Gavril Dara i Riu, poeti arbëresh në përvjetorin e vdekjes
Gavril Dara i Riu, poeti arbëresh në përvjetorin e vdekjes. Gavril Dara
i Riu, pas Jeronim De Radës është poeti më i shquar arbëresh, i cili vdiq si sot me
19 nëntor të vitit 1885 në mjerim duke lënë gjashtë fëmijë ende të mitur. Bota e letrave
shqipe sot pra përkujton përvjetorin e ndarjes nga jeta të patriotit
arbëresh , poetit, gazetarit, historianit dhe arkeologut Gavril Dara i Riu- Bir
i Andrea Darës e nip i Gavril Darës "Plakut" - emra të shquar të një familjeje arbëreshe,
që i dha shumë Rilindjes sonë Kombëtare, Gavril Dara (i Riu), lindi më 8 janar 1826,
në fshatin sicilian Palac Adriano. Mësimet e para i kreu në seminarin italo-arbëresh
të Palermos, fidanishte shqiptarësh të kulturuar e patriotë. Më pas vijoi studimet
për drejtësi, duke ecur në gjurmët e traditës familjare. Iu desh ta ushtrojë profesionin
në shumë qytete të Italisë, ku u bashkua me garibaldinët, në luftë për pavarësinë
dhe bashkimin e Italisë. Më 1871-74 drejtoi në Romë gazetën politike "La Riforma"
të Frano Krispit, edhe ky arbëresh, shumë i njohur në politikën italiane të kohës
dhe objekt i satirës së Atë Fishtës, i cili e sulmoi ashpër për qëndrimin negativ
ndaj fateve të Atdheut të të parëve. Ndoshta prandaj, i zhgënjyer, Dara do të largohej
shpejt nga drejtimi i gazetës e nga çdo veprimtari politike. Njeri me kulturë poliedrike,
Gavril Dara i Riu u muar me poezi, drejtësi, filozofi e arkeologji. Hartoi një
fjalor italisht-shqip e botoi vëllimin me vjersha titulluar "Disa poezi", ndërmjet
të cilave "Himni i Garibaldit. Por kryevepra e tij mbetet poema epiko-lirike "Kënga
e sprasme e Balës" që pasqyron epopenë e lavdishme 25 vjeçare të shqiptarëve të udhëhequr
nga Gjergj Kastrioti në mbrojtje të lirisë dhe pavarësisë së Shqipërisë kundër zgjedhës
osmane. Kjo është vepra e vetme në shqip që na ka arritur prej tij, "" dhe është
një ndër kryeveprat e letërsisë shqipe. Dara i Riu vlerësohet si poet romantik,
që mishëron të gjitha tiparet e Rilindjes Kombëtare. Vdiq në Girgjenti më 1889, ndërsa
ishte tërhequr plotësisht nga jeta politike, duke iu kushtuar kryesisht arkeologjisë
dhe gjuhës shqipe.