2012-11-17 18:01:45

Benedikti XVI: shëndeti nuk është mall tregu e as pasuri, që ruhet vetëm për pak njerëz.


Shëndeti është pasuri universale, që duhet siguruar e duhet mbrojtur. Prej këndej, nuk duhet t’u nënshtrohet kurrë ligjeve të tregut. Duke takuar sot anëtarët e Këshillit Papnor për Punonjësit e Shëndetësisë, mbledhur këto ditë në konferencën e tyre, Papa denoncoi prirjen e shoqërisë bashkëkohore për ta humbur aftësinë e kujdesit, me dashuri, për njeriun që vuan.
“Në se nga njëra anë, për shkak të progresit në fushën tekniko-shkencore, rritet aftësia për ta shëruar njeriun e sëmurë, nga ana tjetër duket sikur ligështohet aftësia për kujdes ndaj njeriut që vuan, parë në tërësinë e tij e si krijesë unike”.
Papa vuri theksin mbi këtë kohë krize ekonomike, që po i pakëson burimet në shërbim të shëndetit, duke ripohuar se nuk mund të harrohet kurrë vëmendja e posaçme për njeriun, që vuan. E në vijim denoncoi:
“Pikërisht në këto rrethana, spitalet dhe strukturat e asistencës, duhet ta rimendojnë rolin e tyre, për të shmangur rrezikun që shëndeti, në vend që të shikohet si pasuri universale, e cila duhet siguruar e mbrojtur, të kthehet thjesht në mall, që i nënshtrohet ligjeve të tregut, domethënë, në pasuri, që ruhet vetëm për pak vetë”.
Të krijohet përshtypja e errësimit të horizonteve etike të shkencës mjekësore, e cila rrezikohet të harrojë se detyra e saj kryesore është t’i shërbejë çdo njeriu e njeriut në përgjithësi, në fazat e ndryshme të jetës, pohoi Papa. Shpjegoi, më pas, se atij që zgjedh rrugën e shërbimit në botën e vuajtjes, duke e jetuar veprimtarinë e vet si mision njerëzor e shpirtëror, i kërkohet të ketë edhe një kompetencë tjetër, që e kapërcen cakun e titujve akademikë. Benedikti XVI iu drejtua profesionistëve e vullnetarëve të shëndetësisë, duke folur për një thirrje krejt të veçantë, që kërkon studim, ndjeshmëri e përvojë. Me fjalët e Koncilit II të Vatikanit, kujtoi se Kisha nuk ka forcë të sigurojë shëndetin e trupit, por është gjithnjë përkrah asaj, që njihet si shkenca e krishterë e vuajtjes:
“Krishti nuk e zhduku vuajtjen; nuk deshi as të na e zbulojë plotësisht misterin; e mori mbi vete, e kjo mjafton, që t’ia kuptojmë gjithë vlerën”.
Fakti, që ju jeni katolikë, u tha Papa të pranishmëve, ju ngarkon me përgjegjësi edhe më të madhe përballë shoqërisë e Kishës.
Në vijim Benedikti XVI kujtoi figura shembullore, si Gjuzepe Moskati, Shën Rikard Pampuri, Shën Gjana Bereta Mola, Shën Ana Shefer dhe Shërbëtori i Zotit, Zherom Lëzhëné:
“… spitali mund të konceptohet si vend, në të cilin mjekimi nuk është mjeshtri, por mision; ku bamirësia e Samaritanit të Mirë, është katedra e parë e fytyra e njeriut të vuajtur, vetë Fytyra e Krishtit”.
Në vijim, Papa pohoi me forcë: atje ku Kisha është udhë e pranisë së Zotit, është njëkohësisht edhe mjet për ta bërë njeriun më njeri e botën, më njerëzore.
Prej këndej:
“Sot më shumë se kurrë shoqëria jonë ka nevojë për “samaritanë të mirë”, me zemër bujare e krahë të hapur për të gjithë, me vetëdijen se masa e humanizmit përcaktohet kryesisht nga marrëdhënia me vuajtjen e me njeriun që vuan”.
E Papa, në përfundim, siguroi:
“Asnjë lot i atij, që vuan, e as i atij, që i rri pranë, nuk do të shkojë kot para syve të Zotit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.