2012-11-16 17:11:18

Vdiq Daniel Gazulli, shkrimtar katolik shqiptar


Në redaksinë tonë arriti mbrëmë lajmi i vdekjes së Daniel Gazullit, njeri i kulturës e i letrave, përkthyes, në hullinë e traditës gjuhësore e letrare të gegërishtes, autor i shumë shkrimeve kushtuar problemeve të mprehta të traditës kulturore shqiptare. La gjurmë të ndjeshme në shtypin periodik, duke i shtuar faqe të reja historisë së kulturës shqiptare me të dhëna të panjohura për figura madhore, si Dom Nikollë Kaçorrin, atë Gjergj Fishta e, sidomos, për të parët e lavdishëm të familjes së madhe të Gazullorëve, që nxori nga gjiri i vet meshtarë e dijetarë të njohur. Ndërmjet tyre, dy Gjonat: Gjon Gazullin - Johanes Gasulus, lindur në Gjadër, më 1400, vdekur në Raguzë më 19 shkurt 1465, rregulltar domenikan, humanist e diplomat, si dhe dom Gjon Gazullin, lindur në Dajç, më 26 mars 1893, varur nga Ahmet Zogu në mes të Shkodrës, më 2 janar 1927, varrosur në Rrëmaj, në një varr, kthyer menjëherë në cak shtegtimesh e mrekullish, në listën e 40 kandidatëve për nderimet e elterit.
Danieli ndërroi jetë më 12 nëntor 2012, në sa vijonte ta përdorte me përkushtim pendën për të pasuruar gjithçka u varfërua në shekullin e fundmë. Ishte një nga shqiptarët e parë që vizitoi Programin Shqip pranë Radio Vatikanit menjëherë pas shembjes së diktaturës, duke lënë mbresa nga më të mirat. Përshtypjet e tij nga kjo vizitë, Danieli i pati përcjellur menjëherë përmes mikrofonit tonë e edhe shtypit shqiptar të kohës.
Zgjodhëm, për ta kujtuar, një nga përkthimet e tij të kohëve të fundit, poezinë e Rabinranat Tagorës, me një titull, që tingëllon si porosi: MOS U LIGSHTO!
Mos u ligshto, mbaju fort,
e do të fitosh.
Nata po ikën:
guxim, mos u ligshto.
Shiko, në ball të lindjes,
përmes pëlhurës së pyllit
nalt
po lind ylli i mëngjesit.
Guxim, mos u ligshto.

Janë bijtë e natës,
që në errsinë shtegtojnë
dëshprimi, dembelia, dyshimi:
ata, të pasigurtët, nuk janë
bijë të agimit.
Vrapo, nga terri dil;
e tej hidhe vështrimin:
qielli prarohet:
Guxim, mos u ligshto.







All the contents on this site are copyrighted ©.