2012-11-18 15:55:01

Kardinali Amato për të Lumen Maria Perez, motër Ëmbëlsia


Në Pergamino të Argjentinës, u shpall e Lume, Maria Kreshencia Perez, rregulltare e Kongregatës së Bijave të Zojës së Kopshtit. E Lumja e re lindi në provincën e Buenos Airesit, por vdiq në Kili më 20 maj 1932, në moshën 35 vjeçare. Ia kushtoi gjithë jetën të sëmurëve, sidomos fëmijëve tuberkulozë në spitalin e Valenarit në Kili, ku punoi pa u kursyer derisa u sëmur edhe vetë. Kremtimet për nder të saj, filluan që më 15 nëntor e do të vazhdojnë deri më 20 nëntor, gjithnjë në Pergamino të Argjentinës. Ndërkaq, mesha e lumnimit u kremtua nga përfaqësuesi i Atit të Shenjtë, kardinali Anxhelo Amato, Prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, të cilin e ftuam në mikrofonin tonë për të na folur mbi tiparet më të rëndësishme të kësaj së Lume të re:
Qetësia dhe gëzimi. Prandaj quhej “motër Ëmbëlsia”. Dëshmitë na tregojnë se të gjitha murgeshat ishin të mira, por motër Ëmbëlsia ishte e jashtëzakonshme. Dukej se brumi, me të cilin ishte gatuar, përmbante vetëm mirësi, durim, mirësjellje, gëzim, dashuri. Jeta e saj ushqehej nga feja e gjallë, e pashterrshme, aktive. “Zemrën e kishte në qiell” – pohon një dëshmitar. Sor Dulzura, siç e quajnë bashkombasit e saj, ishte bujare me të vegjlit e me të varfërit. Kush nuk mund të paguante, merrte prej saj falas ushqime e veshje. Nënave, që s’kishin ilaçe për fëmijët, ua jepte ajo. Shpesh thoshte: “Kemi mjaft qumësht për të sëmurët, pse të mos ua japim edhe të varfërve?”. Fëmijëve që merrnin Kungimin e parë u gjente veshje, libra, rruzare, që edhe pse të varfër, të bënin figurë të mirë. Për të, Krishti fshihej në të varfërit e në të vuajturit.







All the contents on this site are copyrighted ©.