2012-11-19 16:07:17

Sulme izraelite mbi Gazë. Kisha Katolike vihet në dispozicion të besimtarëve


Bilanci i viktimave të tensionit të ri ndërmjet Izraelit dhe Territoreve Palestineze vazhdon të rritet. Shumë prej të vdekurve janë fëmijë, rënë nën bombat e avionëve të Tel Avivit, apo nën predhat e milicëve të Hamasit, në Rripin e Gazës. Ndërsa ekziston frika për ndërhyrje tokësore nga ana e ushtrisë izraelite, diplomacia ndërkombëtare është vënë në lëvizje në nivelet më të larta. Presidenti egjiptian Morsi, me mbështetjen e Bashkimit Evrpopian, të SHBA-ve dhe të Rusisë, po mundohet të ndërmjetësojë me eksponentët e Hamasit, ndërsa sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Mun shkon në Kajro.
Kisha Katolike ka hapur dyert e veta për nevojtarët. Rregulltarët dhe rregulltaret e Institutit të Fjalës së Mishëruar, në krye të famullisë latine të Rripit të Gazës, kanë filluar atë, që e kanë quajtur “apostullimi i telefonatave”, përmes të cilit vihen në dispozicion të besimtarëve.
A do të kenë sukses përpjekjet ndërkombëtare? Një rol të rëndësishëm mund ta luajnë SHBA-të, por presioni i presidentit Barak Obama, deri tani, është i dobët. Të dëgjojmë pedagogun italian të Studimeve strategjike dhe të ekonomisë ndërkombëtare në Universitetin e Triestes, Arduino Paniça:
SHBA-të kanë dy leva presioni shumë të forta, për shkak të të cilave roli i tyre është vendimtar. Ndaj Egjiptit, i cili jeton edhe me ndihmat amerikane – që financojnë ushtrinë dhe ekonominë – dhe ndaj Izraelit, të cilit duhet t’i sigurojë një vend të privilegjuar në bisedat e rezervuara, madje sekrete, për çështjen bërthamore iraniane e për ngjarjet siriane. Mendoj se Obama nuk ia ka dhënë këto siguri Izraelit, po të marrim parasysh marrëdhëniet mjaft të ndera me Netanijahun e, nga ana tjetër, nuk po ushtron deri në fund presionin ndaj Egjiptit. Nuk mjaftojnë telefonatat nga Tajlanda, për zgjidhjen e një problemi si ky…
Netanijahu deklaron se ushtria është gati të hyjë në Gazë. Pra, mund të kemi ndeshje tokësore, apo jo?
Është e tepërt të themi se një pjesë e opinionit publik izraelit dhe një pjesë e forcave të armatosura e sheh me frikë pushtimin e do të përpiqet ta shmangë deri në fund. Të gjithë e dinë sa e lartë mund të jetë kostoja e ndërhyrjes në Gazë. Gjithsesi, mendoj se, ose SHBA-të do të bëhen protagonistë të një ndërmjetësimi të fuqishëm mes palëve kundërshtare, ose përpjekjet e Egjiptit e të Turqisë janë të destinuara të dështojnë.








All the contents on this site are copyrighted ©.