë në bazë të nenit 16 të Dispozitave Kryesore Kushtetuese (1991).
Kuadri ligjor pas ratifikimit të Konventës ka pësuar ndryshime rrënjësore me qëllim përshtatjen e tij me dispozitat e Konventës.
Konventa "Për të drejtat e fëmijëve", e njohur gjithashtu si "Konventa e Fëmijëve", e përkufizon fëmijën si çdo qenie njerëzore nën moshën 18 vjeç dhe pohon se fëmija gëzon plotësisht të drejtat e njeriut. Ajo përmban 54 nene të të drejtave të fëmijëve, që mund të ndahen në tri kategori të përgjithshme, si mbrojtja, përkujdesja dhe pjesëmarrja.
Më konkretisht, mbrojtja, garanton sigurinë e fëmijëve dhe mbulon çështje specifike, si abuzimi, neglizhenca dhe shfrytëzimi; përkujdesja, mbulon nevojat e veçanta të fëmijëve, si arsimimi dhe kujdesi shëndetësor; pjesëmarrja, njeh kapacitetin në zhvillim të fëmijës për të marrë vendime dhe për të marrë pjesë në shoqëri, ndërkohë që fëmija i afrohet moshës së pjekurisë.
Konventa thekson dukshëm epërsinë dhe rëndësinë e rolit, të autoritetit dhe përgjegjësisë të familjes së fëmijës. Ajo afirmon të drejtën e fëmijës jo vetëm për gjuhën dhe kulturën e familjes, por gjithashtu për ta respektuar atë gjuhë dhe kulturë.
Në të njëjtën kohë konventa i bën thirrje shtetit për të përkrahur familjet, të cilat nuk janë në gjendje të sigurojnë një standard të mjaftueshëm jetese për fëmijët e tyre. Ndërsa njeh rëndësinë e familjes për mirëqenien e fëmijës, konventa njeh gjithashtu fëmijët si individë që janë mbajtës të të drejtave, duke u garantuar atyre, sipas përshtatjes, aftësinë e të zhvilluarit, të drejtën për identitet, për jetë private, për informacion, për mendim, ndërgjegje dhe besim, për t'u shprehur dhe për t'u organizuar.
Bazuar në konventë, të drejtat e fëmijëve paraqiten në katër parime bazë, si mosdiskriminimi, interes më të lartë për fëmijët, e drejta për të jetuar e për t'u zhvilluar, si dhe respektimi i pikëpamjeve të tij.
Konventa e konsideron parimin e interesit më të lartë të fëmijës si faktorin përcaktues në të gjitha veprimet që kanë të bëjnë me fëmijët. Në të gjitha rastet, interesat më të lartë të fëmijëve kanë përparësi në krahasim me interesat e të rriturve të përfshirë si prindërit, mësuesit apo kujdestarët.
Konventa gjithashtu parashikon dhe të drejtën për të jetuar, për të mbijetuar dhe për t'u zhvilluar si e drejta e fëmijës dhe detyrim i shtetit për të siguruar mbijetesën dhe zhvillimin e fëmijës.
Parim tjetër i rëndësishëm i konventës është dhe respektimi i pikëpamjeve të fëmijës që nënkupton se fëmija ka të drejtë të shprehë një mendim dhe t'i merret parasysh mendimi për çdo çështje, e cila ndikon mbi të.
Konventa "Për të drejtat e fëmijëve" është një mjet efektiv për të ndihmuar njerëzit e të gjitha moshave të identifikojnë përgjegjësitë komplekse që kanë të bëjnë me sigurimin e të drejtave për fëmijët.







All the contents on this site are copyrighted ©.