2012-11-19 15:40:22

Shpata e përkrenarja e Skënderbeut mbërritën në Shqipëri


Pas monumentit të gjuhës shqipe, ‘Mesharit’ të dom Gjon Bukuzut të vitit 1555, ekspozuar në ambientet e Bibliotekës Kombëtare në Tiranë, në kuadër të festimeve për 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, kanë mbërritur sot në Atdhe edhe armët e Gjergj Kastriotit Skënderbeut.
Shpata, përkrenarja, një thikë e Skënderbeut, një pikturë në vaj, që paraqet heroin kombëtar të shqiptarëve dhe pjesë të një codex të Jakob Schrenk von Notzing e heroit tonë kombëtar, pas më shumë se 4 shekujsh, erdhën sot në Shqipëria nga Austria dhe pritet të ekspozohen nën masa të rrepta sigurie në muzeun e Tiranës.
Ato do qëndrojnë në Shqipëri vetëm për festimet e 100-vjetorit. Armët e Skënderbeut do të ekspozohen për herë të parë në datën 22 Nëntor në Muzeun Historik Kombëtar, për publikun e gjerë. Ekspozita "Armët e Skënderbeut në Shqipëri" do të qëndrojë deri në datën 13 janar në Muzeun Historik Kombëtar.
Armët e Heroit tonë Kombëtar e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, pjesë e fondit të Muzeut të Historisë së Artit në Vjenë, ekspozohen për herë të parë në Shqipëri, në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë.
Siç përmendem më lartë, pak ditë më parë erdhi nga Vatikani edhe ‘Meshari’ i dom Gjon Buzukut libri i parë i shkruar në gjuhën shqipe i vitit 1555, i cili u ekspozua në ambientet e Bibliotekës Kombëtare në kuadër të 100-vjetorit.

Përkrenarja
Përkrenarja dhe shpata e Skënderbeut ruhen në Kunst Historisches Museum në Vjenë, Austri, në sallën e “Maksimilianit” (XXV). Përkrenarja përbëhet prej çeliku dhe rrethohet nga një rrip i larë me ar. Në majë të saj është vendosur si simbol koka e dhisë me brirë. Në pjesën e poshtme të saj, përkrenarja qarkohet nga një rreth bakri, ku është gdhendur një mbishkrim prej dy shkronjash çift, që ndahen midis tyre me rozeta IM*PE*RA*TO*RE*BT (*Jhezus Nazarenus*Principi Emathiae*Regi Albaniae* Terrori Osmanorum *Benedictat Te (Jezuj i Nazaretit të beton ty Skënderbej, princ i Matit, Mbret i Shqipërisë, Tmerri i osmanllinjve, Mbret i Epirit). Sipas specialistëve, ky rreth qarkues mund të jetë vënë më vonë në përkrenare nga pasardhësit e Heroit. Me porosi të qeverisë shqiptare të Paraluftës, një kopje identike e përkrenares së Skënderbeut, punuar më 1937-n nga një mjeshtër i talentuar austriak, ndodhet në Muzeun Historik të Tiranës. Sipas dokumenteve të pakta që na vijnë deri në ditët tona, Papa Pali II i dhuroi Skënderbeut në natën e Krishtlindjes së vitit 1466 një shpatë dhe një kësulë.

Shpata
Shpata me trup të drejtë, e cila ndodhej së bashku me përkrenaren në Muzeun e Ambrasit, është me dy tehe. Trupin e ka të larë me ar. Është e gjatë 85.5 cm, e gjerë 5.7 cm dhe peshon 1,3 kg. Ka mill lëkure. Sipas Faik Konicës, i cili e vëzhgoi në fillim të shekullit XX, në trupin e saj shiheshin ende njolla gjaku. Përkundrazi, shpata tjetër (palla), e cila para se të hynte në Muzeun e Ferdinandit (Ambras) e kishte në zotërim vëllai i tij, Karli (Gratz), ka trup të harkuar. Së bashku me dorëzën është 121 cm e gjatë dhe peshon 3,2 kg. Palla është e stilit turk të shekullit XV. Trupi i saj është i dekoruar me ornamente (damaskine, ashtu siç shkruan Dhimitër Frëngu). Ka një mbishkrim turqisht, i cili, sipas F. Konicës, nuk është korrekt. Mbishkrimi mban emrin e Skënderbeut: Libehadur Allah Iskander beg- Kampion i Perëndisë, Skënderbeu. Po sipas Konicës, vetëm trupi i shpatës është i viteve të Skënderbeut. Dorëza e larë në argjend dhe milli i veshur me kadife janë të një kohe të mëvonshme. Të dyja shpatat janë riprodhuar në Vjenë, posaçërisht për Muzeun e Tiranës të paraluftës.







All the contents on this site are copyrighted ©.