2012-11-18 15:54:16

Më 20 nëntor, paraqitja e librit të Papës kushtuar fëmijërisë së Jezusit.


Më 20 nëntor kardinali Xhanfranko Ravazi, kryetar i Këshillit Papnor të Kulturës, do të kryesojë paraqitjen e vëllimit të tretë të veprës “Jezusi i Nazaretit”, kushtuar fëmijërisë së Krishtit, shkruar nga Jozef Ratcinger-Papa Benedikti XVI.
Vepra, shtypur nga Shtypshkronja e Vatikanit e nga Shtëpia e mirënjohur Botuese italiane Rizzoli, do të paraqitet në Sallën e Piut X, në Romë, duke filluar nga ora 11.00. Përveç kardinalit Ravazi, do të flasin edhe Maria Klara Bingemer, pedagoge e teologjisë pranë Universitetit Papnor Katolik të Rio-dé-Janeiros; drejtori i Lev, Giuseppe Costa; Paolo Mieli, kryetar i Rcs Libri. Takimin do ta drejtojë atë Federiko Lombardi, drejtor i Sallës vatikanase të Shtypit dhe i Radios sonë.

Në këtë vëllim, shkruar për të rihapur diskutimin teologjik, Benedikti XVI analizon tekstet e ungjijve dhe e fton lexuesin t’i bëjë vetes pyetjet me rëndësi jetike: “A është e vërtetë ajo, që thuhet për Lindjen e Krishtit? Më përket edhe mua? E në se më përket, pse e si?”.
Me këto pyetje hapet libri, duke na kujtuar ballafaqimin e Krishtit me Pilatin, që gjithashtu e pyet: “Ti, prej nga vjen?” Është pyetja, që e shoqëron historinë e njeriut brezni pas breznie, e njëjta pyetje, që patën bërë Mbretërit e Lindjes, dijetarë e filozofë, studiues të lëvizjes së yjeve, për të zbuluar, përmes dritës së tyre, shkaqet e shqetësimit të zemrës njerëzore, në kërkim të përhershëm të atyre të vërtetave, që janë në gjendje t’i dhurojnë, më në fund, gëzimin e plotë.
E pikërisht në Ungjijtë e fëmijërisë, Jozef Ratzinger e gjen, duke e përshkruar mrekullisht mirë, rrënjën teologjike të gëzimit e na merr për dore, për të zbuluar të vërtetën e madhe, sipas së cilës Ungjilli nuk është historia e së kaluarës, por i përket së sotmes, njeriut bashkëkohor. E ndërsa Autori e shoqëron lexuesin në faqet ungjillore të Kumtit, që i jepet Marisë, të Lindjes së Zotit a të vizitës së Mbretërve Dijetarë, ja që arrihet në të sotmen: ekzegjeza e këtyre faqeve të sjell pikërisht në të sotmen. Sot, së bashku me Mbretërit Dijetarë, jemi para Foshnjes Hyjnore e Nënës së tij, sot i bëjmë vetes pyetjen për kuptimin e këtij takimi, sot vijojmë të pyesim si është e mundur që një Vashë t’i thotë ‘po’ Zotit , duke ia besuar vetveten, me korp e me shpirt.
Në sa afrohet Kërshndella, libri i ri i Papës Ratcinger është rrëfim i gëzimit që, me Lindjen e Krishtit, dëftohet në varfërinë e një stalle. Për njeriun që beson, është një nxitje e re për të njohur në thellësi arsyet e fesë. E njëkohësisht Jozef Ratzinger – Papa Benedikti XVI - flet miqësisht me të gjitha ata që, si Mbretërit Dijetarë, janë në kërkim të shqetësuar, për të gjetur përgjigjen e pyetjes: “Nga vjen Jezusi?”.









All the contents on this site are copyrighted ©.