2012-11-20 13:03:48

Atë Kantalamesa: “fundi i botës” nuk duhet shikuar me frikën e profecive të rreme, po me shpresë


Të dielën e kaluar në të gjitha Kishat katolike të botës u lexua Ungjilli i përfundimit të historisë njerëzore edhe i rikthimit të lavdishëm të Krishtit mbi tokë. Mbi të reflektoi edhe Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot, duke pasur parasysh se prek një nga pikat më të ndjeshme për njeriun e të gjitha epokave. Koncepti i mbarimit të botës, që ngjall frikën e kahmotshme e që sot vijon të ushqehet nga mediat, nuk ka të bëjë fare me vizionin e krishterë, vizion besimi e shprese, ripohuar nga Benedikti XVI, për të cilin flet, në mikrofonin tonë edhe atë Raniero Kantalamesa, predikatar i Shtëpisë Papnore:

Përgjigje: - Mua më duket se Papa vuri theksin pikërisht në zemër të problemit, ashtu si bën gjithnjë. Jezusi nuk do të përgjigjet se ‘kur’ do të ndodhin këto gjëra, por ‘si’ duhet të përgatitemi. Siç thotë edhe Papa, nuk dëshiron të ngjallë kureshtje mbi datat, mbi kohën kur do të ndodhin ngjarjet e paralajmëruara. Të çudit fakti që Jezusi thotë se çastin e saktë të ndodhjes së asaj, që po e quajmë “fundi i botës”, nuk e dinë as vetë engjëjt. E pra kur e kur na dalin profetë e vegimtarë, që na kumtojnë, madje nganjëherë edhe me data të mirëpërcaktuara, se kur do të vijë fundi i botës. Tani po shkojmë drejt 21 dhjetorit 2012 që, sipas disave, duhet të jetë data e fundit të botës, sepse në kalendaret e indianëve Maya kjo datë flet për mbylljen e një cikli. Siç pohon, me të drejtë Papa, Jezusi dëshiron të na japë një bazë për jetën tonë. E, në këtë këndvështrim, Ungjilli i së dielës së kaluar është vërtetë i shkëlqyer. Na kujton se, në ndryshim nga vizioni ateo-shentistik, sipas të cilit bota nuk ka Krijues, nuk ka kuptim, nuk ka qellim, e, kur të sosen proceset kimike e fizike në vijim, do të përfundojë o në akullina të amshuara ose në zjarr kozmik; mesazhi themelor, që përmbajnë këto faqe eskatologjike, është përplot me shpresë. Na thotë se po shkojmë kah “Një” që na pret me krahë hapur, që vjen çdo ditë në shpirtin tonë përmes Eukaristisë. Prej këndej, si mund të trembemi nga “Një”, që është tashmë shoku ynë i udhës?

Pyetje: - Fjala “Apokalips” shumë shpesh shjegohet në mënyrë konfuze, posaçërisht pse ky term, me kalimin e kohës, është bërë sinonim i katastrofave. Cili është kuptimi i saktë?

Përgjigje: - Apokálypsis në gjuhën greke do të thotë thjesht ‘zbulesë’ e në titullin e librit të Gjonit, nuk u përdor si zbulesë e datave të sakta, të kohëve historike, siç thuhet shpesh. Është gjuhë profetike, përmes së cilës u vunë në dukje parimet themelore, të cilat do të ishin në bazë të historisë: forcat e së keqes, që luftojnë gjithnjë me forcat e së mirës, luftë që përfundon gjithnjë me fitoren e Qengjit. Ky është dhe kuptimi kryesor i “Zbulesës”. Por për shkak të gjuhës, që përdoret, të përshkrimit të yjeve, që bien; zjarrit, që zbret mbi gjithë tokën, siç e shikojmë në shumë filma, fjala Apokalips, lidhet gjithnjë më shumë me histori fatkeqësish të rënda të natyrës, që e kapërcejnë çdo përfytyrim njerëzor.

Pyetje: - Ju, pak më parë, kujtuat profecinë e indianëve Maya mbi fundin e botës. Në çdo fund mijëvjeçari është folur për fundin e botës. Sipas jush, njeriu ka nevojë ta kujtojë fundin e botës sa herë bota mbush një mijëvjeçar të ri?

Përgjigje: - Kur flasim për fundin e botës, ne flasim me terma globale, dmth për fundin absolut, pas të cilit është vetëm amshimi. Të lashtët, sidomos në Bibël, flisnin me terma relative e, prej këndej, shpesh, në Bibël nuk flitet për fundin e botës, por për fundin e një bote. Në të vërtetë Jezusi, pikërisht në Ungjill, thotë “Nuk do të kalojë kjo brezni, para se të ndodhë gjithë kjo: në të vërtetë, nuk kaloi breznia, para se të merrte fund një botë, ajo hebraiko-judaike, me rrënimin e Jeruzalemit. Në vitin 410, me plaçkitjen e Romës, disa nga Etërit e Kishës menduan se, ndoshta, kishte ardhur fundi i botës, sepse e identifikonin botën me Perandorinë Romake. Në Ungjill shpesh gërshetohen këto dy plane: plani i fundit të një bote, me planin e fundit të botës. Besoj se Jezusi donte ta bënte të parën simbol, për të kujtuar të fundmen, domethënë t’i merrte këto katastrofa, këto ngjarje më të mëdha se ne, që s’mund t’i shpjegojmë, si ftesë për të mos e lidhur shpirtin me këtë tokë, ashtu si më duket se nënvizoi edhe Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot.

Pyetje: - Përtej mbarimit të kohëve, ekziston edhe një mbarim tjetër, ai që e provon çdo njeri në një pikë të jetës; po ky mbarim për të krishterin është fillim i jetës tjetër. Si mund të rrënjoset një mendim i tillë në epokën tonë, kaq shumë alergjike, kur bëhet fjalë për gjëra, që nuk lidhen me të tashmen?

Përgjigje: – Është çmenduri ta lodhesh më kot mendjen për të gjetur se kur do të vijë fundi i botës, në sa ky fund për secilin nga ne mund të jetë pikërisht sonte, ose nesër, sepse vdekja për çdo njeri është fundi i kësaj bote. Prej këndej, kemi të bëjmë me një thirrje tejet të fortë, që për fat të keq, e dimë mirë se nuk na hyn në kokë, ne njerëzve, e është thirrja, që bën Jezusi, kur thotë: “Rrini zgjuar!”. Në se do ta dinim orën e saktë të vdekjes sonë, secili nga ne do të numëronte ditët, që i mbetën për të jetuar e mbarimi i jetës do të kthehej në një ankth pa mbarim. Prandaj bën mirë Zoti, që na e fsheh orën e fundit tonë, e edhe atë të fundit të botës!







All the contents on this site are copyrighted ©.