2012-11-18 15:54:32

Muzika kishtare gjallëron fenë dhe shpreh me tinguj, bukurinë e Zotit.


Muzika në liturgji nuk është thjesht fakt estetik. Ajo e ndihmon besimtarin ta ndjejë e ta shprehë më thellë fenë, duke kontribuar fuqimisht për ungjillëzimin e ri. Kështu mendon Benedikti XVI.
Për të shpjeguar ç’është në gjendje të bëjë muzika kishtare, Papa mbështetet mbi dy dëshmi të mirënjohura. Së pari, mbi dëshminë e Shën Agostinit të Iponës, atit të madh të Kishës së shekullit IV-V, që tregon se nuk i mbante dot lotët, sa herë dëgjonte Psalmet e kënduara në liturgjitë e Shën Ambrozit, në Milano. E, së dyti, mbi atë të Pol Klodelit, poetit e dramaturgut të famshëm francez, vdekur në gjysmën e nëntëqindës, që u kthye në fenë e krishterë në një çast të vetëm: një çast i madh, i fuqishëm, në të cilin e ndjeu Zotin në zemër.
E ja si ndodhi:
Ishte pasdite vonë. Ai arriti para Katedrales së Shën Marisë së Parisit. U çudit, kur pa një turmë të madhe njerëzish, që hynin brenda. Papritmas iu kujtua se ishte data 24 dhjetor, Nata e Krishtlindjes. Vendosi të hyjë, thjeshtë për të parë ç’po ndodhte. Ishte koha e lutjeve të mbrëmjes. Me që ishte festë e madhe, mbrëmësoret këndoheshin nga kori i fëmijëve. Për t’i dëgjuar më mirë, u afrua tek elteri e u fsheh pas një shtylle, më të djathtë. Filloi Magnificat, lutja që këndoi Maria, për të shprehur gëzimin e Ardhjes së Jezusit. Magnificat – Himni që madhëron Zotin, flet për gëzim, shpresë, besim. Të gjitha, në kundërshtim të plotë me humorin e Polit. Por ja që, papritmas, u prek thellë në shpirt. Nuk e kuptoi ç’po i ndodhte, por e ndjeu veten të lumtur. Nisi të mendojë se jeta është e bukur, se Jezusi ka lindur vërtet ndërmjet njerëzve, për t’i shëlbuar.
Më vonë do të shkruante:
“Në një çast të vetëm, zemra ime u prek e besova”.
Atë natë Krishtlindjeje të vitit 1886, Poli takoi Zotin në Katedralen Notre – Dame:
“Në se feja lind gjithnjë nga dëgjimi i Fjalës së Hyjit, ky dëgjim, nga shqisat, kalon në mendje e në zemër, duke krijuar komunikimin e fuqishëm me Zotin. E kjo ndodh posaçërisht kur këndohen himnet e psalmet”, na kujton Benedikti XVI.
Sipas Papës, dëshmia e Shën Agostinit ndihmon për të kuptuar atë, që shkruhet në Sacrosantum Concilium, Kushtetutë e Koncilit II të Vatikanit, kushtuar liturgjisë: “Kënga kishtare, me fjalët e muzikën e saj, është pjesë tejet e nevojshme e përbërëse e liturgjisë solemne".
Ati i Shenjtë vëren:
“Pse themi e nevojshme e përbërëse? Sigurisht jo për shkaqe thjesht estetike, në kuptimin e cektë të kësaj fjale, por sepse bashkëpunon për ta ushqyer e për ta shprehur fenë, e prej këndej, për lavdinë e Zotit e shenjtërimin e besimtarëve, që është edhe qëllimi i saj. Prandaj dëshiroj t’i falënderoj muzikantët për shërbimin e madh që i bëjnë Kishës: muzika, e cila shoqëron liturgjinë, nuk është zbukurim i saj: është edhe vetë liturgji”.
Himni Magnifikat, që davariti çdo dyshim nga mendja e Klodelit, është përvojë e njeriut të ditëve tona. Benedikti XVI e shikon si dëshmi, që flet vetë për ndihmesën e këngës kishtare, e cila ndikon fuqimisht për ta thithur në shpirt Fjalën e Zotit, fjalën e thënë e fjalën e kënduar:
“Por, shton Papa, pa kujtuar vetëm personalitete të shquara, të mendojmë sa e sa njerëz u prekën në thellësi të shpirtit, duke dëgjuar muzikë kishtare; e sa të tjerë e ndjenë në zemër praninë e Zotit, të tërhequr nga muzika liturgjike, ashtu si Klodeli”.
Prej këndej, gjithnjë sipas Papës, muzikanët kanjë rol vërtet të rëndësishëm. E Ati i Shenjtë i fton:
“Impenjohuni ta përmirësoni cilësinë e këngës liturgjike, duke shfrytëzuar traditën e madhe muzikore të Kishës, që me melodinë gregoriane e polifoninë, arriti dy nga kulmet e veta më të larta”.
Papa uron që kompozitorët e muzikës liturgjike, e cila jehon në hapësirat e kishave të mbarë botës, t’i dhurojnë Kishës kryevepra të reja. Vepra që dalin nga shpirti, për të hyrë në shpirt. Duke u treguar, kështu, të gjithëve, se në Kishë bukuria është në shtëpi të vet!







All the contents on this site are copyrighted ©.